Nga Harrilla Koçi
Pak vite më parë, këshilli bashkiak i Vlorës, vendosi që bustet e kryetarëve të bashkisë në periudhën 1912 deri në 1939, të vendoseshin në lulishten e Sheshit të Flamurit, pranë Monumentit të Pavarësisë.
Në fakt, ky është edhe vendi më i përshtatshëm dhe simbol, jo vetëm i Pavarësisë Kombëtare, por edhe ngjarjeve të tjera që lidhen me Vlorën dhe Shqipërinë.
Por, ky projektvendim, me një vlerë disa dhjetra milionë lekë, nuk është zbatuar. Një projekt i ngjashëm u konkretizua në sheshin e godinës së Muzeut të Pavarësisë, ku u vendosën bustet e anëtarëve të Qeverisë së Pavarësisë, drejtuar nga Ismail Qemali.
Pavarësisht se, nuk është realizuar deri tani, projekti i vendosjes së busteve të emrave që kanë drejtuar Bashkinë e Vlorës në periudhën në fjalë, ndoshta edhe në vazhdimësi, mbetet një detyrë për titullarin e ardhshëm të qeverisjes vendore, që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit.
Më shumë se sa një evidentim artistik i emrave të atyre që kanë udhëhequr Vlorën në më shumë se 100 vjet, ky projekt është një nderim për vetë historinë e qytetit dhe brezave të tij.
Kronologjikisht, emrat që kanë drejtuar Bashkinë e Vlorës në periudhën 1912-1939, janë Ibrahim Avdullai që ka qenë në krye të institucionit vendor në vitet 1912-1915, dhe më pas, Abaz Mezini, Osman Haxhiu, Ali Asllani, Qazim Kokoshi, Nuredin Vlora, Arshi Halili, Abedin Nepravishta dhe në vitin 1938, sërish poeti Ali Asllani, që merr një mandat të dytë.
Secili prej tyre, ka lënë gjurmë në historinë e qytetit dhe komunitetit vlonjat, me kontributin apo vepra konkrete.
-Kronologjia historike e kryetarëve të Bashkisë së Vlorës-
Në fakt, ky sistem në Vlorë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, ka shënuar herë pas here ndërprerje në kohë.
Ndërkohë edhe emërtimi i drejtuesve të qeverisjes vendore, ka qenë i ndryshëm, në varësi të periudhës dhe të sistemit.
Kështu, qysh para 1912-ës kanë funksionuar “Kryekatundarët” dhe më pas kryetarët e Bashkive. Ky sistem, që u konsolidua pas vitit 1912, vazhdoi deri në fund të 1944. Pas çlirimit u vendos sistemi i Komiteteve Ekzekutive që vazhdoi deri në vitin 1992. Në 26 korrik të vitit 1992, u zhvilluan zgjedhjet e para lokale pas rreth 5 dekadash. Kjo ngjarje shënoi edhe fillimin e një modeli të ri të qeverisjes vendore, ose më saktë, një rikthim në sistemin e para vitit 1944.
Në fillim të shekullit XX Vlora kishte një popullsi prej rreth 8.000 banorësh dhe administrohej nga Kryekatundari, që më pas u emërtua “Kryetar i Bashkisë”.
Në vitin 1900, zgjidhet kryetari i parë i Bashkisë së Vlorës, ose Kryekatundari, që ishte Shahin Kolonja, i cili qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1903.
Pas tij, në këtë post u zgjodh Ali Spahiu (Skrapari) që kishte kryer studimet e larta në Stamboll, anëtar i shoqërisë “Bashkimi” (Stamboll), që qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1909.
Abas Mazini, përfaqësues i një prej familjeve të vjetra të Vlorës dhe me një aktivitet të shquar patriotik, e ushtroi detyrën e Kryekatundarit për një vit. Abas Mezini, kishte qenë në Komisionin përgatitor për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe një nga mbështetësit e spikatur të Ismail Qemalit.
Në vitin 1909, për një periudhë 3 vjeçare deri në 1912-ën, në krye të administrimit të qytetit të Vlorës si kryekatundar, u zgjodh Xhemil Vlora. Mandati i tij përkoi me një periudhë domethënëse, kur lëvizja për pavarësi ishte në kulmin e vet.
