Presidenti amerikan Donald Trump shkarkoi të martën këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, raporton AP.
Ai tha se e mori atë vendim sepse nuk ishin dakord për një numër çështjesh.
“Unë e njoftova John Bolton mbrëmë se shërbimet e tij nuk ishin më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. Unë kundërshtova me forcë shumë prej propozimeve të tij, ashtu si njerëzit e tjerë në administratë”, postoi presidenti amerikan në Twitter.
“Unë kërkova dorëheqjen nga John (Bolton), të cilin ai më dha këtë mëngjes. Unë e falënderova për shërbimin e tij. Javën tjetër unë do të emëroj një këshilltar të ri të Sigurisë Kombëtare.”
Bolton iu përgjigj atij, gjithashtu në Twitter, duke shkruar se ai kishte ofruar dorëheqjen të hënën, “dhe Presidenti Trump mw tha: ‘Ne do të flasim për këtë nesër'”.
Largimi i Bolton është një surprizë për shumë njerëz në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm një orë para se të cicëronte Trump, zyra e mediave njoftoi se Bolton do të bashkohej me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin në një konferencë për media.
Bolton ka qenë gjithmonë një zgjedhje e çuditshme për këshilltarin e tretë të sigurisë kombëtare të Trump, thanë agjensitë, duke shtuar se ai përshtatet keq me politikat izoluese të “America First” të shpallura nga presidenti amerikan. /tesheshi.com/