Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e vaksinimit në luftën kundër COVID-19 është thelbësore dhe imunizimi masiv do të jetë vendimtar në kapërcimin e pandemisë.
“Kundërshtimi ndaj vaksinimit nuk është qasja e duhur gjatë një krize si kjo. Ne duhet të sigurohemi që njerëzit të kenë informacionin e nevojshëm për çdo vaksinë që është në përdorim,” i tha AA Coskun Usta, një ekspert i farmakologjisë në Universitetin Akdeniz në Antalia.
Usta tha se njerëzit e informuar dobët mund të zgjedhin mosvaksinimin dhe një problem shtesë do të ishte presioni mbi të afërmit për të ndjekur shembullin e tyre.
Ai shtoi se njerëzit duhet të edukohen për të gjitha aspektet e vaksinës, përfshirë procesin e prodhimit të tyre dhe mënyrën se si mund t’u sjellë atyre dobi.
“Vaksinimi është çelësi për të luftuar numrin e rasteve të infeksionit me koronavirus. Eshtë shansi ynë më i mirë. Ne mund të shërohemi dhe të shkojmë drejt normalitetit vetëm kur fillon imunizimi masiv,” tha Usta.
Duke treguar se njerëzit, të cilët aktualisht janë kundër vaksinimit, përfundimisht do ta shohin gabimin, Usta tha se kjo do të ndodhë kur rezultatet e vaksinimit të jenë të dukshme, ndoshta nga marsi ose prilli i vitit të ardhshëm.
Usta gjithashtu tha se komuniteti mjekësor global është krenar për përpjekjet për të zhvilluar vaksina në të gjithë botën dhe mbetet optimist për rezultatet e pritura.
Disa vaksina potenciale janë në rrugën e duhur për miratimin përfundimtar, duke rritur shpresën për një nxitje shumë të nevojshme në luftën kundër pandemisë COVID-19. /tesheshi.com/