Është kjo ndër batutat e njohura te “Në fillim të verës”, ku një nëpunës i regjimit fashist në Shqipëri fton shqiptarët që të punësohen në frontet e ngritura nga Italia. Më pas, pasi zbret nga podiumi dhe takon një mik, thotë frazën e mësipërme.
Nuk ka skenë më të afërt me atë që sot kumton kryeministri Rama, duke u propaganduar sidomos emigrantëve një Shqipëri që nuk ekziston.
Ai fton shqiptarët që të kthehen? Po ku? Në një vend të depresionuar, ku jo thjesht fshatrat por dhe qytetet janë shndërruar në shkretina urbane, paçka rilindjeve urbane. Një ironi therrëse ka përfshirë Shqipërinë nën qeverisjen e tij, një Shqipëri plot paradokse, e cila vërtet e kuruar estetikisht, thelbësisht është degraduar dhe më keq akoma.
Pas 12 vitesh në pushtet, trishtimi social dhe ekonomik prevalon në më të shumtën e qyteteve shqiptare e pothuajse total nëpër fshatra, ku nuk ka detaj estetik që mund të ngjallë entuziazëm. Edhe në pastë bërë punë të mira, ajo që nuk ka bërë mirë, a më saktë ka bërë keq, duket se është ajo çfarë peshon më tepër te punët e qeverisjes socialiste.
Kthehuni, po ku dhe pse?
Fjala vjen, pse duhet të kthehet një çorovodas në Çorovodë?! Pse në burrels në Burrel?! Pse një ballshiot në Ballsh? Pse një rrëshenas në Rrëshen?! Dhe kjo pyetje sfiduese vlen për shumicën e qyteteve shqiptare, të shndërruara në të pajetueshme, edhe pse me pllaka rilindjeje urbane, ndonjë bojatisje apo dy-tre stolave dhe ndonjë lulishteje. Të pajetueshme nga thatësia ekonomike, e cila i ka çuar në depresion kulturor, social e shoqëror. Kësisoj dhe në shpopullim. Si mund të ftohen emigrantët për kthim në Shqipëri me joshjen se mund të hapin ndonjë restorant, a thua se restorantet janë “zbulimi i shekullit” për Shqipërinë?!
Pyetja me ulëritëse se kurrë sot është se kah po shkon Shqipëria. Në BE?! Shaka e hidhur kjo! /tesheshi.com/