Në vitin 1405, një eunuk musliman kinez, Zheng He, u nis në të parin nga shtatë udhëtimet në perëndim të Kinës përmes oqeanit indian. Përgjatë 30 vjetëve të ardhshëm, në komandë të flotës më të madhe në botë të financuar nga perandori Ming, ai lundroi në bregun lindor të Afrikës dhe në zonat e thella të gjirit Persik. Deri këtu, mesa dihet, gjithçka është e vërtetë.
Por, ka njerëz që besojnë se ai shkoi shumë më larg – dhe një hartë është arsyeja. E titulluar “harta e përgjithshme e botës së integruar”, ajo duket të jetë një kopje e shekullit të 18-të që pretendon të tregojë botën që zbuloi Zheng He. Nëse është reale, harta rishkruan historinë, pasi në të tregohet se ai ka lundruar rreth e qark botës dhe, pjesa më provokative, se ai ka zbuluar Amerikën më shumë se 70 vjet përpara Kolombit.
Harta u zbulua në vitin 2001 kur një avokat nga Shangai, Liu Gang, thotë se e bleu atë nga një tregtar lokal për rreth 500 dollarë. Ai beson se harta provon se Zheng lundroi në ujërat rreth dy poleve, dy Amerikave dhe Mesdheut, e deri në Australi.
Në vitin 2003, Gavin Menzies e përdori hartën si provë për librin e tij “1421: viti kur Kina zbuloi botën”. Përvijimet e kontinenteve në hartë janë të dallueshme menjëherë. Disa aspekte janë: bluja me vija të holla është pjesë e traditës hartografike të Kinës, sikundër janë dhe përshkrimet me tekst të vendeve. Harta ka detaje impresionuese. Ajo tregon dy hemisferat e botës, një pjesë konvencionale për të përshkruar tokën e rrumbullakët në letrën e sheshtë. Konturet e Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut janë të qarta, ashtu siç janë edhe lumenjtë që rrjedhin nga shumë brenda tokës. Mund të shohim Arktikun. Dhe Himalajet, në këmbët e të cilave ka lindur Zheng Hu. Ato janë shënuar si malet më të larta në botë.
Janë këto elementë të detajuar që në fakt, hedhin dyshime mbi hartën. Vetëm europianët e paraqisnin hartën në këtë mënyrë. Eksploratorët europianë përmbushën udhëtime të tilla përgjatë kursit kohor të qindra vjetëve, krahasimisht me 30 vjetët e udhëtimit të Zheng He, që e bën pothuajse të pamundur që udhëtimet e tij detare të kenë një qasje kaq specifike edhe për rrjedhën e lumenjve. Arktiku paraqitet së pari në një hartë kineze Ming vetëm në vitin 1593. Dhe renditja për malet më të larta u etiketua si e tillë vetëm në shekullin e 19-të.
“Kjo hartë është krejtësisht pa kuptim”, thotë profesor Timothy Brook nga universiteti “British Columbia”. Ai beson se ajo që ne kemi këtu është një kopje e ndonjë harte europiane nga fillimi i shekullit të 17-të. Por sërish është interesante, për shkak të historive të lidhura me të dhe legjendave më të fundit që rrethojnë Zheng He. Ai ishte me siguri një marinar i madh, por kishte mbetur gjerësisht në harresë deri në fund të viteve 1990 kur historia e arritjeve të tij u ringjall dhe ai u përkujtua si një hero kombëtar. Ashtu si Brook e vendos këtë: “Perëndimi kishte një Kolomb, dhe kinezët kishin nevojë për një të tillë”.
Debati për vërtetësinë e hartës është emblematik i argumenteve aktuale për rolin e Kinës në skenën botërore. Presidenti Xi Jinping e mban Zheng He si një nga inovatorët e mëdhenj të Kinës dhe një shembull të shkëmbimeve të saj paqësore e të hershme me vendet e tjera. Ai zbuloi Amerikën, ai i përmbushi udhëtimet e veta si një frymëzim për një rrugë të re mëndafshi detare që tashmë po promovohet për të zgjeruar tregtinë kineze dhe ndikimin e saj jashtë vendit.
Edhe pse Kolombi dhe Zheng He të dy udhëtuan në dete, qëllimi i tyre ishte krejtësisht i ndryshëm. Misioni i Kolombit ishte tregtar, ai i Zheng He ishte diplomatik: ai ishte dërguar të sillte në Kinë të dërguarit nga vende të tjera për të kryer nderimet e tyre ndaj perandorit të ri, Yongle, që uzurpoi pushtetin nga nipi i vet dhe kishte nevojë të gjente një rrugë për të pohuar legjitimitetin e tij.
Me përfundimin e jetës së Zheng He, eksplorimet e Kinës në detra të largët përfunduan gjithashtu. Në këtë kohë kishte një perandor të ri me më pak nevojë për të financuar ekspedita të kushtueshme. Për qindra vjetët që pasuan, Kina qëndroi në territoret e veta. Çfarë do të kishte ndodhur nëse flota kineze do të lejohej të vazhdonte një nga rravgimet më të mëdha në histori?
Në vend të lundrimeve, ndërsa Kolombi hapi rrugën e tij drejt botës së re, Zheng He vdiq në qetësi – në det apo në shtëpi, nuk dihet – dhe shumë pak jashtë Kinës e njohin emrin e tij.
Përshtatur nga “The Economist”
Përgatiti:Juli Prifti – /tesheshi.com/