Ibrahim Avdullai, që drejtoi Bashkinë e Vlorës në periudhën 1912-1914, njihet edhe si kryebashkiaku i parë në periudhën e Pavarësisë së Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë.
Ai kishte përfunduar studimet për Drejtësi në Stamboll dhe njihet si një nga themeluesit dhe drejtuesit e Klubit Patriotik “Labëria” në vitin 1908. Për këtë arsye, ai së bashku me patriotë të tjerë, mes të cilëve Elmas Xhaferi, Muço Sharra, Durro Shaska dhe Ali Beqiri u kapën nga turqit, në vitin 1908, u dërguan në Stamboll ku rrezikuan të dënoheshin me vdekje.
Ai njihet si një mbështetës i Ismail Qemalit, çka e dëshmon edhe me udhëtimin e tij si kryekatundar i qytetit, në mars të vitit 1914, për në Francë, për t’u këshilluar me Ismail Qemalin, në lidhje me periudhën e vështirë që po kalonte Vlora. Në këtë vit, pra në 1914, ai kryeson negociatat me rebelët për të shpëtuar Vlorën nga shkatërrimi. Rebelët kërkuan largimin e tij nga posti i kryekatundarit. Në vitin 1923, vuri kandidaturën për deputet në Parlamentin e asaj kohe.
Pas largimit të Ibrahim Avdullait si Kryekatundar, u vendos që administrimin e Vlorës ta merrte Osman Haxhiu në emrin e prefektit.
Edhe Osman Haxhiu, mjaft aktiv me aktivitetin e tij patriotik qysh në fillim të shekullit, njihet si një nga mbështetësit kryesorë të Ismail Qemalit. Më vonë ai do të vihej në krye të Komitetit të Mbrojtjes Kombetare që organizoi dhe drejtoi Luftën e Vlorës. Osman Haxhiu, u zgjodh edhe delegat në kongresin e Lushnjës, si edhe deputet në Parlamentin Shqiptar.
Ali Asllani, që erdhi në krye të Bashkisë së Vlorës në vitin 1918, vlerësohet si një personalitet shtetëror, diplomat, poet i shquar i Vlorës.
Ai përfundoi studimet në Shkollën e Lartë Politiko-Juridike-Administrative në Turqi në vitin 1906. Shërbeu në administratën turke në Janinë e Bulu, deri në shpalljen e Pavarësisë. Punoi si sekretar i Ismail Qemalit, nënprefekt i Fierit, sekretar i administratës së Vlorës, sekretar shteti.
Ka ushtruar detyrën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës për dy mandate në mënyrë të ndërprerë. Ai ka përfaqësuar shtetin shqiptar si diplomat në Trieste, në Sofje dhe Athinë.
Njihet për krijimtarinë e tij të pasur si poet, autor i poemave dhe poezive të shumta e me nivel artistik të spikatur. U zgjodh anëtar i Institutit të Shkencave në vitin 1913 dhe zotëronte 5 gjuhët e huaja; turqisht, persisht, greqisht, italisht dhe frëngjisht.
Në vitin 1920, në krye të Bashkisë së Vlorës, u zgjodh Qazim Kokoshi. Ai ka spikatur si një personalitet me aktivitet të shquar patriotik e politik. Ishte një nga firmëtarët e aktit të Shpalljes së Pavarësisë, një nga emrat më të njohur në shtabin e Luftës së Vlorës, senator, deputet.
Nuredin Bej Vlora, që erdhi në krye të Bashkisë në vitin 1925, ishte i biri Ferit Pash Vlorës, ish kryeministër i Turqisë.
Spikat si një nga personalitetet e shquara të familjes Vlora dhe të vetë qytetit të Vlorës. Vlerësohet se ka qenë i pajisur me një kulturë të gjerë, njohës i shumë gjuhëve të huaja. Në vitin 1944 u largua jashtë vendit dhe vdiq në vitin 1964, në Gjermani. Përmendet për thënien e tij, “Unë Kosovën e kam në zemër dhe do të përpiqem për çlirimin e saj, si për Vlorën time.”.
