Nga Harilla Koçi
Në 30 dhjetor të vitit 2007, së bashku me mikun tim, piktorin Ilmi Bani, shkuam për një vizitë tek banesa e Serie Alimerkos, pinjolle e një familjeje të njohur në Vlorë, por jo vetëm.
Babai i saj, Yzeir Ismaili(Alimerko), arkeologu i parë shqiptar, që kishte studiuar në Universitetin e Firences(Itali), është pushkatuar nga gjermanët së bashku me Skënder Muçon, avokat dhe ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe Zako Mezinin.
Por, e moshuara(që tashmë nuk jeton), kishte edhe një histori të pasur personale. Në moshën 12 vjeçare u internua në kampet gjermane të përqëndrimit, duke qenë femra e vetme shqiptare që përjetonte kalvarin e vuajtjeve naziste në një kamp të tillë, në territorin e Rajhut….
…. Hyjmë në apartamentin e vogël, që ndodhet në një pallat në një nga lagjet e vjetra të qytetit.
Nënë Seria, është një e moshuar, që, vështirë t’ja përcaktosh moshën. Vetë ajo nuk e thotë se sa vjeçe është. Nuk e pranon që është plakur. Thotë se, njeriu është aq sa ndihet. Dhe në të vërtetë, ajo ndihet e fortë. Ndoshta edhe sepse ka kaluar tallaze në jetë. Përherë ka qenë e përballur me vështirësi, që, rrallë mund të hasen tek njerëz të tjerë me atë denduri sa në jetën e kësaj nëne. Ka qenë një nga mësueset e njohura në Vlorë, aq sa, shumëkush nga prindërit, kërkonte ta çonte fëmijën e vet në klasën që do të jepte mësim, mësuese Seria. Por, kjo ishte pjesa e dytë e jetës së saj, që, gjithsesi, kishte në vetvete, ankthin e një të shkuare, ku, të afërmit dhe origjina, ndërthureshin në një realitet të ndryshëm nga ajo që ënëdërronte ajo dikur.
Nënë Seria tashmë jeton e vetme, në një apartament tepër të thjeshtë, në një godinë dy katëshe, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Vlorës. Derën e shtëpisë e hap një grua pothuajse e moshuar, që qëndron me të pjesën më të madhe të ditës. E zonja e shtëpisë, na prêt me krahë hapur. Pak kohë më parë, ka bërë një ndërhyrje në sy dhe, shikimi i është dobësuar. Por, ajo, gjithsesi, na ndjek në të gjitha lëvizjet. Ka një fizionomi, që vazhdimisht i reflekton një pamje të qeshur. Madje, është kjo veçanti e tipareve të saj, që, shpesh, në të shkuarën, e ka vënë përballë situatash të vështira. Edhe kur është tepër e mërzitur, ajo duket sikur buzëqesh së brendshmi.
Nënë Seria, është pinjolle e fisit të njohur të Alimerkove, nga fshati Tragjas i Vlorës. Është bijë e një familjeje fisnike dhe me emër. Babai i saj, Yzeir Ismaili(Alimerko), është një figurë mjaft e njohur. Ka qenë arkeologu i parë shqiptar, që ka përfunduar studimet në Universitetin e Firences. Por, ajo që, e ka bërë më të njohur emrin e Ismailit, është fakti se, ai është një nga ata që, u pushkatuan nga nazistët gjermanë, së bashku me Skënder Muçon, intelektualin e shquar, avokatin, kryetarin e Partisë Socialdemokrate dhe Zako Mezinin. Ngjarja, që nisi me arrestimin nga gjermanët dhe u mbyll me pushkatimin e tyre, mjaft e njohur, por që u fsheh nga historiografia komuniste, tregohet për herë të parë, nga një prej atyre që e përjetuan atë.
Nënë Seria, e kujton të gjallë atë, jo vetëm se aty pa për herë të fundit babanë e saj, por edhe se, ajo ishte zanafilla e një jete të tmerrshme në një kamp përqëndrimi gjerman. Sapo i kishte kaluar të 12 vitet e jetës së saj. Prej disa vitesh jetonte në Korçë. Babai i saj, Yzeiri ishte larguar me forcë nga fashistët italianë, të cilët, e kishin dërguar atë së bashku më familjen në qytetin juglindor. Pikëpamjet dhe aktiviteti i tij antifashist, ishin një sinjal për pushtuesit. Yzeiri kishte qenë drejtues i Muzeut të Vlorës, si dhe mësues në shkollën e mesme tregtare të këtij qyteti. Ai kishte përfunduar studimet e mesme dhe ato të larta, në Itali. Pas diplomimit në vitin 1929, u kthye në Vlorë. Ishte një nga intelektualët e njohur të këtij qyteti dhe më gjerë, arkeologu i parë shqiptar. Formimi i tij, nuk mund të pajtohej me pushtimin e Shqipërisë, prandaj dhe italianët e larguan nga Vlora.
