Protagonizmi në Moto GP i takon tani një Ducati, që lë në hije Yamaha-n dhe Repsol Honda-n. Një javë pas fitores në Çmimin e Madh të Italisë, për Ducati-n vjen fitorja e dytë rresht, në Çmimin e Madh të Katalonjës.
Fitues në Barcelonë, ashtu si në Moxhelo, është Andrea Dovizioso, që tani e sheh veten në vend të dytë në renditjen sezonale, me vetëm shtatë pikë më pak se Maverick Vinales.
Dy pilotët e Honda-s, Marc Marquez dhe Dani Pedrosa, përfunduan në vend të dytë dhe të tretë.
Një tjetër Ducati do të vinte pas tyre, ai i ish-kampionit të botës, Jorge Lorenzo.
Pasdite e errët për dy pilotët e Yamaha-s. Rossi do ta përfundonte garën i tetë, e Vinales i dhjeti.
Vinales, Dovizioso, Marquez, Pedrosa dhe Rossi mbajnë pesë vendet e para në klasifikim, përkatësisht me 111, 104, 88, 84 dhe 83 pikë.
Gara e tetë e sezonit është pas dy javësh, më 25 qershor, në Holandë. /tesheshi.com/