Ka ndodhur ajo që pritej: kreyeministri Rama ia ka deleguar detyrën e Ministrit të Jashtëm, zëvëndësit të tij Genti Cakajt, djaloshit kosovar që u refuzua të dekretohej nga presidenti Meta. Rama e ka bërë publikisht këtë truk politico-institucional, sapo është futur si ministër i ri i Jashtëm në selinë e diplomacisë shqiptare, disa orë pas betimit në Presidencë.
“Unë i nënshkruari Edi Rama, i delegoj z. Gent Cakaj, detyrën e drejtimit të Ministrisë së Jashtme”, u shpreh Rama.
Më pas ka qenë vetë Cakaj që ka përcjellë të parin mesazh si kreu i ri i diplomacisë shqiptare, detyrë e dhuruar nga Rama.
“Ndjehem më i lëhtësuar sepse më është komunikuar detyra e lartë. Me kompetenca të deleguara nga Edi Rama, nën vëzhgimin e tij është një status i garantuar. Mosha e re është burim energjie. Pavarësisht sfidave të mëdha, Shqipëria qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik. Shqipëria qëndron më afër se kurrë për hapjen e negociatave.
Nuk di si ta falenderoj Ramën për besimin që më ka dhënë. Do të vazhdojmë me energji të reja dhe qasje proactive. Do të mbetemi forcë e paqes dhe stabilitetit…”, ishin fjalët e Cakajt.
Një mesazh pati dhe i larguari Bushati:
“Ministria që po lë pas është shumë herë më e mirë dhe solide për t’u përballur me sfidat e kohës se ç ‘ishte 5 vjet e gjysëm më parë. Po lë pas një ekip ambicioz që me dinjitet punon për Shqipërinë, bashkëpunon për një rajon më të begatë dhe kontribuon për një Europë më të sigurt. Asnjë nga këto arritje nuk do të ishte e mundur pa besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe të kolegëve të kabinetit qeveritar”, tha ish-ministri Bushati.
Tashmë pritet me interes formimi i Gjykatës së re Kushtetuese, ku Rama do “padisë” Metën për rastin Cakaj. /tesheshi.com/