Arshi Halili (Xhindi), u zgjodh në krye të Bashkisë së Vlorës në vitin 1928. Ai erdhi në këtë detyrë, pas një periudhe mjaft aktive në politikën shqiptare të asaj kohe, duke qenë deputet në Parlamentin Shqiptar në periudhën 1925-1928.
Pas mandateve të Abedin Nepravishtës dhe atij të përsëritur për herë të dytë të Ali Asllanit, në krye të Bashkisë së Vlorës, në vitin 1938, erdhi Myhedin Haxhiu.
Ai kishte përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Diplomatike në Vjenë. Paria e asaj kohe, e mbledhur disa herë, nëpërmjet një shkrese të firmosur nga 300 vetë, i propozoi Myhedin Oman Haxhiut të pranonte këtë detyrë të vështirë. Zgjodhën Myhedinin për cilësitë e tij, si dhe për traditat e njohura patriotike të familjes, ku spikaste Osman Haxhiu që kishte drejtuar me sukses Komisionin e Mbrojtjes Kombëtare në 1920.
Gjatë administrimit të qytetit në periudhën deri në vitin 1939, janë rregjistruar edhe një sërë ngjarjesh, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e tij dhe të vetë komunitetit, por edhe më gjerë. Ja disa prej tyre.
-Bashkia e Vlorës me kartmonedhat e veta, përpara krijimit të Bankës së Shqipërisë-
Bashkia e Vlorës ka prerë kartmonedhat e veta përpara krijimit të Bankës së Shqipërisë. Ky fakt interesant për historinë e këtij qyteti, përbën një realitet në një periudhë kur Vlora po përjetonte ritmet e një zhvillimi të spikatur.
Pas vitit 1918-të, veçanërisht në vitet ’20-të të shekullit të kaluar, Vlora po përjetonte një periudhë të zhvillimit intensiv. Procesi i transformimeve, që konkretizohej në një “boom” ndërtimesh me arkitekturë moderne për kohën, sipas stileve më të spikatura të saj,
Në këto kushte, në Vlorë kishte lindur nevoja e një kartmonedhe që të pasqyronte këtë zhvillim dhe të reflektonte marrëdhëniet në treg dhe veçanërisht në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në vitet 1923-1924 bashkinë e Vlorës e drejtonte Qazim Kokoshi, i cili vlerësohet si një nga ish kryetarët më me vizion, me një “background” të pasur, firmëtar i aktit të Pavarësisë Kombëtare dhe një nga protagonistët e Luftës së Vlorës në vitin 1920.
Në funksion të përmbushjes së këtij qëllimi, ai angazhoi një staf financierësh dhe ekonomistësh mjaft të përgatitur të formuar kryesisht në universitete perëndimore, të cilët ishin edhe pjesë e administratës së bashkisë.
Ata evidentuan jo vetëm nevojën e prerjes së kartmonedhave, ose parave të bashkisë, siç i cilësuan, por edhe përcaktuan modalitetet e realizimit të këtij aksioni të paprecedent monetar në shkallë vendi.
Kreu i bashkisë së asaj periudhe nuk nguroi të firmoste gjithçka duhej, çka i hapi rrugë një ngjarjeje madhore dhe të paprecedent në fushën e financave në Shtetin Shqiptar të asaj kohe.
Me vendimin e datës 11 maj 1924, bashkia e Vlorës nxori kartmonedhën e saj, që mban firmën e kryetarit të bashkisë si dhe të arkëtarit. Në kartëmonedhë shkruhet: “Sigurohet me pasurinë e pa tundshme të bashkisë”.
Kjo kartmonedhë, që në realitet kishte cilësinë e letrave me vlerë, ose të obligacioneve, njihej në një territor të kufizuar, në Vlorë. Por, fakti që si garanci për të, vihej pasuria e patundshme e bashkisë, përbën një ngjarje mjaft interesante. Kjo, edhe për arsyen tjetër se, në atë kohë në Shqipëri, nuk ishte krijuar ende Banka e Shtetit Shqiptar. Është një fakt i njohur tashmë që, Banka Kombëtare e Shtetit Shqiptar u themelua në vitin 1925 dhe kartmonedhat e para u emetuan prej saj në shkurt të vitit 1926.