Në Korçë, punoi si drejtues i Liceut të këtij qyteti, deri në gushtin e vitit 1944.
Nënë Seria tregon se, në gusht të vitit 1944, u nisën nga Korca për në vendlindje, ku ndodheshin të afërmit e tyre. Një fatkeqësi që kishte pllakosur tek të afërmit, ishte edhe shkaku i këtij udhëtimi, së bashku me babanë e vëllanë.
Qëndruan disa ditë në Dukat tek halla. Në 10 gusht babai, duhej të shkonte në Vlorë, për t’u interesuar për fatin e xhaxhait, që kishte humbur jetën në internim, i burgosur nga gjermanët. Udhëtuan me kamionin e një shoferi nga Vlora. Automjeti ishte mjaft i vjetër. Në karrocerinë e tij, dukeshin mbeturinat e gëlqeres, që duhej të ishte transportuar ato ditë. Përvec saj dhe babait, ndodhej edhe gjyshja, rreth të 70-ave. Gjatë rrugës qëndruan dy herë, për shkak të një defekti në motorr. Kur arritën në afërsi të Urës së Izvorit, në qiell u shfaq një aeroplan gjerman. Kamioni qëndroi. Udhëtarët u munduan të fshiheshin ku të mundeshin. Qëndruan kështu, për aq kohë sa, mjeti fluturues u largua. U rikthyen sërish për të vazhduar udhëtimin. Në kamion ndodheshin edhe Skënder Muçoja e Zako Mezini, të cilët kërkoheshin nga pushtuesit, për shkak të aktivitetit të tyre antifashist. Në afërsi të urës, i ndali një patrullë gjermane. Ja si e përshkruan nënë Seria këtë moment..
“Nuk do ta harroj oficerin gjerman. Ishte i shkurtër dhe mbante syze. Ishte mjaft i prerë dhe i ashpër. Zbritën të gjithë njerëzit nga makina. Oficeri, që duhej të kishte informacion të saktë, urdhëroi të ndaheshin. Skënder Muçoja, babai, Zako Mezini dhe unë, së bashku me gjyshen, na veçuan. Të tjerët qëndruan më vete. Pasi na kontrolluan, ne na morën me një makinë të vogël, ndërkohë që, të tjerët i hypën në një kamion. U ngjitëm në një kënd të fshatit Tragjas, ku, gjermanët kishin vendqëndrimin e tyre.
Na vendosën në një çadër të madhe. Pastaj, nisën t’i merrnin në pyetje. Unë dridhesha dhe qaja. Isha pak muaj më shumë se 12 vjeçe. Gjyshja mundohej të më qetësonte. Babai po ashtu. Por, ai qëndronte mjaft i qetë. Në një moment, Skënder Muçoja, i tha babait se, me sa dukej nuk i kishin mirë punët. Nuk dihej se çfarë fati do të kishin. Ndërkohë, gjermanët morën nga çadra Skënderin për ta pyetur në vendin ku qëndronte komandanti i tyre, oficeri me syze.
Gjatë kësaj kohe, Zako Mezini, që kishte qenë nxënës i babait në shkollën tregtare, mjaft i shqetësuar pyeti se, a do t’i vrisnin. Por, mori një përgjigje mohuese nga babai që vazhdonte ta ruante qetësinë. Pas disa orësh, na morën të gjithëve me makina dhe na çuan në Vlorë, në komandaturën gjermane, që ishte afër Kombinatit në Skelë. Na futën në dy dhoma biruca, që kishin qymyr. Mua dhe gjyshen na ndanë nga babai. Unë isha mjaft e trembur. Skënder Muçoja, më mori pranë dhe duke më përkëdhelur kokën, më tha se, unë do të shpëtoja. Ai më la porosi që të njoftoja një mikun e tij për arrestimin e tyre. Kjo ishte edhe biseda e fundit me të. Nuk u takuam më as me babanë. Natën na morën të gjithëve për të na çuar në Tiranë, ndërkohë që, ata të tre i kishin nisur më parë, por i kishin pushkatuar rrugës, në afërsi të fshatit Bubullimë(Lushnje)”.
