Nga Blerim Kore
Tradita e pasur dhe zhvillimi i turizmit po e kthen jugun e vendit në një qendër kombëtare dhe më gjerë të përgatitjes së prodhimeve të ndryshme tradicionale. Tashmë jo vetëm në Gjirokastër por edhe në Tepelenë dhe Përmet funksionojnë qendra të përgatitjes dhe tregëtimit të suvenireve dhe prodhimeve karakteristike. Në to vizitorët vendas dhe të huaj gjejnë suvenire turistike tërheqëse dhe me motive të larmishme të punuara në gur të skalitur, gdhendje druri, qëndisje me dorë, etj
Tepelenasit, rikthim në mjeshtëritë e traditës
Inisiativa të tilla të suksesshme përsa i përket artizanatit dhe përgatitjes së suvenireve dhe prodhimeve karakteristike tashmë nuk funksionojnë vetëm në Gjirokastër por edhe në zonën e Tepelenës. Megjithëse ato kanë profil personal dhe familjar sërish po kontribuojnë jo vetëm për mbajtien gjallë të traditës dhe rritjen e vizitueshmërisë së këtyre zonave por edhe për punësimin e punëkërkuesve të ndryshëm. Këto inisiativa kanë bërë të mundur punësimin në mjeshtëritë tradicionale të personave të papunë dhe kryesisht të moshave të reja. Aktualisht në qytetin e Tepelenës është i konsiderushëm numri i grave të cilat realizojnë punime karakteristike në qëndisje me dorë të cilat preferohen jo vetëm në tregun vendas por edhe në vendet fqinje. Tashmë çentrot, mbulesat e tavolinave, tantellat e realizuara me mjeshtëri nga qendistaret tepelenase hijeshojnë jo vetëm shtëpitë dhe mjediset e punës në këtë qytete por edhe në zona të ndryshme të vendit madje edhe në shtete fqinje si Greqi dhe Itali.
Qëndisja tradicionale si mundësi punësimi
Për të ndihmuar inisiativat në mjeshtërinë e qëndisjes me dore si dhe pasjen e zhvillimit cilësor të tyre në të ardhmen shoqata “Nucleus Albania” organizoi disa takime me qëndistaret tradicionale në Gjirokastër dhe Tepelenë. Fillimisht artizanet pjesmarrëse në këto takime u njohën me veprimtarinë e “Nucleus Albania” dhe kontributin e kësaj organizate për mbështetjen e bizneseve të ndryshme. “Puna jonë bazohet mbi metodën bërthamë e cila synon mobilizimin e ndërmarrjeve individuale dhe në anën tjetër stimulimin e proceseve të zhvillimit organizativ në dhomat dhe shoqatat e biznesit”, pohon drejtorja ekzekutive e shoqatës, Valbona Paluka. Përgjatë bashkëbisedimit me qendistaret tradicionale në qytetin e Tepelenës përfaqsuesit e “Nucleus Albania” i kanë njohur artizanet me metodën bërthamë dhe dobishmërinë e punës së përbashkët në prodhimin e qëndisjeve tradicionale dhe sigurimin tregut për to. “Ky është takimi i parë që ne zhvillojmë në Tepelenë por ai do të pasohet edhe nga të tjera në të ardhmen me qëllim që ju të keni një aktivitet sa më cilësor dhe fitimprurës”, u shpreh në këtë takim Valbona Paluka, drejtore egzekutive e shoqatës.
Artizanati nxitje për turizmin në Tepelenë
Falë ndihmesës së “Nucleus Albania” qëndistaret tepelenase çelën edhe një minipanair me prodhimet e tyre karakteristike në qëndisje ku binin në sy tradita dhe motivet e larmishme popullore të kësaj zone. Fatime Lushaj një prej qëndistareve me përvojë në Tepelenë pohon se prej vitesh ajo ushtron këtë mjeshtri tradicionale. “Së bashku me shumë shoqe të tjera ne realizojmë punime në qëndisje me dorë të cilat po tërheqin edhe vëmendjen e të huajve. Domosdoshmëri për këto lloj punimesh ngelet sigurimi i tregut”, pohon qëndistarja Fatime. Ndërkohë për qendistaren Afërdita Shehu nisma të tilla ndihmojë për promovimin e punimeve të qëndisjes me dorë që realisohen nga gratë tepelenase të cilat janë cilësore dhe me motive të larmishme. “Në qoftëse në të ardhmen ne do të mbështetemi, atëherë qëndisja me dorë do të tërheqë edhe turistët e huaj në Tepelenë”, pohon ajo. Pjesmarrëset në këto takime kanë shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me shoqatën “Nucleus Albania” duke synuar zgjerimin e tregut dhe realizimin e produkteve më cilësore në të ardhmen. “Duke u përshirë në organizimet e shoqatës dhe zbatimin e metodës bërthamë biznesi ynë do të ketë më shumë sukses në të ardhmen”, shprehen qëndistaret tepelenase. Përfshirja e shoqatës “Nucleus Albania” dhe zbatimi i metodës bërthamë edhe ne veprimtari të tjera të biznesit turistik dhe me gjerë në zonën e Jugut do të mundësontë nxitjen e zhvillimit të bizneseve të ndryshme, çeljen e vendeve të reja të punës. rritjen e të ardhurave për komunitetin dhe në tërësi zhvillimin ekonomik të kësaj zone. /tesheshi.com/