Por, në Vlorë në atë periudhë funksiononte Banka e Napolit, një institucion financiar privat i krijuar në vitin 1850 nga familja e njohur vlonjate, Bezhani.
Në vitin 1925, kryetar i bashkisë së Vlorës u zgjodh Nuredin Bej Vlora, nip i Ismail Qemalit, i diplomuar në Paris, që u përpoq të hapte Bankën Shtetërore. Ndërkohë, bashkia e vazhdoi prerjen e kartëmonedhave të Vlorës. Në kartëmonedhën e këtij viti përveç shkabës dykrenore spikat edhe portreti i Ismail Qemalit. “Në këtë drejtim, prerja dhe hedhja në qarkullim e kartmonedhave të Bashkisë së Vlorës në vitin 1924, përbën një rast të rrallë dhe të paprecedent në historinë e qyteteve të vendit”, thotë studiuesi vlonjat Fahri Shaska. Sipas tij, megjithëse njihej në një territor të kufizuar kjo kartmonedhë kishte atribute të plota në treg.
-Ndërtimi i Lulishtes së Flamurit-
Ndërtimi i Lulishtes së Flamurit, përkon me vitin 1925. Nuredin Bej Vlora, kryetar i bashkisë në atë kohë, nismëtar dhe donator i mjaft projekteve të tjera, ishte ai që finalizoi transformimin e qendës së qytetit, me një mjedis të gjelbëruar mjaft modern. Pinjolli i familjes së njohur, ishte një nga donatorët kryesorë të truallit, por edhe i vlerës financiare, krahas emrave të tjerë.
Projekti u përgatit nga specialistë italianë, emrat e të cilëve mbeten të panjohur. Ishte një investim mjaft i madh për kohën, që kërkoi energji dhe investime, praktikisht të papërballueshme për pushtetin vendor. Por, si edhe në raste të tjera të ngjashme, elita e qytetit u tregua e gatshme për të mbështetur financiarisht këtë nismë.
Lulishtja e Flamurit, u konceptua në një sipërfaqe prej 40 mijë metra katrorë. Për të simbolizuar vitin e ndërtimit, në të u mbollën 25 fidanë pishash, të cilat u sollën nga Italia, ashtu sikundër edhe lulet dhe materiale të tjera të nevojshme për ndërtim. Projekti duhej të përurohej në përkujtim të 13 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, gjë që, praktikisht u realizua. Intensiteti i punimeve ishte i lartë dhe në të, u angazhuan specialistët më të njohur për kohën, mes të cilëve edhe usta Xhemal Jashari, kontribues në të gjitha objektet e realizuara në ato vite, në qytetin e Vlorës.
Përfundimi i Lulishtes së Flamurit, i dha një pamje krejt të veçantë dhe bashkëkohore sheshit që mbante të njëjtin emër. Por, në një këndvështrim tjetër, ky moment do të shënonte vetëm fillimin e konkretizimit të saj. Ky mjedis i gjelbëruar, do të plotësohej në vazhdimësi edhe me elementë të tjerë, që lidheshin me datën 28 Nëntor të vitit 1912. Ndërtimi i Shtizës së Flamurit u pasua nga vendosja brenda hapësirës së lulishtes, e varrit monumental të Ismail Qemalit. Ky projekt që u përurua në 28 nëntor të vitit 1932, sipas historianëve vlonjatë, plotësoi mjaft mirë simbolikën e këtij ansambli me vlera të shumëfishta. Në varrin monumental të Ismail Qemalit, u vendos një statujë e punuar nga Skulptori i Popullit, Odise Paskali, që përjetëson në bronx jetën dhe emrin e Plakut të Vlorës, në sheshin ku ai konkretizoi ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi
-Ndërtimi i Merkatës së Sahatit, Ali Asllani, kryebashkiaku që i dha emrin projektit-
Nismëtari i ndërtimit të merkatosj, është një nga emrat më të njohur të historisë dhe të artit vlonjat, Ali Asllani. Në kushtet kur qyteti i Vlorës po përjetonte një periudhë transformimesh, përmes investimeve në ndërtim dhe përmirësimin e infrastructures, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Vlorës, poeti Ali Asllani, hedh idenë e ndërtimit të kësaj godine, si një simbol për qytetin. Sipas ideatorit të saj, ky objekt duhet të kishte një funksion të shumëfishtë. Ajo duhet të shërbente si një qendër tregtare, që do të simbolizonte periudhën e transformimit ekonomik të Vlorës, por edhe si një objekt referimi, me kullën dhe sahatin, që do të montohej në të.
