Nga Donat Maloku
“Kapja e shtetit”, Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), protesta e opozitës që do të mbahet më 18 prill, 70 dosjet e dërguara në prokurori ndaj Isa Mustafës nga kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, publikimi i listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, formimi i Ministrisë së Veteranëve, mesazhi i ish kryeministrit Hashim Thaçi për opozitën, bojkoti i Kuvendit nga partitë opozitare dhe në fund emërimi i Blerim Shalës koordinator i bisedimeve me Serbinë ishin çështjet kryesore që karakterizuan seancën e së enjtes së Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi filloi me një orë vonesë, dhe kjo nuk i pëlqeu aspak deputetes së LDK-së Melihate Tërmkolli. Ajo për këtë i dha një vërejtje kreut të Kuvendit Kadri Veseli: “ Kryetar kam vërejtje në lidhje me fillimin e seancës, neve në ftesë na shkruan që séanca fillon në ora 10:00, ndërsa ju po filloni në 11:00. Është mirë të përmbaheni orarit” ka thënë Tërmkolli.
Ashtu siç edhe pritej që në fillim, seanca nisi me përpalsjet pozitë-opozitë. Konkretisht u ‘kapën’ kryeministri Isa Mustafa dhe deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, njëherit kreu i kësaj partie Visar Ymeri.
E gjitha nisi kur Ymeri tha se Mustafa ‘u kap’, apo kapi shtetin, që nga koha kur mori postin e kryeministrit apo edhe më herët kur ndaj tij u dërguan 70 dosje në Prokurori për kohën sa ka qenë kryetar i Prishtinës. Ymeri e pyeti Mustafën se “A e ka qëndrimin e njëjtë për SHIK-un si në vitin 2009-të”.
Kjo deklaratë nuk i pëlqeu aspak kreut të ekzekutivit, i cili reagoi shpejt, duke i thënë Ymerit jo 70, por 700 dosje dërgoni në prokurori, pasi siç tha, është koshient për punën e bërë në Komunën e Prishtinës”.
Sa i përket SHIK-ut, Mustafa i tha deputetit të “Vetëvendosjes”, se është mirë që me ja u bë një komision edhe SHIK-ut të “Vetëvendosjes”. “Njerëzve që po u veni kamera. Edhe krejt bashkë po i shtimë me një pako dhe po i hetojmë të gjitha SHIK-ët”, tha Mustafa.
Por, reagoi sërish Ymeri i cili tha se Mustafa e konfirmoj ‘kapjen e shtetit’, kur tha dërgoni sa të dëshironi dosje në prokurori.
Thaçi opozitës: Me zhurmë kurrë pushtetin s’keni me fitu
Pas përplasjes Mustafa-Ymeri, në foltore të Kuvendit doli ish kryeministri Hashim Thaçi, tani ministër i Punëve të Jashtme i tha opozitës se nuk do të mund të realizojnë qëllimet e tyre me shantazh, duke thënë se në Kosovë vota e qytetarit përcakton se kush do të qeverisë me vendin.
Opozitën e quajti të zhurmshme dhe të pa alternative, duke iu thënë: “Nëse vazhdoni kështu, kurrë pushtetin nuk keni me fitu”.
7800 ankesa të veteranëve
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Njohjen e Verifikimit të Statusit të Veteranëve, Invalidëve si dhe Pjesëtarëve të UÇK-së, Agim Çeku në seancën e sotme të Kuvendit ka bërë të ditur se kanë pranuar 7800 ankesa, respektivisht 15 për qind e aplikantëve janë ankuar pas publikimit të listave të veteranëve, ndërkaq i ka ftuar të pakënaqurit të ankohen në të gjitha instancat përkatëse.
Sa i përket manipulimit të listave, ai tha se statusin e çdo aplikanti e ka përcaktu komandantët e jo Komisioni. Ai tha se prej fillimi deri në fund ky proces është i zhveshur nga politika. Çeku propozoi të formohet Ministria e Veteranëve të Luftës, ose Ministria për Promovimin e Vlerave të Luftës. Sipas tij, kjo ministri do t’i zgjidhte problemet e shumta të cilat kanë të bëjnë me adresimin për luftën e Kosovës, në vitin 1999.
Por, me Çekun, nuk u pajtua deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli, e cila tha se ka një politizim të s’kajshëm me listat e veteranëve. “Kanë mbetur grupacione që nuk janë pjesë e këtyre zhvillimeve. Nëse po duam me çmuar luftën, ta çmojmë ose lëreni krejt. Kanë mbetur luftëtar të lirisë jashtë këtyre listave. Kanë mbetur jashtë listave njerëz që kanë dhënë jetën e tyre”, deklaroi Tërmkolli.
Opozita bojkotoi seancën për afat të pacaktuar
Tri partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Nisma për Kosovën përmes një konference të mbajtur, pasi përfundoi pjesa e parë e seancës, njoftuan se nuk do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit.
Arsyeja pse opozita mori këtë vendim ishte mosfutja si pikë e rendit të ditës, diskutimi për peticionin me mbi 35 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kuvendit propozoi që ky peticion të futet në rend dite, por nuk mori votat e mjaftueshme nga deputetët.
Çështje me rëndësi në seancën e sotme ishte edhe zgjedhja e Blerim Shalës koordinator në delegacionin e Qeverisë së Kosovës për bisedime me Serbinë.
Për këtë çështje reagoi deputeti Nait Hasani i cili tha se bisedimet janë çështje e Qeverisë dhe ajo do të duhet të vendosë për personat që i zhvillojnë këto bisedime dhe jo Kuvendi i Kosovës./tesheshi.com/