Nis kalvari i vuajtjeve në kampet naziste të përqëndrimit
Por, Seria e vogël, do ta mësonte shumë më vonë vdekjen e babait të saj. Së bashku me gjyshen dhe të arrestuarit e tjerë, i dërguan në burgun e Tiranës, ku i ndanë në qeli mjaft të vogla, aq sa mezi merrnin frymë. Dy ditë më vonë, me dy kamionë, i nisën për në Prizren. Pas një qëndrimi të shkurtër, i transportuan për në kampin e përqëndrimit në Prishtinë. Por edhe këtu nuk do të qëndronin gjatë.
Itinerari i tyre, vazhdoi për në një tjetër kamp, në Austri. Udhëtimi me tren, ishte i tmerrshëm. Ajo nuk gjen fjalë për ta treguar. Në një hapësirë të ngushtë, sa ishin vagonat, qëndronin dhjetra njerëz. Në pjesën më të madhe të kohës në këmbë. Mungonte uji, për ushqime as që bëhej fjalë. “Zoti më shpëtoi, mua dhe gjyshen. Nuk mund t’i tregoj vuajtjet që hoqëm në atë udhëtim”, shprehet nënë Seria dhe merr frymë thellë. Kur mbërritën në Vjenë, falenderuan Zotin që i la gjallë, por, nuk e dinin që, pas kësaj, do të nisnin vuajtje të tjera, po aq të tmerrshme dhe vdekja do t’u qëndronte vazhdimisht mbi kokë. Mbërritën në një kamp, që nënë Seria, thotë se emërtohej Braitenfryg, por nuk është plotësisht e sigurtë dhe, që shërbente si pikë grumbullimi dhe shpërndarjeje. Ashtu, të gjithë bashkë, burra e gra, sikur të ishin kafshë, i urdhëruan të zhvisheshin e të futeshin nëpër banja për t’u larë. Më pas, i sistemuan në një kapanon, ku kishte dhjetra të burgosur të tjerë, kryesisht nga vendet e Ballkanit, Serbia, Mali i Zi etj. Ashtu siç ishte, pa asnjë rrobë në trup, e kruspullosur nga të ftohtit dhe e trembur, vajza e vogël dëgjoi një zë dhe një pulovër e madhe që u zgjat drejt saj. “Nga të kemi moj bijë?”. Një burrë i fliste në gjuhën e saj. I tregoi origjinën dhe emrin e të atit. “Po të paskemi vajzën tonë.Ti mos u tremb se, gjithçka do të kalojë”. Zëri i ngrohtë i burrit që i fliste, e solli disi në vehte. U shtërngua pas trupit të gjyshes, që nuk dëgjonte mirë nga veshët dhe mbështolli pas vetes, pulovrën e leshtë. Burri që i fliste, ishte nga Vlora, një patriot i njohur, Kudret Kokoshi. Ai kishte punuar në Kosovë, ku ishte kapur nga gjermanët që, e kishin internuar, si shumë shqiptarë të tjerë. Pulovra që ai i fali, u shqep më pas, nga gratë e kapanonit, të cilat i thurën vogëlushes, një triko të plotë në masën e saj. Nënë Seria tregon se, u dhanë për të veshur një palë pantallona dhe një xhaketë prej doku, ndërkohë që, në në këmbë u veshën gjysma këpucësh, të përgatitura prej druri dhe prej një cohe në pjesën e sipërme. Por edhe në këtë kamp, ajo dhe gjyshja,si dhe të burgosur të tjerë, nuk do të qëndronin gjatë. Përfundimisht u dërguan në një tjetër kamp, që e moshuara thotë se, emërtohej “Lager 16”. Këtu ishte vendi ku ajo dhe gjyshja, do të kalonin muaj të tërë, deri sa u çliruan.
Bashkë me dhjetra gra dhe burra të të gjjitha moshave, ato flinin në një kapanon të stërmadh. Në shtratin prej druri kishin një të ashtuquajtur dyshek prej një letre të veçantë, të mbushur me mbeturina të përpunimit të drurit (tallash). Mbuloheshin me një batanije të hollë, dimër e verë. Racioni i ushqimit përbëhej një 150 gramë bukë, një garuzhde supë, ose më saktë lëng perimesh, në drekë dhe për darkë, një masë lëngu me ngjyrë, që ata i thoshin çaj. Punonin gjithë ditën, nga mëngjesi në darkë. Pa u gdhirë mirë, një roje hynte në kapanon dhe urdhëronte “Arbeiten!”(Punë).
