Propozimet ambicioze të presidentit lënë shumë pyetje pa përgjigje dhe ekspertët janë skeptikë në lidhje me detajet.
Bota nuk është mjaftueshëm për Donald Trump: ai e ka shpallur hapësirën “destinacionin e ardhshëm të madh amerikan” dhe u argëtua në Kongres duke thënë se “gjurmët amerikane në botë të largëta nuk janë një ëndërr e tepruar”.
Më herët, presidenti urdhëroi agjencinë t’i ridrejtohej hënës. “Këtë herë, jo vetëm që do të vendosim flamurin tonë dhe do të lëmë gjurmët tona, por do të vendosim themelet për një mision eventual në Mars dhe ndoshta, një ditë, në shumë botë të tjera përtej”, tha ai, përpara se të nënshkruante politikën e re për NASA-n.
Misioni i mundshëm në hënë vjen nga politika nën presidentin Xhorxh Bush, i cili në vitin 2004 i kërkoi agjencisë të “fitonte territor të ri atje”. Pasardhësi i tij, Barack Obama, në vend të këtij misioni, i dha prioritet një misioni të vitit 2030 në Mars, një program që ka ecur përpara me milimetra për shkak të nivelit të ulët të financimit.
Propozimet e Trump lënë shumë pyetje pa përgjigje – afatin kohor, buxhetin, qëllimet specifike dhe metodën – dhe ekspertë të politikave hapësinore shprehen me optimizëm të kujdesshëm që shkon deri në skepticizëm të thellë për detajet.
“Mund të jetë një hap domethënës, në mos historik – nëse ndiqet deri në fund”, thotë John Logsdon, profesor emeritus në Universitetin “Xhorxh Uashington” dhe themelues i Institutit të Politikës Hapësinore. “Prova qëndron tek ëmbëlsira dhe ëmbëlsira është nëse do të ketë financime të mjaftueshme”.
Me vite të tëra, NASA ka punuar për një kapsulë të thellë hapësinore dhe sistemin e saj të lëshimit hapësinor, raketës më të fuqishme që është zhvilluar ndonjëherë, duke pasur Marsin në mendje, edhe pse plani i saj aktual përfshin edhe një ndalesë hipotetike në orbitën hënore – Portën e Thellë Hapësinore, një stacion hapësinor që do të mund të përdorej për misione të largëta apo për zbritjen në sipërfaqen e hënës.
Casey Dreier, drejtor i politikës hapësinore në shoqërinë Planetare, një grup lobimi, thotë se NASA mund t’i përshtasë planet e veta për t’u fokusuar tërësisht në zbritjen në hënë.
Ai shton: “Në fund, mund të zbërthehet: çfarë kërkohet në hënë. Mund të nxjerrim ujë nga sipërfaqja, të nxjerrim karburant për raketat, apo të ngremë depo për furnizime. Por është njësoj si të ngresh një stacion gazi në mes të shkretëtirës së Alaskës përpara se të kesh ndërtuar rrugën. Nuk ka asnjë model ekzistues biznesi në hënë”.
NASA do të ketë të paktën pak konkurrencë. Kina ka dërguar tre zbritës robotikë në hënë që prej vitit 2007, e ka shumë më tepër në mendje, ndërsa “Moon Express”, një ndërmarrje private amerikane me synimin të fitojë një çmim prej 30 milionë dollarësh të ofruar nga Google, ka caktuar startin në vitin 2018 dhe ambicjen për të ngritur miniera në hënë.
Por, sipërmarrës të tillë janë ndeshur tashmë me probleme rregullatore, më saktësisht me Traktatin e Hapësirës, nënshkruar në vitin 1967 që thotë se asnjë vend nuk mund të ketë pretendime mbi ndonjë trup qiellor dhe se qeveritë duhet të mbikqyrin aktivitetin e organizatave jo-qeveritare apo bizneseve në hapësirë. Në vitin 2015, Obama nënshkroi një ligj që u jepte kompanive “të drejtën e burimeve në hapësirë” dhe më herët këtë vit Kongresi propozoi krijimin e një “Zyre për Tregtinë Hapësinore”. Por për momentin, legjislacioni, si ai i shfrytëzimit të asteroideve për nxjerrje mineralesh, mbeten shumë përpara teknologjisë aktuale.
