Erion Veliaj dhe Halim Kosova do të jenë dy emrat që do të përballen në garën për Bashkinë e Tiranës. Dy emrat u prezantuan thuajse në të njëjtën kohë nga krerët e partive, përkatësisht Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Rama
“Kemi finalizuar edhe procesin e Tiranës. Për këtë do të flasim edhe më gjatë. Por shkurtimisht kandidati ynë për Tiranën do të jetë Erion Veliaj.”- tha kryeministri Rama, njeherazi kryetari i Partisë Socialiste në një dalje të shkurtër për mediat pas takimit që ka zhvilluar me deputetët e PS në ambientet e selisë rozë.
Ndërsa Partia Demokratike ka shpalluar zyrtarisht Halim Kosovën, si kandidatin e opozitës për Bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës. Dr. Halim Kasova nuk është prezantuar në selinë e Partinë Demokratike, por tek lulishtja përballë Muzeut Kombëtar, për të ruajtur profilin e tij jopartiak dhe të pëlqyer nga qytetarët. Muajt e fundit të mandatit të qeverisë Berisha, Halim Kosova mbajti postin e ministrit të Shëndetësisë ndërsa për shumë vite ishte drejtor i spitalit “Mbretërsha Geraldinë”.
Basha
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se qyteti i Tiranës kërkon “një përqasje dhe një përkushtim të ri” dhe për këtë arsye, kandidati i PD-së do të jetë një mjek e jo një politikan. “Sot, i jap zë një ndjenje konsensusi të përgjithshëm që ka rrokur të djathtë e të majtë. Njoftoj një vendim që nuk i takon vetëm PD-së, por është zëri i mijëra qytetarëve të cilët kanë vendosur t’i besojnë qytetin e tyre një përqasjeje dhe përkushtimi të ri, që vjen duke zgjedhur një mjek dhe një politikan. Një njeri që i ka shërbyer qytetarëve dhe që ka luftuar klientelizmin: Halim Kosova”, deklaroi Basha.
Halim Kosova
“Falenderoj Partinë Demokratike që më kandidoi, falenderoj strukturat dhe qytetarët e Tiranës. E di sa punë duhet për ndryshimin, por jam i bindur dhe besoj që çdo njeri që ka mundësi të kontribuojë, duhet të punojë për ta çuar Tiranën tonë të dashur aty ku duhet”, tha kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës”, tha Halim Kosova.