Në fakt, funksioni shumëdimensional do të realizohej në dy faza, që përkuan me dy mandate të Ali Asllanit, në krye të bashkisë së Vlorës. Kryebashkiaku vlonjat, kërkoi mendimin dhe ndihmën financiare të parisë së qytetit, e cila e mbështeti projektin. Nuredin Bej Vlora, pinjoll i familjes së njohur, u bë edhe donatori kryesor. Sipas historianëve, arkitektura e objektit, u realizua nga një grup specialistësh të kohës, të cilët shfrytëzuan një model të ngjashëm, të marrë në qytetin e Janinës. Në procesin e ndërtimit, u përfshinë specialistët më të mirë të Vlorës, të angazhuar në një brigadë punëtorësh të kualifikuar, e drejtuar nga ustai vlonjat, Xhemal Jashari.
Godina e merkatos përfundoi në vitin 1918 dhe vlerësohej si një nga objektet më të realizuara të sheshit, ku ndodhej edhe pazari kryesor i Vlorës. Në një mjedis, ku ngriheshin edhe godina e bashkisë(sot muzeu historik) dhe ngrehina të tjera, merkatoja zinte një vend të veçantë. Ajo shërbeu si një qendër, ku tregtohej kryesisht mish dhe peshk. Për këtë qëllim, krahas pjesës mbi sipërfaqe, u ndërtuan edhe dhomat frigoferike në bodrum, në nëntokë.
Me këto funksione, godina mbeti e tillë për rreth 20 vjet. Në vitin 1938, kur poeti Ali Asllani, mori një mandat tjetër për drejtimin e bashkisë, vendosi të përfundojë projektin e nisur vite më parë. Projekti, përfundoi për disa muaj dhe u përurua në vitin 1938. Kulla e sahatit, konsiderohej edhe si objekti referues për qytetin e Vlorës, për shkak të lartësisë. Në krye të pjesës kryesore, në fasadën e saj, u vendos skema e shqiponjës dy krerëshe, si simbol i kombit që po rilindte. Në faqet e saj, u realizuan katër basorelievë me fotot e Ismail Qemalit, të flamurit kombëtar, të Ahmet Zogut dhe Viktor Emanuelit.
Pas vitit 1944, basorelievët me fytyrat e Zogut dhe Viktor Emanuelit u fshinë dhe, vetëm njera u zëvendësua me simbolin e komunizmit, drapër e çekanin.
-1944-1992, komitetet ekzekutive zëvendësojnë bashkitë-
Gjatë periudhës së rregjimit komunist, 1944 dhe deri në 1992, administrimi i qyteteve u zëvendësua me komitetet ekzekutive, të cilat ishin në dy nivele, ato të qytetit dhe të rrethit. Rol parësor, kishin komitetet ekzekutive të rretheve, të cilat administronin politikat lokale, fondet dhe projektet për zhvillim ekonomik e social.
Nga ana tjetër, për shkak të sistemit, komitetet ekzekutive në aktivitetin e tyre kontrolloheshin nga komitetet e Partisë së Punës, që ishte në pushtet.
Por, pavarësisht kësaj, në historinë prej pothuajse 5 dekadash të Vlorës së para viteve 1990-të, spikatën disa emra që drejtuan komitetet ekzekutive. Mes tyre, veçohet Kristo Papajani, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit në vitet 1950-të. Ai u bë nismëtar dhe zbatues i disa projekteve që ndryshuan profilin urban të qytetit dhe e futën Vlorën në rrjedhën e zhvillimit modern. Mes projekteve të inicuara prej tij, përfshihen bulevardi Vlorë-Skelë, ose Bulevardi i Portokalleve, siç emërtohej atëhere, për shkak se përgjatë tij, në të dy anët u mbollën këto lloj agrumesh. Po ashtu, Papajani, inicoi ndërtimin e Lulishtes Rinia, ku u vendosën edhe vepra skulpturore, si dhe e ndërtimit të shetitores nga Skela në Ujin e Ftohtë, ku veçohej kompleksi turistik i Plazhuit të Ri, që përfundoi në vitin 1957.
