Perceptimit të përgjithshëm dominues se droga po bën kërdinë në Shqipëri duke u mbjellë me shumicë ngado, autoritetet i janë përgjigjur me bilance shifrore, gjë që përbën dhe armën kryesore të kryeminsitrit Rama në përgënjeshtrimin e akuzave për masivizim të kultivimit të kanabisit.
“Policia e Shtetit ka asgjësuar mbi 2.409.206 bimë narkotike të zbuluara e të asgjësuara, prej të cilave 463.000 kubikë”, u deklaruar kështu nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Cako, nën prezencën e ministrit Saimir Tahiri, ambasadorit italian, Alberto Cutillo dhe Komisionit të Sigurisë, në konferencën përmbyllëse të misionit të fluturimeve me avion të posaçëm të Guardia di Finanza dhe Universitetit të Dytë të Napolit.
Më tej, u dhanë këto shifra: Gjatë gjithë kësaj periudhe janë kryer 1592 procedime penale të nisura, prej këtyre 400 autorë të identifikuar dhe 248 të arrestuar. Numërohen gjithsej 1260 operacione policie.
Po ashtu, në këto operacione janë angazhuar 8.900 forca policie me 2.630 mjete. Kostoja e këtij operacioni është mbi 520 mln lekë.
Policia konfirmoi se janë mbledhur më shumë se 4700 informacione operative dhe në 225 raste informacionet operative janë shkëmbyer me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët.
Por e dhëna më suprizuese ishte ajo që sipas Guardia di Finanza-s, 99.8% e bimëve narkotike është shkatërruar
Guardia di Finanza konfirmon se 99.8% e sipërfaqes së fotografuar me bimë narkotike në Shqipëri është shkatërruar.
Statistikat vijnë nga partneri i Policisë Shqiptare, sipas të cilit, për vitin 2016 parcelat e identifikuara me bimë narkotike në vendin tonë kanë qenë 2.086. Prej tyre, plot 2082 janë asgjësuar.
Nga 42 misione fluturimi, në dy fluturimet e fundit të kryera me qëllim konfirmimin e asgjësimit të bimëve narkotike, Guardia di Finanza konfirmon gjithashtu se bimët e evidentuara kanë qenë 0 (zero)
Ndërkohë, tek të dhënat zyrtare, u ofruan dhe detaje të tilla si fjala vjen fara e kultivuar në këtë kohë dhe karakteristikat e saj:
Fara e kanabisit të kultivuar së fundmi në Shqipëri prodhon më shpejt, por më pak. Përveç sasisë së bimëve të identifikuara, një vëzhgim i takon llojit të farës së përdorur të kanabisit.
Në Shqipëri, perballe aksioneve te vazhdueshme të Policisë, janë rritur rastet e kultivuesve që kanë mbjellë një variant fare kanabis 45-ditore, e cila prodhon 7-8 herë më pak se ajo normale. Pra edhe pse në shifra numri i bimëve kanabis mund të jetë i lartë, prodhimtaria e shpejtë e farës 45-ditore është më e vogël.
Policia Italiane publikoi sot të dhënat mbi luftën kundër kultivimit të narkotikëve në Shqipëri, aplikuar fushave të agrikulturës, pyjeve, hidrologjisë dhe planifikimit urban, përmes platforms Decision Support System të integruar me Geo-Data-Base të Benecon. Në vijim të monitorimeve ajrore të pesëvjeçarit të fundit, për të njëjtën sipërfaqe tokësore të monitoruar dhe orë fluturimi, teknologjia e përdorur ka qenë gjithnjë më e lartë. Konfiguracioni i platformës arrin një risoluzion shumë të lartë spektral, gjeometrik dhe fotografik, përmes së cilës mund të përpunohen të dhëna objektive dhe shkencërisht të verifikueshme në çdo moment.
Sipas raportit të Policisë Italiane për periudhën 2012-2016, vetëm për këtë vit parcelat e raportuara me kanabis në vendin tonë kanë qenë 2086, shtrirë në një sipërfaqe prej 213,4 hektarësh. Prej saj, plot 99.8% është shkatërruar nga Policia Shqiptare, referon Guardia di Finanza.
Por paçka katyre të dhënave, në opinion mbizotëron ideja fikse se nën qeverinë “Rama”, kultivimi dhe trafikimi i drogës ka marrë revansh të paparë. Por arsyeja qeveritare gjykon ndryshe. Ajo thotë së droga aty ka qenë, mbillej e trafikohej rregullisht dhe jo vetëm në Lazarat, porse policia i mbante të dhënat e fsheshura. Ndërsa tani, perceptimin se vendi është mbushur me parcela kanabisi, po e sjell publikimi i shifrave nga vetë policia. /tesheshi.com/