Nga Hakan Arslanbenzer
Një inxhinier mekanik i shkëlqyer dhe një politikan me ndikim, Nexhmettin Erbakani (1926-2011) nisi të parën lëvizje islame antishekullare në arenën politike turke, me parti politike që u mbyllën njëra pas tjetrës.
Politika turke ishte nën ndikimin e ish-oficerëve ushtarakë gjatë fazës së parë të republikës. Kjo ishte normale deri diku, ngaqë ata ushtarakë ishin në komandë gjatë Luftës së Pavarësisë, që në fund e shpëtoi vendin nga pushtimi prej armikut. Peshorja në politikë do të anonte nga juristët pas një kohe. Sundimi kemalist me një parti të vetme kërkonte reforma të mbështetura në ligj; në këtë mënyrë, puna në fushën juridike fitoi më tepër prestigj se kurrë, dhe juristët filluan të hyjnë në parlament dhe në kabinet. Tendencat e sipërpërmendura vijuan deri në vitet 1960, kur u shfaq një rreth i ri politikanësh: inxhinierët. Politikanët të cilët qenë inxhinierë nga profesioni mund të ngjajnë pa lidhje për lexuesin e sotëm. Por, nga mesi i viteve 1960 e gjer në vitet 1990, çdo inxhinier i ri turk mendonte se ai kishte mundësi të bëhej një politikan i spikatur. Unë thashë “ai”, që vjen nga fakti se inxhinieria është një punë në Turqi e mbizotëruar përgjithësisht nga meshkujt, dhe thuajse të gjithë politikanët inxhinierë janë meshkuj. Mbizotërimi i inxhinierëve në politikë, që nisi me vitet 1960, ishte për shkak të faktit se Turqia hartoi në vitin 1965 të parin Plan Zhvillimi, e pas kësaj zhvillimi u bë tema më e rëndësishme e garës politike. Çdo parti dhe çdo kandidat do të duhej t’i përgjigjej pyetjes se si do ta bënte Turqinë një prej vendeve të zhvilluara. Politikanët me një diplomë universiteti në inxhinieri nuk janë zhdukur. Në parlamentin e 24-t të Turqisë ishin më tepër se 70 inxhinierë, por numri i juristëve qe shumë më tepër se kaq. Një e pesta e anëtarëve të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë ishin juristë nga profesioni. Kështu, tre inxhinierët që patën ndikim në politikën turke nga mesi i viteve 1960 e deri në vitet 2000 ishin: Demireli, Erbakani dhe Ozali. Që të tre vinin nga i njëjti universitet, nga Universiteti Teknik i Stambollit (İTÜ), dhe ata u diplomuan njëri pas tjetrit në vite. I pari nga tre politikanët inxhinierë që do të niste një karrierë profesionale ishte Nexhmettin Erbakani, i cili në vitin 1948 u diplomua nga Departamenti i Inxhinierisë Mekanike të İTÜ-së.
Jeta e hershme dhe karriera
Nexhmettin Erbakani u lind në Sinop më 29 tetor 1926, si i biri i Mehmet Sabriut, i cili ishte asokohe një prokuror. Gjyshi i Nexhmettinit ishte Hysejini nga fisi Kozanogullarë (Kozanoğulları), që ishin paria vendase e rajonit të Adanasë. Hysejini lëvizi për në Stamboll, dhe u bë një bashkëpunëtor i ngushtë i sulltanit otoman të kohës, Abdulhamitit II. Mehmet Sabriu u martua dy herë. Nëna e Nexhmettinit ishte Kamer Hanëmi, me të cilën Mehmet Sabri Beu u martua ndërsa ishte prokuror në Sinop, pasi i vdiq bashkëshortja e parë. Rrënjët e familjes së Kamerit të çonin pas, te Imam Shamili, heroi i Kaukazit gjatë invazionit rus në shekullin e 19-të, nga ana e babait të saj, dhe, nga ana e nënës, te Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të). Erbakani u shkollua në fillore në Kajseri dhe në Trabzon, për shkak të punës së të atit. Më 1937 u dërgua në Stamboll për të ndjekur Shkollën e Mesme për Djem të Stambollit (Istanbul Erkek Lisesi). Ai e mbaroi atë me notat më të larta në vitin 1943, përpara se të ndiqte studimet për inxhinieri mekanike në Universitetin Teknik të Stambollit. Erbakani u diplomua në 1948-ën, dhe qe ngahera një student i shkëlqyer. Ai filloi të studiojë si një asistent kërkimor në Programin Master të Mjeteve të Transportit në të njëjtin fakultet ku u diplomua. Shkolla e çoi për ta përfunduar doktoraturën në universitetin teknik RTWH të Aachen-it, në Gjermani. Ai mori doktoratën dhe u ftua të kryejë kërkime në fabrikën Klockner Humboldt Deutz AG dhe në Qendrën Kërkimore DVL, e cila po punonte për ushtrinë gjermane. Erbakani ishte mes personelit kërkimor që punonte për projektimin e tankeve Leopard. Ai paraqiti tre teza në dy vite në Gjermani. Shumë njerëz mendojnë se Nexhmettin Erbakani ishte një gjeni për shkak të këtij suksesi të jashtëzakonshëm. Në vitin 1953 do të kthehej në Stamboll për të fituar nga İTÜ-ja titullin profesor i asociuar. Erbakani u bë profesori më i ri i asociuar gjer në atë kohë. Ishte vetëm 27 vjeç.
