Dritan Ylli, ish-kolegu ynë gazetar, ç`prej 15 vjetësh na është arratisur drejt politikës. Ai sot drejton inspektoriatin e Punës, duke qenë dhe anëtar i Komitetit Drejtues të LSI-së.
Dhe është intesante të dihet se si i ndodhi ai “kalim ylberi”, që nga raca e raportuesit e denoncuesit të konvertohej në racën e realizuesit në terren të asaj ç`ka denonconte me “penë e bojë”. As Ilir Metën nuk e ka kursyer.
Por ç`mendon sot? Si i sheh realitetet e shkuara, edhe nga pozita e gazetarit? Si kanë ndryshuar perceptimet mbi politikën, po aq sa mbi gazetarinë dhe si i komenton akuzat që i bëhen sot Ilir Metës…
Intervistoi: Ermir Hoxha
Një karrierë disavjeçare në gazetari dhe më pas në politikë. Si ndodhi dhe a pati natyrshmëri ky kalim nga një kampi i informim denoncimit në atë të realizimit?
Profesioni i gazetarit në përgjithësi është shumë më afër se profesionet e tjera me politikën. Puna e përditshme në një media, pavarësisht nëse është ajo në median e shkruar apo elektronike, ka një lidhje të pashmangshme me politikën. Eshtë një marrëdhenie simbiotike, qe në një demokraci funksionale nuk jeton dot pa njëra- tjetrën, media pa politikën dhe për më tepër politika pa median. Marrëdhënia me njerëzit i bashkon më shumë.
Nëse bëj një retrospektive të viteve, sot mund të them që kalimi nga media në politikë për mua ka qenë një proces që erdhi krejtësisht natyrshëm. Unë jam bërë pjesë e politikës pas gjashtë viteve karrierë dhe punë të përditshme në sektorë të ndryshëm të medias së shkruar. Për tre vite kam qenë gazetar në terren, në tre gazeta të përditshme, duke raportuar lajme dhe informacione të natyrës ekonomike dhe sociale. Vite shumë të vështira, por i kujtoj me nostalgji.
Ata kanë ndikuar shumë në formimin dhe pjekurinë time për të parë thelbin e gjërave. Dhe nuk jam ndjerë i lodhur për të zbuluar të vërtetën, pavarësisht nëse do të bëhej e njohur për publikun apo për arsye të editorit mund të mbetej thjesht brenda mureve të redaksisë, ose në bllokun tim të shënimeve.
Më pas, karriera ime në gazetari ka vijuar në pozicion drejtues si Zv.kryeredaktor në gazeten më të madhe në vend, Panorama dhe kam menaxhuar sektorin e analizës dhe komenteve në këtë të përditshme. Gjatë këtyre viteve arrita të kuptoj se puna dhe marrëdhënia me njerëzit është shumë e rëndësishme, është as më pak dhe as më shumë por një mision, përmbushja e të cilit natyrisht vijon edhe sot. Kjo ka qenë një tjetër fazë e karrierës që ka ndikuar në personalitetin tim, për të kuptuar më shumë përtej të dukshmes.
Në këtë fazë mendoj që filloi të formësohej tek unë ideja dhe deëhira për të mos qëndruar thjesht tek konstatimi i gazetarit, por për të qenë më shumë aktiv dhe pse jo, ndikues për drejtimin e gjërave. Pra, për të pasur më shumë rrugë dhe mundësi zgjidhjeje për problemet e ndryshme të njerëzve, që i konstatoja pafundësisht gjatë punës së përditshme në media.
Dhe këtë mundësi ta jep politika. Kjo joshje e ëmbël që të tërheq gjithnjë e më shumë dhe duket si një grope thithëse që po fute njërën këmbë, vështirë të dalësh, u shoqërua dhe me ofertën politike që më erdhi në atë kohë. Ishin vitet 2000 dhe kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta shihej si një model frymëzimi dhe motivimi për të rinjtë. Po kështu, dhe FRESSH (Forumi i Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë) ishte kthyer në një organizatë rinore shumë tërheqëse për të gjithë të rinjtë që kërkonin të kontribuonin dhe të thonin fjalën e tyre në politikë.
