Siç dhe pritej, kreu demokrat Basha e ka lidhur përvjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha me aktualitetin politik. Duke njesuar ish-udhëheqësin komunist me kreun e qeverisë sot, atë kohë nja anti-enverist i thekur që mu për këtë akuzohej si anarkist nga PD e kohës, pra Rama, Basha bën thirrje për rrëzimin e këtij të fundit.
“Sot përkujtojmë 20 shkurtin 1991, ditën kur shqiptarët u bashkuan dhe shembën jo thjesht një statujë, por simbolin e diktaturës më të egër të Europës, të etur për Liri dhe Demokraci, me ëndrrën më të madhe ‘Shqipëria si gjithë Europa’!
28 vite më pas, jemi përballë një sfide të ngjashme. Një regjim antidemokratik, oligarkik, i ardhur në pushtet nga blerja e votave përmes krimit të organizuar, po zhbën ëndrrën e shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa.
Ndonëse nuk kemi shtatore për të rrëzuar, çdo ditë për ne është 20 shkurt, derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit duke varfëruar dhe shtypur përditë shqiptarët. Qëllimi ynë është t’i japim atyre një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit. Vetëm kështu do ecim të sigurt drejt Europës”, shkruan Basha.
Kujtojmë se narrativa anti-komuniste mbetet ndër më të preferuarat e lidershipit demokrat në kohë përplasjesh politike me të majtën. /tesheshi.com/