Grindja për postet më të larta të personelit në BE pas zgjedhjeve europiane në fund të majit, ka mbledhur dhe njëherë të dielën krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Eruopian në Bruksel. Sipas informacioneve të mediave, shanset e kandidatit kryesor të partive popullore europiane, Manfred Weber për të qenë president i Komisionit Europian duket se nuk janë më realiste.
Welt am Sonntag ka raportuar të shtunë, se krerët e qeverive të BE në samitin e G20-s në Japoni kanë rënë dakord që Weber të mos jetë kreu i ri i KE dhe se Merkel e ka pranuar këtë. E pyetur në Osaka për këtë çështje, Merkel është shprehur: “unë mbështes gjetjen e një zgjidhjeje”. Sipas Merkel “kjo duhet të bëhet mbi bazën e kandidatit kryesor”, citon DPA, kancelaren gjermane. Presidenti francez, Macron që e kundërshtoi fort zgjedhjen e Weber, u shpreh në Osaka: “Mendoj se gjërat po ecin përpara”.
Fran Timmermans, kreu i ri i KE?
Megjithëse nga qarqet e partisë konservatore gjermane, CSU-së është thënë se Weber është ende kandidat dhe se duhet të zgjidhet president i Komisionit Europian, në media është lakuar të shtunën emri i Frans Timmermans, kandidatit kryesor të socialdemokratëve, grupimit që fitoi më pak vota se konservatorët.
Welt am Sonntag raportoi se krerët e BE po konsultohen, nëse në vend të Weber mund të bëhet Timmermans apo një përfaqësues tjetër nga konservatorët president i KE.
Nga qarqet e politikanëve të CSU, theksohet se për partitë popullore europiane (PPE) është e rëndësishme që të ruhet parimi i kandidatit kryesor. “Jemi të hapur për kompromise, por në kuadër të rezultateve të zgjedhjeve, që e bënë PPE partinë kryesore në Parlamentin Europian.”
Parimin e kandidatit kryesor e mbështesin edhe socialdemokratët. Achim Post, zëvendëskryetari i grupit parlamentar socialdemokrat u shpreh se presidenti i ri duhet të vijë nga rrethi i kandidatëve kryesorë. “Gjithçka tjetër do të ishtë thyerje fjale e votuesit europian.” Agjencia gjermane e lajmeve, dpa njofton, se sipas burimeve të saj, Frans Timmermans mund të zgjidhet president i KE, kurse Manfred Weber, president i Parlamentit Europian. Por ende paketa e re e personelit nuk është mbyllur.
Kryetari i grupit parlamentar Të Gjelbër, Reinhard Bütikofer u shpreh për grupin mediatik, Funkemediengruppe, se ai do ta përshëndeste, nëse Timmermans do të zgjidhej kreu i KE-së, kurse Weber president i Parlamentit Europian. Edhe kreu i grupit socialdemokrat në PE, Jens Geier, tha se “është inkurajuese që parimi i kandidatit kryesor funksionon. Krahas kreut të Komisionit Europian, krerët e shteteve dhe qeverive duan të bien dakord edhe për emrin e kryetarit të Këshillit të BE, atë të presidentit të Bankës Qendrore Europiane, si edhe të Ngarkuarit për Politikën e Jashtme në BE.
Marrë nga DW