Mbaj mend që ndodhesha si gazetar në njërën prej konferencave të FRESSH-it të Tiranës, të mbajtur në Muzeun Historik Kombetar. Aty pata mundësinë të njoh nga afër simbolin e shtysës së angazhimit të të rinjve në politikë, Monika Kryemadhin, e cila më propozoi të angazhohesha në FRESSH. Më pas në një takim me Ilir Metën, më erdhi dhe një propozim konkret, për të qenë dhe zëdhënës i FRESSH, meqë vija nga fusha e gazetarisë.
Ndaj, them që ka ardhur shumë natyrshëm kalimi nga gazetaria në politikë, jo se e kam pasur ndonjëherë qëllim në vetvete të merresha me politikë, por u lidhën bashkë dëshira për të qenë zë më i fortë në vendimmarrje dhe njohja me njerëzit e duhur në politikë. Këta dy nxitje të mëdha shkakësore më krijuan bindjen se kishte ardhur momenti për t`u bërë pjesë e politikës aktive. Prej atëherë e deri më sot që kanë kaluar 15 vite, e kam dashur këtë angazhim dhe nuk jam penduar, ngaqë gjithnjë më ka mbajtur në kontakt me njerëzit, duke u përpjekur pa u lodhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre.
Megjithatë, i kam bërë vetes një premtim të heshtur, që sido që të jetë rruga e së ardhmes në karrierën time në politikë, nuk do ëe ndahem në asnjë çast nga gazetaria. Pse jo, një ditë të bukur të kthehem me shumë dëshirë dhe kënaqësi në zyrat e redaksisë së ndonjë gazete, në atë mjedis që ndjej gjithnjë nostalgji.
Nga vetë natyra e profesionit, gazetaria ka plot mllef ndaj politikës dhe kjo e bën që nganjëherë ta lëshojë gjuhën frerësh. Në pozitën e politikanit, apo dhe të shtetarit, siç tani jeni, a ju ka ndodhur ta kafshoni për çfarë mund të keni thënë karshi saj?
Si gazetarët, ashtu edhe politikanët, kush më mirë e kush më keq, i thonë dhe i konstatojnë të mirat dhe të këqijat e gjërave. Kjo është pika që i bashkon. Por ndërsa detyra e gazetarit shkon deri tek konstatimi apo denoncimi përmes shprehjes “kështu duhet të jetë”, politikani ka për detyrë ta bëjë, ashtu “siç duhet të jetë ”. Por këtu nis dhe vështirësia. “Nga e thëna në të bërë, ka në mes një det të tërë”, thotë urtësia e popullit. Për të qenë më konkret në përgjigje, po kujtoj një episod nga ditët e gazetarit ekonomik të terrenit. Kam qenë te Gazeta Shqiptare, në vitet 1999-2000, kur infrastruktura e vendit filloi të ndryshonte krejtësisht.
Kjo falë vullnetit të jashtëzakonshëm dhe këmbënguljes së kryeministrit Meta, madje deri në ndjekjen personalisht prej tij të ndërtimit të çdo metri në disa segmente të rëndësishme rrugore kombëtare. Por, nëse do hapim disa numra të gazetës të atyre viteve, do gjejmë raportime kritike të miat për punën e disa strukturave, që përmes vërtetësisë së fakteve që kisha zbuluar, rezultonte një shtyrje e kohës së përfundimit të kontratave. Atëherë isha zë kritik, por sot, si pjesë e politikës dhe drejtues i një institucioni, them që nuk është e lehtë. Realizimi i të tilla ndërmarrjeve dhe reformave shuëe të rëndësishme, për zhvillimin e vendit, janë të vështira dhe kërkojnë shumë punë, madje dhe sakrificë.
Mos mendoni se u bëra aq politikan race që të justifikoj klasën politike të deritanishme për këtë tranzicion të stërzgjatur. Shqipëria duhet të kishte progresuar më shumë drejt zhvillimit dhe për këtë zvarritje fajin kryesor e ka klasa politike. Por jo se nuk është punuar; nuk është bërë puna ashtu siç duhet. Ose më keq akoma, iu janë vënë barriera të qëllimshme punëve të mira që nisnin.
