Nga Ylli Pata
A është Kosova një shtet i pavarur sot, 7 vjet pas shpalljes juridike të pavarësisë së saj, dhe a është shtet funksional që kontrollon të gjithë territorin e saj? Kjo është pyetja që shtrohet çdo ditë vazhdimisht që prej asaj dite të acartë të shkurtit 2008.
Por në fakt vetë ajo ditë historike, ka peshën e saj të madhe në librin jo shumë të pasur të ditëve të shënuara për shqiptarët.
Të “ngopur” për mbi 30 vite me imazhin që ka ushqyer “Nëntori i Dytë” me Isën që vonohet për arsye madhore dhe me të dërguarin e tij të plagosur pranë Kavajës, dhe me marrjen e delegimit nga Shpend Dragobija, u nisëm në Prishtinë që më 14 shkurt. Natyrisht për mos u gjendur befas nga evenimentet që mund të ndodhnin çdo moment. Askush nuk e dinte ç`ishte shtatëmbëdhjeta dhe ç’përbënte ajo. Në fakt askush nuk e kishte caktuar 17 shkurtin. Pavarësia ishte një enigmë.
17 shkurti 2008 nuk do të eksizstonte normalisht pa 15 dhe 16 shkurtin, kjo jo thjesht për ditët kalendarike që paraprijnë datën historike të shpalljes së pavarësisë, por edhe për ngjarjet e ngarkuara që mbartin. Bashkë me një ekip të gazetës ‘Shqip’ të përbërë nga gazetari i mirënjohur Fatos Baxhaku dhe Drejtori i Administratës Bajram Peçi, normalisht edhe fotoreporteri Bevis Fusha, u dërguam si ekip për të mbuluar pavarësinë e Kosovës.
U ndamë në dy grupe për të jetësuar ditarin e pavarësisë në dy nga zonat më emblematike të Kosovës martire. Një grup i përbërë nga Fatos Baxhaku dhe Barjam Peçi në Krushë (të Madhe e të Vogël) dhe një tjetër i përbërë nga unë në Prekaz.
Kjo zgjedhje u bë duke studiuar me detaje të gjithë peshën që kanë mbajtur këto fshatra në rezistencën shekullore të shqiptarëve për të drejtat e tyre. Baxhaku përcolli mrekullisht sentimentin e krushanëve, ndërsa unë megjithëse shkoja për të disatën herë në fshatin simbol jo vetëm të Drenicës, u shokova në Kullën e Jasharajve, ku peligrinazhi mbarëshqiptar i kishte kaluar përmasat e lumit njerëzor. Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës aso kohe mbërriti aty, dhe pas homazheve në varret e heronjve të Prekazit me në krye Adem, tha në mëngjesin e 16 shkurtit se pavarësia do të shpallet të nesërmen.
Por njerëzit e ardhur anëkend trevave shqiptare kërkonin të dinin më shumë për këtë pavarësi, ndërkohë që një fantazëm endej rrotull varrezave të Prekazit, dhe kërkonte të sfidonte flamurin gjigand kuqezi në kodrën mitike të fshatit.
Fantazma e ndarjes së Kosovës po sfidonte shtetin e ri ende pa lindur. Dhe dikush e pyeti Hashim Thaçin: Do të lëmë ndonjë pëllëmbë tokë? Kujdes se e mbrojmë deri në fund! Kryeministri foli edhe me gjuhën e ndërkombëtarëve: “Integriteti territorial i Kosovës nuk preket”.
Lumi njerëzor mori frymë thellë dhe u nis për në Prishtinën e mbipopulliar ku tashmë kishte nisur festa. Me lodra me dajre, me cyrle e me iso, me lidhje direkte vertigjinoze të cilat përcillnin jo vetëm me intensitet por edhe me kakofoni çdo gjë, qoftë e parëndësishme.
Në Prishtinë oksigjeni po kthehej në diçka shumë të çmuar në ambjentet publike të hotel Grandit apo edhe vendeve të tjera publike, ku njerëzit ndalonin për tu ngrohur, ndërkohë që temperaturat i kalonin minus 15 gradë.
U fol për një mundësi incidenti në tre komunat e veriut, që normalisht ishin të vogla dhe jo festëprishëse. Hashim Thaçi shpalli në një konferencë shtypi dy ditë para, ndërsa të gjithë prisnin pavarësinë, një politikë [për minoritetet, një lloj Badinteri plus, pra që serbët jo vetëm do ta kenë shtet të tyre Kosovën, por do të ishin qytetarë të favorizuar.
Ndërkohë, në një zyrë në sheshin Nëna Terezë, njerëz të shumtë mbushin formularët për pasoshët e Republikës së Serbisë. Shumica natyrisht ishin shqiptarë. Askush nuk i dha rëndësi fjalës së Thaçit, pasi të gjithë prisnin pavarësinë, por ajo deklaratë ka qenë padyshim “pazari” final për shtetin e ri të Kosovës. Një shtet që nuk kishte rrugë kthimi por brenga ishte që të mos ishte si një “Palestinë e re” por një “young nations”, një new born.
Në rrugët e qytetit bëhej politikë për flamujt, atë kuqezi dhe atë blu të Dardanisë që i pëlqente shumë presidentit simbol, Ibrahim Rugova. Por njerëzit që e dinin ç`ndodh natyrisht që nuk e shihnin këtë zënkë folklorike si ecenciale. Shteti i ri i Kosovës, kishte lindur me një “republikë serbska” në miniaturë brenda tij, në Graçanicë, Prizren, Fushë Kosovë, por më e rëndësishmja dhe më e rrezikshmja në Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan.
Një “minë me sahat” politkike që mund të shpërthejë kurdo nëse nuk do të kihej kujdes. Një këshilltar i Kryeministrit u tha gazetarëve atë ditë që BE do t`i vendosë kusht Beogradit njohjen e Kosovës që të integrohet. Dialogu i nivelit të lartë artikulohej që atë ditë pra 6 vjet më parë.
Po Trepca? Ishte pyetja që i`u shtrua normalisht zëdhënëses së atëhershme të qeverisë Vlora Çitaku, nga unë në një bisedë jo formale korridoreve të Kryeministrisë. Asht kry! Po si? Mirë! A po a? Tung çdo të mirë, lidhemi!
Një gazetar korrekt dhe njeri shembullor, miku im i ndjerë Hamdi Sopa, që në atë kohë punonte në zyrën e shtypit të qeverisë, ku ndihmonte të gjithë reporterët, nuk u alarmua shumë, ndryshe nga unë për këto pyetje. “S`ka dert Ylli, ta kryjmë këtë punë*, pavarësinë, po ju duhet t`i paraprini që sot në shkrimet tuaja. Madje fort. Eshtë detyra e mediave. Vërtetë janë problem të mëdha. Veç pak, ja se po del votimi, u kry! Afrohu bre të përqafoj. Edhe nëse vdesim, në këtë ditë kemi qenë dëshmitarë dhe nuk është gjë e vogël”.
*Ky shkrim i dedikohet të ndjerit mikut tim Hamdi Sopa, gazetarit profesionist dhe njeriut shembullor