Një ndërmarrje e re në industrinë kombëtare
Erbakani iu bashkua ushtrisë, për të kryer shërbimin ushtarak për dy vjet përpara se të krijonte një kompani me shumë partnerë për të prodhuar motorë në Turqi. Fabrika që ai ngriti nisi të punojë në vitin 1960, një fakt i përshëndetur nga Adnan Menderesi dhe Hasan Polatkani, kryeministri dhe ministri i Financave në atë kohë. Ndërkohë Erbakani jepte mësim në universitet. Në vitin 1965 merr titullin profesor. Ndërmarrja Gümüş Motor mori tatëpjetën për shkak të konkurrencës së egër me importuesit e automjeteve. Erbakani u përpoq t’i bënte ballë konkurrencës, dhe kështu në 1959-ën hyri në Dhomën e Industrisë të Stambollit. Ai vendosi të vazhdonte të luftonte për zhvillimin industrial të Turqisë në Bashkimin e Bursave dhe të Dhomave Tregtare të Turqisë (TOBB). Në vitin 1967 do të bëhej sekretar i përgjithshëm i TOBB-it. Nexhmettin Erbakani u martua në të njëjtin vit me Nermin Saatçiogllunë, një sekretare që punonte në TOBB. Çifti Erbakan pati dy vajza dhe një djalë, Zejnepin e lindur në vitin 1968, Elifin e sjellë në jetë në 1974-ën, dhe Fatihun, i cili u lind katër vite më vonë, më 1978. Qëndrimi i Erbakanit në postin e tij në TOBB ishte politik. Ai përfaqësonte industritë e vogla lokale të provincave të Turqisë karshi industrive të mëdha të Stambollit të zëvendësimit të importeve. Kjo përplasje do t’i jepte formë fatit të tij. Ai do të përkrahte gjithmonë zhvillimin e mbështetur në industritë e vogla lokale kundrejt llojit të industrializimit që nënkuptonte zëvendësimin e importeve, të përfaqësuar nga bashkënxënësi i tij, Sulejman Demireli.
Noblesse oblige
Në frëngjisht ka një thënie, “noblesse oblige” (fisnikëria ka detyrime), me kuptimin që të pasurit dhe të fuqishmit duhet ta bëjnë punën e tyre siç i ka hije asaj pasurie apo atij pushteti. Nexhmettin Erbakani po përpiqej t’i detyronte njerëzit e pasur dhe të fuqishëm të krijonin industrinë kombëtare të Turqisë. Kjo mund të kishte qenë një lëvizje historike, por historia nuk vijoi në atë drejtim. Së pari, Erbakani u shtrëngua të dorëhiqej nga posti i tij drejtues në TOBB. Edhe pse i fitoi zgjedhjet e TOBB-it për kryetar, Këshilli i Ministrave, i udhëhequr nga kryeministri Sulejman Demirel, i anuloi zgjedhjet e TOBB-it dhe e detyroi Erbakanin të tërhiqej. Së dyti, kërkesa e tij për zgjedhjet e përgjithshme, për t’u bërë një anëtar parlamenti për Partinë e Drejtësisë (AP; Adalet Partisi), u hodh poshtë në vitin 1969. Në këtë mënyrë, Nexhmettin Erbakani e ndryshoi rrugën e vet, dhe hyri në zgjedhje nga provinca e Konjës, si një kandidat i pavarur. Ai siguroi votat e kërkuara dhe u bë anëtar i parlamentit.
