“Javë e Gruas” në Kosovë ka startuar me një takim të grave asambleiste të komunave nga Rajoni i Prishtinës, ku anëtarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu – Kodra, iu drejtua atyre me një rezyme të rolin të grave deputete në avancimin e barazisë gjinore.
“Ne po bëjmë përpjekje që të rrisim përfshirjen dhe fuqizimin e gruas në Qeveri, komuna dhe në të gjithë sektorët. Për këtë arsye ne kemi qenë të vendosura t’i themelojmë grupet e grave në komuna, kemi insistuar në kandidimin dhe përkrahjen grave për pozita të rëndësishme, kemi zhvilluar shumë aktivitete për promovimin e të drejtave të gruas, fuqizimin ekonomik etj”, theksoi znj. Blerta Deliu – Kodra.
Në takim të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, i cili tha se ndikimi i grave nga politika dhe shoqëria civile duhet të depërtojë në çdo familje. Ai përmendi faktin se në Komunën e Fushë Kosovës 50% e të punësuarve janë gra.
Kurse zyrtarja për barazi gjinore, Lendita Dervisholli, theksoi se në kuadër të “Javës së Gruas” të grupeve të grave nga Rajoni i Prishtinës po fillohet me këtë tryezë , ndërsa do të vazhdohet me takimin me gratë në biznes, gratë në zonat rurale, si dhe panairin e prodhimeve të grave nga rajoni etj.
Këtij takimi, që përkrahet nga OSBE-ja , iu drejtua edhe znj. Sanja Mihajlloviq nga OSBE-ja, e cila theksoi se Projekti për promovimin e barazisë gjinore në bashkëpunim me Grupin e Grave Deputete do të ketë përkrahje të vazhdueshme nga OSBE-ja./tesheshi.com/