Nga redaksia
Vartësit e peshkopit serb të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, po dhe ai vetë, siduket i kanë harruar “punët e Perëndisë”, pasi ai po merret me politikë, ndërsa të tjerë më poshtë tij i janë futur kontrabandës së mallrave të ndryshme, nga Serbia në Kosovë, përfshirë dhe ndonjë derr.
Më konkretisht, Janjiq është angazhuar kohët e fundit me aksionin e pengimit të Kosovës për t`u anëtarësuar në UNESCO. Ndërsa sivëllezërit e tij të rasos së zezë, Sasha Timshiq dhe Aleksandar Sajc, janë angazhuar për të bërë ndonjë dorë të mirë paresh me kontrabandë.
Portalit tesheshi.com, ka arrituar që të sigurojë një dokument ku dy priftërinjtë në fjalë të Manastirit të Deçanit janë kapur nga policia e Kosovës duke kontrabanduar mallra nga Serbia në Kosovë.
Në dokumentin e disponuar, Sasha Timshiq dhe Aleksandar Sajc dyshohet se kanë kontrabanduar nga Serbia në Kosovë 9 makina për mjeljen e lopëve, si dhe sasi të konsiderueshme të qirinjve, detergjentëve, apo derrave etj.
Dhe për më tepër, thuhet se ata kanë qenë të shoqëruar në këtë aksion kontrabande edhe nga një makinë e UNMIK-ut e cila ka përcjellë furgonin e priftërinjve mbushur plot me mall kontrabandë deri në destinacionin e fundit.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i ka thënë portalit tesheshi.com se dy persona që dyshohet të jenë priftërinj të Manastirit të Deçanit, A. S dhe T.S, në sistemin policor figurojnë si të dyshuar për veprën penale “kontrabandim me mallra”.
“Policia për këtë rast me raport të veçantë ka njoftuar Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe rasti ka kaluar në duar të prokurorit”, ka thënë Zahiti.
Gjithashtu, zëdhënësi Zahiti ka shtuar se malli që dyshohet të jetë i kontrabanduar është dorëzuar në terminalin doganor në Mitrovicë nga ana e policisë.
Në anën tjetër, një zyrtar i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës me seli në Vushtrri, i ka thënë portalit tesheshi.com se rasti që dyshohet për kontrabandim të dy priftërinjve është dosja PPN 161/09.
“Kjo dosje për shkak të vështirësive në të cilat ka kaluar Prokuroria e Mitrovicës, më 16. 01. 2013 i është dorëzuar një prokurori, por ende nuk është shqyrtuar për arsye të numrit të madh të lëndëve”, ka thënë zyrtari i organit të akuzës.
Po ashtu, edhe në doganën e Kosovës, pyetur nga portali tesheshi.com rreth mallit të kontrabanduar se ku është, zyrtarët doganorë në Prishtinë nuk kanë munduar t`i japin një përgjigje se ku gjendet tani ky mall i kontrabanduar nga të ashtëquajturit “njerëz të Perëndisë”.
Në anën tjetër, burime të portalit kanë informuar se priftërinjtë serbë me furgon të tipit Mercedes Sprinter nuk janë ndaluar në pikën kontrolluese të policisë, por pas një ndjekjeje të gjatë, ata janë ndaluar pothuajse në mënyrë të dhunshme në afërsi të Prishtinës.
Përveç mallit kontrabandë, në furgon policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe një derr të ngordhur të futur në një thes të zi plasmasi, si dhe një palë targa të vjetra të qytetit të Gjakovës. /tesheshi.com/