Udhëheqës partie
Pas një viti në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, deputeti i pavarur Nexhmettin Erbakan krijoi më 17 janar 1970 Partinë e Rendit Kombëtar (MNP; Milli Nizam Partisi), me 17 prej shokëve të tij. Motoja e MNP-së ishte, “së pari moraliteti dhe spiritualiteti”. Ky ishte një aluzion i hapur për mendësinë islamiste të partisë. MNP-ja ishte e para parti islamiste në periudhën e demokracisë shumëpartiake. Megjithatë, MNP-ja nuk mbijetoi gjatë, sepse u mbyll pas puçit ushtarak të vitit 1971. Arsyeja për vendimin e mbylljes ishte “antishekullarizmi”, që do të qe shpata e Demokleut mbi kokën e Nexhmettin Erbakanit dhe të partisë së tij, apo, për të qenë më të saktë, të partive të tij. Pasi MNP-ja u mbyll nga Gjykata Kushtetuese në maj të 1971-shit, Erbakani vajti në Zvicër, e nuk u kthye gjer në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1973. Në tetor të 1972-shit ai krijoi një parti të re, të quajtur Partia e Shpëtimit Kombëtar (MSP; Milli Selamet Partisi), e cila fitoi 48 vende në parlament, me 12 për qind të votave. Erbakani e pranoi ofertën e Bulent Exhevitit, kryetarit të partisë fituese, CHP-së, Partisë Popullore Republikane, për të krijuar një qeveri koalicioni. Kështu u formua një koalicion CHP-MSP. Sido që ky koalicion ishte jetëshkurtër, të dy udhëheqësit e përdorën kohën pozitivisht në interes të partive të tyre. Operacioni i Paqes së Qipros, i cili ndihmoi që të shpëtoheshin qipriotët turq nga shtypja e organizatave terroriste në anën qipriote greke, i bëri mbështetësit e tyre të besonin se Exheviti apo Erbakani ishin respektivisht heronj. Ekonomia dhe politika turke u përballën me kriza të njëpasnjëshme në gjysmën e dytë të viteve 1970. Erbakani dhe MSP-ja ishin nganjëherë pjesë e qeverisë, e herë-herë pjesë e opozitës. Në përfundim, Erbakani qe mes themeluesve të koalicioneve të Frontit Kombëtar. Ai bëri tre koalicione në shtatë vite, deri në puçin ushtarak të 12 shtatorit të vitit 1980.
Ndalim, rikrijim, fitore dhe humbje
Jeta politike e Nexhmettin Erbakanit dhe e ndjekësve të tij është një kapitull krej tjetër pas grushtit ushtarak të shtetit të 1980-ës. Erbakani dhe zyrtarë të lartë të MSP-së u arrestuan në tetor të atij viti dhe u akuzuan për antishekullarizëm dhe ilegalitet. Ata u liruan në korrik të vitit 1981, dhe më 1983 u çliruan nga të gjitha akuzat. Por ai dhe disa prej shokëve të tij më të ngushtë u ndaluan të merreshin me politikë, ashtu si udhëheqës të partive të tjera, duke përfshirë Exhevitin, Demirelin dhe Tyrkeshin. Ndalimi politik mbi ish-udhëheqësit e partive u shfuqizua me referendumin e vitit 1987. Erbakani u zgjodh në të njëjtin vit kryetar i Partisë së Mirëqenies (RP; Refah Partisi), e cila qe krijuar më 1983 nga ndjekësit e tij. RP-ja hyri në zgjedhjet e përgjithshme të 1987-ës, por humbi. Ata hynë në parlament në zgjedhjet e vitit 1991, të varur nga blloku nacionalisto-islamist. Pikëpamjet dhe qëndrimet politike të Nexhmettin Erbakanit dhe të anëtarëve të partisë së tij ishin mes çështjeve më të diskutuara në politikën turke gjatë viteve 1990. RP-ja i fitoi zgjedhjet e 1994-ës dhe të 1995-ës. Megjithëkëtë, ai nuk u lejua të krijonte një qeveri, për shkak të një shtyrjeje gjashtëmujore.
Në fund, Erbakani formoi në verën e vitit 1996 një qeveri koalicioni me Tansu Çillerin, kryetaren e Partisë së Rrugës së Drejtë (DYP; Doğru Yol Partisi). Si qarqet perëndimore dhe properëndimore në politikën turke e kundërshtuan detyrën e tij si kryeministër i Turqisë. Në 28 shkurt të vitit 1997, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i ndikuar nga drejtuesit ushtarakë, shpalli rregulla të rrepta kundër së ashtuquajturit antishekullarizëm në Turqi, gjë që solli shpërbërjen e kabinetit Erbakan-Çiller në verën e po atij viti. Erbakani dhe RP-ja u përballën me akuza nga Gjykata Kushtetuese, dhe e njëjta gjykatë e ndaloi në 1998-ën të merrej me aktivitet politik për pesë vite. Gjykata po ashtu vendosi dhe mbylljen e Partisë së Mirëqenies. Miqtë e Erbakanit krijuan Partinë e Virtytit (FP; Fazilet Partisi), e cila u ndalua gjithashtu në vitin 2001, përpara se të krijohej pasuesja e saj, Partia e Lumturisë (SP; Saadet Partisi). Vitet e fundit të Erbakanit kaluan me gjyqe. Ai u dënua me arrest shtëpiak në vitin 2008, por dënimi i tij u fal nga presidenti Abdullah Gyl, për shkak të shëndetit të dobët.
Nexhmettin Erbakani e la këtë jetë në 27 shkurt të vitit 2011. Ndjekësit e tij mbajtën dy funerale për të, një në Ankara e një në Stamboll. Ai u fut në dhé në varrezën e Zejtinburnusë. Shumë qarqe e nderuan atë pas vdekjes, përfshirë ata që qenë ngurtësisht kundër qëndrimit të tij politik.
Përktheu: Bujar M. Hoxha – tesheshi.com