Zgjedhjet presidenciale amerikane kanë mbërritur më në fund edhe në Pakistan, ku një drejtues i lartë me anë të një deklarate akuzoi kandidatin e avantazhuar republikan, Donald Trump se është një “injorant” për shkak të ky i fundit kërkoi lirimin e një doktori që ndihmoi CIA-n të binte në gjurmët e Osama bin Laden në vitin 2011.
Me anë të një deklarate, ministri i Brendshëm i Pakistanit, Chaudry Nisar Ali Khan tha se “qeveria e Pakistanit dhe jo Donald Trump” do të vendosë fatin e Shakeel Afridi, i cili mbahet i ndaluar prej pesë vjetësh në një burg në Pakistan pasi kishte punuar me CIA-n për të përcaktuar strofullën e bin Laden.
Khan iu referua komenteve të kandidatit Trump në një intervistë për Fox News. Në atë intervistë, ai tha se nëse zgjidhet president, do të përdorë të gjithë forcën e presidencës për të detyruar Pakistanin që të lirojë Afridin, i cili mbahet nën një akuzë të vakët.
“Mendoj se do ta nxjerr atë jashtë në dy minuta”, tha Trump. “Do t’u thoja atyre ‘lejojeni të shkojë’ dhe jam i sigurtë se ata do ta lejojnë atë të largohet”.
Khan u kundërpërgjigj duke thënë se Afridi është një “qytetar pakistanez dhe askush”, përfshirë edhe një president Trump, “nuk ka të drejtën të na diktojë se cila do të jetë e ardhmja e tij”.
“Pakistani nuk është koloni e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Khan. “Ai duhet të mësojë të trajtojë kombet sovrane me respekt”.
Pavarësisht tensionit të konsiderueshëm që pasoi sulmin ushtarak amerikan që vrau Osama bin Laden, marrëdhëniet midis Pakistanit dhe liderëve amerikanë kanë qenë përgjithësisht në përmirësim. Eshtë gjithashtu, një ngjarje e rrallë për qeverinë e Pakistanit të ndërhyjë në politikën amerikane, por është e qartë se deklaratat e Trump kanë ngacmuar nerving në Islamabad.
Deklarata e Khan, në mënyrë të pazakontë linte të kuptohej, madje sugjeronte se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë dhënë Pakistanit mjaftueshëm ndihmë për rolin e tij në luftën ndaj terrorizmit. Që nga viti 2001, Pentagoni ka rimbursuar 13 miliardë dollarë për ushtrinë pakistaneze për përpjekjet e saj antiterrorist. Në senat, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka ndihmuar të orientojë disa miliarda dollarë ndihma humanitare për këtë vend.
Por, Khan thotë se “kikirikët” që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Pakistanit “nuk duhet të përdoren si kërcënim apo për të frikësuar vendin “në ndjekjen e vizionit të keqdrejtuar të Trump në politikën e jashtme”.
“Pakistani është një vend që ka vuajtur shumë, dhe kostoja që i është dashur të paguajë për mbështetjen që u ka dhënë Shteteve të Bashkuara ndër vite ka qenë e pallogaritshme, tha Khan. “Deklarata e Trump shërben vetëm për të treguar pandjeshmërinë e tij, por edhe injorancën e tij për Pakistanin”.
Në shumë mënyra, deklarata e Khan duket të jetë një sulm paralajmërues ndaj një prej shtyllave qendrore të politikës së jashtme të paraqitur më herët nga kandidati republikan, Donald Trump. Gjatë fushatës, Trump ka mbledhur mbështetje me paralajmërimet e tij për reduktimin e ndihmës amerikane jashtë vendit apo investimeve amerikane e deri tek një ndryshim i politikës së jashtme, madje në rastin e Meksikës, edhe ndërtimin e një muri në kufi.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/