PD e shndërroi në denoncimin më të madh politik një thënie të Mustafa Nanos në lidhje me ardhjen e PS-së në pushtet, duke ia atribuuar atë një “aleance qelbësirash”. Ndodhi kjo pak kohë pasi PD kaloi në opozitë dhe, në nervozitetin e humbjes së pushtetit, ishte Jozefina Topalli ajo që për herë të parë iu referua thënies së Nanos, si gjetjen më të duhur në portretizimin e pushtetit të ri.
Fjala “qelbësirë”, për shkak të konotacionit të rëndë fshikullues në shqipe, ishte një material i gatshëm për opozitën, huazuar nga Nano, për më tepër i konsideruar si i afërt me të majtën, për t’i dhënë dërrmën në akuza atyre që jua kishin marrë pushtetin me “një mijë shuplaka”, sipas një batute të Ramës.
Në fakt, thënia e Nanos u transformua. Ajo i përket një shkrimi në muajt e fundit të qeverisjes së Berishës, kritik pa dyshim ndaj njeriut që komentatori i njohur kurrë s’e ka honepsur, qyshse vendosi të ndahej prej tij si kreu i PD-së së Skraparit. Në shkrim nuk thuhej se po bëhet një aleancë qelbësirash për të rrëzuar Berishën, siç aludohet në narrativën demokrate, por thuhej se ia vlente edhe një aleancë me qelbësira për t’i dhënë fund qeverisjes së Berishës. Komplikohet akoma më shumë çështja nëse te “qelbësira” nënkuptohej LSI – se kush tjetër prej partive që po rreshtoheshin krah PS-së është më afër kësaj xanxe – pasi e tilla, kjo force, sot konsiderohet shpresa e PD-së për t’u rikthyer në pushtet.
E në lidhje me këtë të fundit, pra se mbi ç’prerogativa politike PD synon pushtetin, po nga Mustafa Nano ka buruar një tjetër thënie, e cila vizaton më së miri gjithë ç’ka përfaqësuar e ç’përfaqëson kjo forcë që nga themelimi, e që është mangësia më thelbësore e saj, defekti, deri dhe drama e saj politike.
“Më shumë synon pushtetin se sa idetë!” – tha Nano përballë Adi Krastës pak ditë më parë.
Nuk do shumë sforco për ta analizuar e kuptuar se ç’është ajo s’shkon te PD-ja, sidomos në raport me ambicien e shfrenuar për rikthim në pushtet. Në 7 vite opozitë, në gjithë zhurrmërimin e saj opozitar, shoqëruar nga aktet nga më ekstremet politike, ajo nuk ka mundur të ofrojë asgjë joshëse apo tërheqëse në fushën e ideve apo kauzave. E shkretuar në këtë drejtim, me zero produkt, e dalluar qartë kjo dhe në një ligjërim të shëmtuar, pa elegancë, pa intelekt, pa forcë bindëse, ajo ka një raport krejt të shprishur mes ngarrendjes drejt pushtetit dhe ideve se pse. Kjo do përbënte dhe “pyetjen e shekullit” për lidershipin demokrat deri në prag të 25 prillit nga çdo gazetar: për cilat arsye (ide, vizione, transformime, shtrat moral) e synoni apo e meritoni pushtetin?
Nga ana tjetër duhet kujtuar se po nga Mustafa Nano, po me një fjali, ka dalë dhe portretizimi i PS-së dhe PD-së në atë që i diferencon në aspektin negativ.
Kohë më parë, nga studioja e tij e “Provokacija”-s, ai do i drejtohej Grida Dumës: Ata (socialistët) janë të korruptuar, por ju (demokratët), jeni primitivë!
P.S. Për të gjithë ata që mund të mendojnë se shkrimi është një mbivlersim për Mustafa Nanon, duhet thënë se është në fakt një evidentim i një aftësie në të qëlluarit mbi diçka, mbi një aspekt të caktuar politik, ku një lumë debatesh nuk zgjidhin dot atë që mund ta zgjidhë një fjali e vetme. Por vetë Nano nga ana tjetër, është i diskutueshëm në shumë aspekte të tjerë të qasjeve të tij, hem politike, hem sociale, e sidomos fetare. /tesheshi.com/