Si Bush dhe Obama përpara tij, Trump ka inkurajuar kompanitë private të mbushin boshllëqet. “SpaceX” dhe “Blue Origin”, zotëruar nga miliarderët Elon Musk dhe Jeff Bezos po zhvillojnë raketat e tyre “të rënda” dhe programe të turizmit hapësinor. Në shkurt, Musk njoftoi se dy qytetarë privatë kishin blerë bileta për një udhëtim rreth hënës në vitin 2018, edhe pse “SpaceX” nuk ka kryer kurrë një mision fluturimi me ekuipazh e as e ka testuar raketën e vet të rëndë. Testi i parë i fluturimit është caktuar për në janar, dhe një zëdhënëse refuzoi të jepte detaje të reja për misionin në hënë.
Por Kongresi, që cakton buxhetin e NASA-s, mban pa ndarë pjesën më të madhe të tortës për ambiciet e agjencisë, pasi ëndërrat për bazë në hënë kërkojnë para. Pas apelit të Xhon Kenedit për të vendosur astronautë në hënë, NASA mori një rritje buxhetore me 89 për qind; agjencia i shpenzoi 207 miliardë dollarët me misionet Apollo.
Buxheti aktual i agjencisë është ulur në rreth 19 miliardë në vit së fundmi, rreth 0.5 për qind e shpenzimeve federale, krahasuar me 24 për qind që shpenzohen për sigurinë sociale apo 15 për qind për mbrojtjen.
“Ne mund të shpenzojmë një qindarkë në vend të gjysmës së qindarkës dhe të nxjerrim më shumë”, thotë Alan Steinberg, shkencëtar politik në Universitetin Rice që studion politikat e NASA-s. Por ndërsa Kenedi mund të apelonte bazuar në ndjesitë e Luftës së Ftohtë, thotë ai, “tani është vërtet e vështirë për çdo administratë, republikane apo demokrate, që të justifikojë financimet hapësinore”.
Ekspertët nuk presin me padurim. “Eshtë shumë e vështirë të nënshkruash një deklaratë dhe është diçka vërtet shumë e ndryshme ta zbatosh atë”, thotë Smith. “Gjithnjë kanë dalë bosh gjatë rrugës”.
Pjesë e problemit është koha, thotë Steinberg: misione të tilla duan vite.
“Edhe nëse Trump thotë ‘ne do shkojmë në Mars’, kjo nuk do të ndodhë në mandatin e tij”, thotë ai. “Duke pasur parasysh sasinë e krediteve që merr çdo politikan, unë mendoj se merr edhe të njëjtin lloj problemesh me shpenzimet e mëdha për hapësirën”.
Kongresi pritet ta finalizojë buxhetin e vitit 2019 në shkurt. Ndërkohë, NASA nuk ka administrator apo zëvendës. Senati ka ngecur në vend me javë për zgjedhjen e Trump në krye të NASA-s, kongresmenin republikan Jim Bridenstine.
Nëse konfirmohet, politikani konservator, i cili ka kritikuar shpenzimet për kërkimet në fushën e ndryshimeve të klimës, do të jetë zyrtari i parë i zgjedhur që emërohet administrator i NASA-s pa pasur karrierë në shkencë apo brenda agjencisë. Por senati që duhet të votojë dhe të paktën një republikan si Marco Rubio, ka artikuluar kundërshtinë.
Trump ka propozuar shkurtime në shkencën për tokën dhe ka anuluar një mision për një asteroid, mirëpo NASA ka edhe plane të tjera. Misione si ai i teleskopit hapësinor mbeten në punë e sipër, dhe verën e ardhshme, agjencia do të nisë një mison tjetër për zbritjen në mars, për të studiuar pjesën e brendshme të planetit. Ndërsa projekton një anije hapësinore për të hyrë në atmosferën e diellit. Në gusht, anija kozmike “Osiris Rex” duhet të arrijë në asteroidin Benni ku pretendon të marrë material e ta sjellë në tokë.
Ndërkaq, anija kozmike “Kepler” gjuan ende planetë të rinj ndërsa mjetet teknologjike enden në qasjet më të largëta që janë eksploruar ndonjëherë nga njerëzimi. Avokatët e kësaj shkence si Buzz Aldrin, njeriu i dytë që eci në hënë, vijojnë të nxisin presidentin të mbështesë eksplorimin e hapësirës.
“Pafundësi dhe përtej saj!”, bëri shaka Aldrin me presidentin qershorin e këtij viti.
“Ka pafundësi këtu”, u përgjigj Trump. “Mund të jetë pafundësi. Ne nuk e dimë. Por mund të jetë. Duhet të jetë diçka. Por mund të jetë edhe pafundësi, kështu?”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/