Kam qenë i bindur në ato vite që punoja në media, dhe vijoj të jem edhe sot e kësaj dite, se me Ilir Meten kryeministër, nëse nuk do të ishte ndalur nga faktorë të nxitur nga lufta për pushtet, sot 15 vite me pas, Shqipëria do të ishte një vend shumë më i zhvilluar dhe integruar ne BE. Ilir Meta njeh shumë mirë prioritetet dhe rrugët që duhen ndjekur për ta çuar një vend përpara, ka vendosmëri dhe vullnet, dhe ndryshe nga të tjerë liderë politikë, ka kurajon dhe di të korrigjojë gjithnjë ato gjëra që duhen bërë më mirë.
Ndaj, për të vijuar mendimin, është kollaj për të folur, por është shumë vështirë për të realizuar atë që thuhet. Dhe kjo e ndan një politikan të përgjegjshëm që flet pak dhe punon shumë për vendin, nga politikani që di t’ju flasë shumë bukur njerëzve, por bën pak për to.
Unë kam dy vite në drejtim të Inspektoriatit Shtetëror të Punës. Viti i kaluar ka qenë viti më zbulueshmërinë më të madhe të punës informale. Gjatë vitit 2014, inspektorët e punës kane zbuluar rreth 10 mijë punonjës në të zezë, të pasiguruar, dhe viti u mbyll me më shumë se 100 mijë kontribues të rinj në skemën e pagesës se sigurimeve shoqërore. Kjo falë edhe vetëndërgjegjësimit të sipërmarrësve privatë, për të siguruar punonjësit. Edhe gjatë këtij viti, shifrat na tregojne se po punohet me shumë seriozitet për të nxjerrë nga kthetrat e skllavërisë të kohëve moderne shumë qytetarë në marrëdhënie pune. Ky fenomen po luftohet për të shkuar drejt minimizimit te tij.
Por për ty kthyer te pyetja juaj, një gazetar, (apo une nëse do isha në vend të tij), do të bënte fare mirë pyetjen: pse është kaq e lartë shifra e punonjësve në të zezë? Pse është kaq i përhapur ky fenomen në Shqipëri? Madje mund të bënte një analizë dhe të konkludonte që puna në të zezë mund të zhduket në një kohë të shkurter. Edhe unë dikur, si gazetar i sektorit ekonomik do e bëja këtë analizë. Por, sot si drejtues i institucionit përgjegjës them me bindje që nuk eshte kaq e lehtë dhe nuk mjafton thjesht dhe vetëm konstatimi apo edhe denoncimi gazetaresk.
Është një sfidë që kërkon vullnet të padiskutueshëm, siç dhe ekziston aktualisht një bashkëpunim te disa strukturave shtetërore, siç po ndodh me shumë sukses këto muaj. Për më tepër kërkon kohën e duhur dhe një ndërgjegjësim më të madh të shoqërisë, duke e konsideruar një plagë që e vuan, jo vetëm një qytetar në marrëdhënie pune, pra një punonjës, por gjithë shoqëria dhe gjithë shteti shqiptar.
Duke qëndruar tek politikani dhe shtetari, për ç`do ta kritikonit gazetarinë, si ish-“banor” i saj në raport me politikën?
E vërteta të bën të lirë. Ndaj dhe ish-kolegët e mi do të doja të ishin sa më të vërtetë, për të qenë më të lirë. Shoh me keqardhje sot, ish-kolegë, që në cilësinë e opinionbërësve dalin në studio televizive dhe nuk thonë të vërtetën. Komentojnë mbi thashetheme duke mos e vrarë mendjen fare, për t`i faktuar nëse janë të vërteta apo jo. Shoh një rrezik të madh, që të tillë dhënës të opinonit, nga kolltuqet komode të Sheraton-it apo Rogner-it gjatë ditës, të çlodhur dhe të mbarsur në studiot e TV-ve, veçanërisht të enjteve në darkë, kërkojnë të na kthejnë gënjeshtrën në vlerë apo virtyt.
