Kanë kaluar 20 vite nga lufta e fundit në Kosovë ndërsa çështja e mbi 1,600 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur nga institucionet vendore e as ndërkombëtare.
Dhimbjen më të madhe e mbajnë familjarët e të pagjeturve, por kjo barrë ndihet në gjithë shoqërinë kosovare.
Familjet e personave të pagjetur thonë e po përballen me mohimin e të drejtës për të ditur të vërtetën lidhur me fatin e tyre, si dhe me mungesë të drejtësisë.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyrueshme, në Prishtinë do të mbahet edhe një instalacion pranë New Born, si dhe Marshi i dytë në kërkim të drejtësisë, ngjarje kjo e organizuar nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR Kosovo)
Shoqatat e familjeve të të zhdukurve thonë se arritja e paqes është e pamundur, pa u adresuar çështjet që lidhen me luftën, përfshirë fatin e personave të pagjetur.
Marshimi me moton “Edhe sa?” do të bëhet drejt sheshit kryesor të Prishtinës, ku secili pjesëmarrës do të mbajë një pankartë me emrin e një personi të pagjetur.
Fati i të pagjeturve ka qenë edhe në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi, por ndërprerja e dialogut ka stagnuar edhe çfarëdo informacioni lidhur me ta. /tesheshi.com/