Ekonomia pritet të sfidojë politikën në rastin e raporteve të acarta turko-gjermane, pasi gjigandi Volkswagen pritet të ndërtojë kompleks prodhimi në Turqi.
Turqia është gjithnjë e më e sigurt se Volkswagen do të ndërtojë një strukturë prodhuese në vend pas një takimi “jashtëzakonisht pozitiv” midis zyrtarit të lartë të kompanisë dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi Reuters, duke cituar tre burime turke pa emër.
Agjensia britanike raportoi javën e kaluar se të dy palët po diskutonin regjimin e taksave të makinave në Turqi për të përfunduar një investim miliarda eurosh.
Volkswagen, i cili raportohet se e mori në konsideratë Bullgarinë për investimet e saj, nuk ka njoftuar ende një vendim përfundimtar, por burime pa emër thonë se ka një pritje pozitive për të investuar në Turqi.
“Erdogan dhe një zyrtar i lartë i VW zgjidhën shumicën e çështjeve gjatë një takimi këtë javë”, tha një burim i panjohur turk i njohur me situatën.
Një burim i Volkswagen tha që Erdogan u takua me kreun e kompanisë, Herbert Diess këtë javë.
“Më parë, kishte disa gjëra të vogla që penguan marrëveshjen, të tilla si zbritja e taksave për makinat që do të shiten. Në takim, u arrit marrëveshja pothuajse e plotë”, tha një burim turk.
“Nëse nuk ka asnjë problem të minutës së fundit, investimi do të realizohet në Turqi”, shtoi i njëjti burim. /tesheshi.com/