Një gazetar i mirë nuk duhet ta lejojë të ndodhë. Gazetari duhet të ketë fakte të vërteta që të ngrejë një denoncim apo të bëjë një koment. Përndryshe nuk çnderon vetëm veten e tij, por profesionin që i përket. Në këtë vend është krijuar përshtypja se politikanët gënjejnë. Nuk do të doja kurrë që një e tillë përshtypje të krijohej për gazetarët, sepse atë ditë fjala e lirë, si ngrehina më madhështore e demokracisë, do të shembej për të mos u ngritur më. Ndaj, disa ish-kolegë të mi duhet të dalin nga “robëria” e gazetarisë me porosi, apo më keq akoma e gazetarisë së paguar, për të gjuajtur dhe goditur me porosi të njërit apo tjetrit. Duhet të kthehen aty ku e kanë vendin dhe misionin, tek e vërteta si e tillë.
Po të ktheheshin në gazetari, çdo të bënit më mirë? Diçka që që nuk e keni bërë dhe që politika apo të qenit në brendësi të “barkut” të punëve të shtetit jua ka përçuar si refleksion?
Ajo që akoma i mungon medias shqiptare në tërësi, është jeta e njerëzve të thjeshtë. E dhënë aq shumë pas politikës dhe politikanëve, gazetaria ka harruar gjithnjë qytetarin e zakonshëm.
Nëse do të kthehesha një ditë, do më pëlqente të merresha me reportazhe social-ekonomike. Ka tek-tuk ndonjë emision të tillë, që sjell jetën e njerëzve të thjeshtë në cdo skaj të vendit tonë, por janë shumë pak. Unë do ta kisha ëndërr realizimin e një cikli emisionesh, reportazhe për të zbuluar Shqipërinë dhe shqiptarët e vërtetë, me të mirat dhe të këqijat, kudo që ndodhen.
Të vijmë tek diçka konkrete: kreu i LSI-së, Ilir Meta, pra i forcës politike ku ju aderoni, është vënë së fundi në një akuzë, e ardhur nga media, të cilët opozita politike po e shndërron në kauzë. Si ish-gazetar profesionist, ka diçka që nuk shkon në raport me ish-kolegët e angazhuar në këtë pikë?
E kam ndjekur me vëmendje gjithë sulmin që i është bërë pas pushimeve verore liderit të LSI-së, Meta. Një sulm i ngritur krejtësisht mbi të pavërtetën, i bazuar në asociacione thashethemesh, që në një vend normal, me një media dhe politikë normale, është e çuditshme që të ndodhin. Një lojë e rrezikshme thashethemnaje e medias së përdorur nga politika, apo politikës së përdorur nga media.
Shpjegimi i kësaj loje është kuptuar që në nisje: frika dhe paniku nga rritja e pandalshme e mbështetjes së popullit për LSI-në. Segmente të caktuara të medias u bënë pjesë e lojës, jo të gjithë, apo jo? Kjo e bën edhe më të qartë qëllimin. Dhe cfarë bënë këta analistë “të zënë rob”, që në mënyrë krejtësisht qesharake, mblidheshin njëri me tjetrin, në përpjekje të dëshpëruara për të komentuar mbi një të pavërtetë të madhe, mbi një thashathemnajë?
Asgjë më shumë se turbullimi i ujërave, për të nxjerrë gjoja të vërtetën e cështjes CEZ “lakuriq”, duke u përpjekur për ta mbuluar përmes goditjes, të targetit kryesor, Ilir Metës dhe LSI-së, për rrjedhojë. Pra, i gjithë stërmundimi i ish-kolegëve, nuk ishte zbulimi i të vërtetës, por goditja sa më shumë e Ilir Metës. Dhe kjo nuk është as profesionale, as e ndershme për një gazetar në shërbim të publikut.
Nga ana tjetër, më ka ardhur shumë mirë që pjesa më e madhe e ish-kolegëve, ditën të ruajnë të qartë si rrezja e diellit, dinjitetin dhe integritetin e gazetarit dhe analistit profesionist dhe të pavarur në këtë mjegull thashethemnaje. Politika sot nuk është më dypolare. Ai që mendon ndryshe, gënjen veten. Por mesa duket media akoma nuk është ndërgjegjësuar për këtë dhe vazhdon të jetë në funksion të dypolaritetit. I shërben njërës ose tjetrës palë. Dihet që në vendin tonë ka TV apo gazeta, të ashtuquajtura të pavarura, që deri dje ishin në shërbim të PD-së, sot kanë shtrirë më shumë duart nga PS-ja për hir të pushtetit. Linja editoriale e tyre e vërteton këtë gjë.
