Sekretari i Shtetit Mike Pompeo e krahasoi John Bolton, shkruesin e një libri të ashpër ndaj Presidentit Trump, me Edward Snowden, një ish-oficer zbulimi i akuzuar për spiunazh.
“Sinqerisht, ai rrezikon të ndiqet penalisht për botimin e këtij informacioni,” paralajmëroi Sekretari i Shtetit amerikan për Fox News përpara botimit të librit “Dhoma ku ndodhi”, që është një kronikë e 17 muajve të kaluar të Boltonit në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne të gjithë kemi parë se çfarë ndodh kur njerëzit fillojnë të postojnë informacione konfidenciale, si Edward Snowden. Ajo që ka bërë John Bolton është e njëjta gjë”, shtoi Pompeo.
“Dhe megjithëse vendimi për veprim juridik duhet të vijë nga Departamenti i Drejtësisë, lëshimi i një informacioni të tillë përbën një kërcënim dhe një goditje për Shtetet e Bashkuara,” paralajmëroi Sekretari i Shtetit i SHBA.
Edward Snowden është një informator dhe ish-punonjës i CIA-s dhe NSA, i cili në vitin 2013 zbuloi se SHBA po kryente mbikëqyrje masive dhe përgjime të shtetasve të saj dhe të huaj. Për të gjitha këto, filloi procedimi penal kundër tij për spiunazh.
Libri i John Bolton nuk sjell një pamje simpatike të Donald Trump, të cilin ai e përshkruan si të paaftë, të pamatur dhe të fiksuar për rizgjedhjen. Me pak fjalë, i paaftë për të udhëhequr fuqinë e parë në botë. /tesheshi.com/