Gati dy shekuj më parë, Franca u godit nga sulmi i parë kibernetik. Detajet që dolën në pah në atë kohë, shfaqin mësime edhe për kohët moderne.
WannaCry, virusi kompjuterik që kodon të dhënat dhe kërkon shpërblim për t’i zhbllokuar ato, goditi me mijëra kompjutera majin e këtij viti, duke bërë që disa spitale në Britani të mbylleshin. Nuk kalon asnjë javë që ndonjë kompani e madhe të mos pranojë se sistemet e saj janë thyer: Yahoo së fundmi, rrëfeu se i ishin kompromentuar 1 mijë llogari në një sulm të vitit 2013. Sulmet kinernetike janë një fenomen i jetës moderne, por historia e tyre shkon shumë më pas në kohë sesa mund të mendohet.
Rrjeti i parë i të dhënave kombëtare u ndërtua në Francë gjatë viteve 1790. Ishte një sistem mekanik telegrafi, që përbëhej nga rrjete kullash, që secila kishin nga një sistem të lëvizshëm krahësh prej druri në majë. Konfigurime të ndryshme të këtyre krahëve korrespondonin me shkronja, numra dhe të dhëna të tjera. Operatorët në secilën kullë rregullonin krahët për të përputhur konfigurimin e saj me atë të kullës më të afërt, që vëzhgohej me anë të teleskopit, duke bërë që përmes lëvizjeve të dilnin të dhëna të përputhshme.
Mesazhet tashmë mund të dërgoheshin shumë më shpejtë sesa letrat, duke fluturuar nga njëri cep i Francës në tjetrin në pak minuta. Rrjeti ishte i rezervuar për përdorim qeveritar, por në vitin 1834, dy bankierë, François dhe Joseph Blanc, shpikën një mënyrë për ta përdorur atë për qëllimet e tyre. Vëllezërit Blanc tregtonin bono qeveritare në qytetin e Bordosë, ku të dhënat për lëvizjet e tregut donin disa ditë të arrinin nga Parisi me anë të postës me kuaj. Në varësi të postës, tregtarët që do ta merrnin informacionin më parë, mund të bënin para duke paraprirë këto të dhëna. Disa u përpoqën të përdorin korrierët apo transportin me pëllumba, por vëllezërit Blanc gjetën mënyrën për të përdorur në vend të këtyre linjën e telegrafit. Ata i dhanë rryshfet operatorëve të kullave të telegrafit në qytetin Tours për të përfshirë me qëllim gabime në mesazhet rutinë të qeverisë që dërgoheshin përmes rrjetit.
Sistemi i kodimit të telegrafit përmbante një simbol “fshirës” që instruktonte kullën më të afërt të injoronte shkronjën e mëparshme. Shtesa e një shkronje fallco që tregonte për drejtimin e lëvizjeve të tregut në ditën pararendëse, ndjekur nga simboli “fshirës”, donte të thoshte se teksti i mesazhit ishte i pamanipuluar kur ishte shkruar për t’u dërguar në fund të linjës së kullave. Por, ky symbol shtesë mund të shihej nga një operator tjetër: një ish-punonjës telegrafi që vëzhgonte kullën jashtë Bordosë me teleskop dhe ia kalonte të dhënat vëllezërve Blanc. Mashtrimi u zbulua vetëm në vitin 1836, kur operatori manipulues në Tours u sëmur dhe i tregoi gjithçka një mikut të vet që ai shpresonte ta rekrutonte për punën në vend të tij. Vëllezërit Blanc dolën përpara gjyqit, edhe pse nuk mund të dënoheshin pasi nuk kishte ligj kundër keqpërdorimit të rrjetit të të dhënave. Por, keqpërdorimi pionier i rrjetit francez nga vëllezërit Blanc mund të klasifikohet si sulmi i parë kibernetik në botë.
E gjitha kjo histori sjell një mësim për ditët e sotme, ndërsa shumë qeveri, kompani e individë përballen me mashtrime të këtij lloji. Ndërhyrjet në rrjet, shpesh kalojnë të padiktuara për shumë vjet dhe shumë prej tyre, mund të mos pikasen asnjëherë. Malware ashtu si edhe WannaCry dalin në titujt e parë të shtypit pasi ndikimi i këtyre viruseve është shumë i dukshëm, dhe paraqet një panoramë të kujdesshme të shkallës së problemit me sigurinë kibernetike. Pjesa më e madhe e sulmuesve, si vëllezërit Blanc, nuk e reklamojnë praninë e tyre.
Së dyti, pavarësisht teknologjisë, siguria është si një zinxhir dhe njerëzit janë gjithnjë nyja më e dobët.
Sistemi francez i telegrafit në sytë e botës së sotme, mund të duket dëshpërimisht jo i sigurtë, me kullat e veta që mund të shiheshin nga kushdo. Por, dobësia thelbësore e tij qëndronte tek operatorët, diçka që mbetet e vërtetë sot e kësaj dite. Duke u fokusuar në sigurinë si një sfidë pastërtisht teknologjike, bota lë pasdore një pjesë të rëndësishme të panoramës: ajo varet edhe nga vendosja e drejtë e incentivëve socialë dhe ekonomikë.
Së fundmi, sulmet në rrjetet e të dhënave nuk prekin vetëm rrjetet moderne – ato janë po aq të vjetra sa edhe rrjetet. Rrëfimi për vëllezërit Blanc është një kujtesë se me çdo shpikje të re, njerëzit do të gjejnë gjithnjë mënyrën për ta keqpërdorur. Ky është një aspekt i vjetër i natyrës njerëzore dhe teknologjia nuk mund të bëjë gjë për ta rregulluar.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/