Shkonin në pyll për të prerë dru me të cilat përgatitshin shtëpiza të posacme për ata që, u shkatërroheshin banesat nga bombardimet. Lodhja ishte e tmerrshme. Nënë Seria ishte më e vogla në atë kamp. Por, ky fakt, nuk ndikonte aspak që ajo të lehtësohej nga ngarkesa. Punonte njësoj si të tjerat. Madje, mundohej të ndihmonte edhe gjyshen. Në të kundërt, i priste vdekja. Ashtu, të uritura, rropateshin gjithë ditën e ditës dhe në mbrëmje, ktheheshin në kapanone, nën shoqërimin e rojeve që i vëzhgonin nga afër.
Gjyshja e hiqte mënjanë racionin e vet të bukës, për ta ruajtur për mbesën, që ishte katandisur në një skelet të vërtetë. Për shkak të moshës dhe të ngarkesës së madhe, gjyshja i theu duart katër herë. Ja lidhnin gratë me copa të ndryshme, që i sajonin në kamp. Dhe kështu duronin, përpiqeshin të mbijetonin. Nuk ishin të pakta rastet, kur të burgosurit, humbisnin jetën, nën kamxhikët e rojeve, sa herë që ata rrëzoheshin nga lodhja. Prandaj dhe i jepnin kurajo njera tjetrës. E, ndërkohë, ëndërronin për babanë, që nuk e dinin se ku mund të ishte dërguar. Pyesnin. Por, askush nuk dinte gjë, për Yzeir Ismailin.
Një plak nga Kosova, teksa e shihte ashtu të friguar, e inkurajonte dhe i thoshte se, duhej të bëhej një burrneshë e vërtetë e të ishte një shqiptare e fortë. Në kamp, ishin dy drejtues: “Lagerfyhreri politik” dhe “Lagerfyhreri ekonomik”. I pari, sipas nënë Series, ishte një egërsirë e vërtetë, i dyti, kishte qenë pedagog në një universitet. Në kamp ndodhej edhe një burrë me origjinë hebre, bashkë me dy vajzat e tij, shumë më të rritura se, shqiptarja e vogël. Ishin edhe dy të rinj malazezë, që ju gjendën pranë në disa raste të vështira. Në rastet e bombardimeve, kur qielli mbushej dhe errësohej nga aeroplanët e shumtë, të burgosurit shkonin në disa strehime të veçanta.
Çlirimi nga trupat ruse dhe kthimi në Shqipëri
Ndërkohë, muajt kalonin dhe, së fundi fronti erdhi shumë pranë. Erdhi një moment, kur, kampi u vendos në hapësirën mes dy vijave të ndërluftimit, të trupave gjermane dhe atyre ruse. Kampi po i shpëtonte gradualisht kontrollit. Një natë u thanë të futeshin thellë në pyll dhe të vendoseshin pas pemëve, për t’u shpëtuar plumbave. Kështu bënë. Në mëngjes, kur gjithçka kishte rënë në heshtje, u kthyen në kamp dhe, pak më vonë, aty mbërritën trupat ruse.
Shumë ditë më pas, të gjithë ish të burgosurit i sistemuan në një godinë të stërmadhe, në qendër të Vjenës. Së bashku me gjyshen, nisën nga kërkimet për të atin. Por, prej tij nuk mësuan asnjë gjë. Ashtu të vetmuara, pa asnjë bashkatdhetar pranë, Shqipëria u dukej larg. Papritmas njohën një ish të burgosur nga Shqipëria, Hamdiun. Së bashku me të u interesuan për dokumentat e regjistrimit dhe të riatdhesimit. U njohën edhe me një vajzë fisnike nga Gostivari, Margaritën, që mbante mbiemrin e qytetit të saj. Ishte kjo vajzë, ish e bugosur që, i ofroi vendin e saj në radhën e riatdhesimeve, që ajo të mos shkëputej nga gjyshja. Dhe Seria e vogël, u njoh edhe me familjen e gostivarases, Teksa udhëtonte me tren, për në Shqipëri, ajo ndaloi në Gostivar, ku të afërmit e Margaritës, kishin dalë për të pritur vajzën e tyre. Por, u përballën me vogëlushen nga Shqipëria, që u dha lajmin se, Margarita ishte shëndoshë e mirë. Ditë më pas, mbërritën në Shqipëri, prej ku ishin larguar një vit më parë. I priti vëllai i vetëm. Aty, Seria mësoi edhe fatin e babait. Por, jo gjyshja. Ajo nuk e mori vesh asnjëherë se, çfarë kishte ngjarë me të birin. /tesheshi.com/