Unë ngre një pyetje: a mund të thotë kush sot dhe dje që filan TV apo gazetë është apo ishte e LSI-së? Ka një përgjigje: LSI dhe lideri i saj kanë mbajtur gjithnjë marrëdhënie korrekte dhe miqësore me median. Por jo vasale dhe jo të karakterit të robërimit reciprok. Asnjë linjë editoriale nuk e vërteton këtë. Për disa vite, unë kam menaxhuar marrëdhënien e LSI-së dhe të Metës me median. Kanë qenë kohë të vështira, me censurë të dyfishtë. Por më ka ndihmuar shumë në punën time vetë Meta, për faktin se ishte një mik i mirë për gjithë gazetarët dhe njerëzit e medias në tërësi. Asnjëherë nuk ka ndodhur që t`i nënvleftësonte, apo më keq akoma t’i fyente ish-kolegët e mi dhe për këtë i jam mirënjohës. Gjithnjë ishte i gatshëm dhe i papërtuar për të dhënë intevistat e kërkuara. Por ama asnjëherë nuk më ka kërkuar të ndikoj tek ndonjë ish-koleg, tv, apo gazetë për të mos thënë të vërtetën; apo për më tepër që të më kërkonte heqjen apo vënien me hatër të ndonjë lajmi a kronike, te ndonjë TV apo gazetë “mike”.
Prandaj, nisur dhe nga zhvillimet e muajve të fundit, unë mendoj që nuk ka arsye që media të ndikohet nga politika dhe dinamizmi i saj.
Mjafton të jetë objektive dhe të shkojë vetëm pas së vërtetës. Përndryshe e përsëris që fjala e lirë dhe media si dritare që e përcjell, do jenë në rrezik. Dhe bashkë më të edhe demokracia akoma e brishtë në Shqipëri.
Drejtoni sot Inspektoriatin e Punës, ndërkohë që prej vitesh përflitet se gazetaria punon pothuajse e gjitha në të zezë, ndërkohë që mëton që me anë të denoncimit të vërë në shina ligjin, shtetin, shoqërinë një paradoks i frikshëm apo jo? A do ketë “rilindje” dhe në këtë drejtim?
Në radhë të parë, pa asnjë pikë hiprokrizie, por me mirënjohje dua të falënderoj ish-kolegët dhe të gjithë median dhe forumet mediatike për mbështetjen që më kanë dhënë në rritjen e njohjes dhe autoritetit të Inspektoriatit të Punës.
Kanë qenë aleatë të vlefshëm për mua, sidomos në transmetimin e mesazhit për ndërgjegjësimin e punonjësve, për të denoncuar rastet e shkeljes, por edhe të drejtuesve të ndërmarrjeve, për të trajtuar më mirë punonjësit.
Për të qenë i sinqertë, nuk kam pasur ndonjë denoncim direkt të ardhur në Inspektoriatin e Punës nga ndonjë gazetar.
Nisur nga përshtypja, që në media ka shumë gazetarë që punojnë pa sigurime, unë gjithnjë kam bërë thirrje për të na i bërë të ditura, duke ruajtur dhe anonimatin. Kemi bërë disa kontrolle dhe inspektime, ku kemi marrë dhe masat e duhura në varësi të shkeljeve.
Nga ana tjetër, mendoj që gazetarët janë një grup shumë i fuqishëm interesi, dhe duhet të organizohen më shumë si sindikatë, për të mbrojtur të drejtat e tyre. Inspektoriati i Punës do jetë gjithnjë i gatshëm për të vendosur sipas ligjit, cdo marrëdhënie punësimi, qoftë dhe në media.
Dhe në fund, sa ju ndihmon gazetaria për të qenë një shtetar i suksesshëm?
Besoj se ma ka mprehur intuitën për të kuptuar më mirë prioritetet. Sikurse kam marrë një edukatë të mirë pune, që më ka vlejtur për çdo pozicion që kam pasur deri tani. Detyrimi i gazetarit për të konfirmuar një lajm me dy apo më shumë burime, më ka bërë që sidomos në politikë të mos besoj lajmin e prurësit më të parë, pa e verifikuar dhe më shumë. /tesheshi.com/