Krahas Papajanit, në këtë periudhë të historisë së qytetit, spikat edhe Nedin Hoxha, që erdhi në krye të qeverisjes vendore në fundit e viteve 980-të. Ai inicoi dhe zbatoi projektin e transformimit të segmentit nga Rrapi i Ujit të Ftohtë deri tek tuneli, ku u ndërtuan trotuarë përgjatë bregdetit, si dhe plazhi modern për kohën, që qysh atëhere njihet me emrin “Plazhi i Kryetarit”, në shenjë respekti për Hoxhën, që la një emër të mirë tek komuniteti vlonjat.
Gjithashtu, mes drejtuesve të tjerë të Komitetit Ekzekutiv Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës, përfshihen Sihat Tozaj, Axhem Gjoni, Luan Muhameti etj.
-Zgjedhjet e para pluraliste, rikthejnë Bashkinë-
Pas një periudhe kalimtare drejtimi të Komitetit Ekzekutiv, me emra të sugjeruar nga Partia e Punës dhe nga Partia Demokratike, në 1991-1992, u organizuan zgjedhjet e para pluraliste në 26 korrik të vitit 1996. Në këto zgjedhje, dy subjektet kryesore u përfaqësuan respektivisht me Elham Sharrën(PD) dhe Arben Malaj(PS). Pas një beteje elektorale, me dy raunde, për shkak të balotazhit, në finalizim të procesit fitues u shpall Elham Sharra. Ai drejtoi Bashkinë për 4 vjet, në një periudhë vështirësish të jashtëzakonshme dhe transformimesh të mëdha në formën e organizimit.
Ndërkohë, katër vjet më pas, u zhvilluan zgjedhjet lokale të 20 tetorit të vitit 1996, të cilat pasonin zgjedhjet parlamentare të 26 majit të atij viti, të cilat u kontestuan ashpër nga ndërkombëtarët.
Gjithsesi, Gëzim Zile, përfaqësues i PD, fitoi një mandat 4 vjeçar, por e ushtroi atë vetëm pak muaj. Protestat masive kundër firmave piramidale, që nisën dhe patën epiqendër Vlorën, detyruan Zilen të jepte dorëheqjen nga funksioni. Ai u largua nga kjo detyrë në pranverë të vitit 1997-të.
Pas këtij momenti, në krye të Bashkisë erdhi për pak javë Tare Hamo, përfaqësues i PS-së dhe më pas, mes dy subjekteve kryesore politike, u gjet formula e drejtimit të qeverisjes vendore, me dy bashkëkryetarë. Kështu, për një periudhë prej pak më shumë se një viti Bashkia e Vlorës u drejtua nga Dejvi Tushe dhe Agron Shehu, respektivisht përfaqësues të PS-së dhe PD-së.
Në qershor të vitit 1998-të u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore, ku kandidati i PS-së, mjeku Neki Dredha, do të shpallej fitues. Ai e drejtoi qytetin për dy vite, për t’u zëvendësuar më pas nga një tjetër mjek, përfaqësues i të njëjtit subjekt politik, PS-së, Niko Veizi.
Veizi e administroi Vlorën për 3 vite, deri në tetor të 2003-shit, kur Shpëtim Gjika, do të fitonte bindshëm ndaj rivalit të tij të PD-së, mjekut Kristaq Bisholla.
Por, mandati 2003-2007, nuk do të ishte i vetmi për Gjikën. Ai do ta përsëriste suksesin edhe në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit të vitit 2007-të, në garë me Kreshnik Alimerkon e PD-së, ashtu si edhe në 8 maj të vitit 2011, përballë demokratit Ardian Kollozi.
Gjika është kryetari më jetëgjatë i Bashkisë së Vlorës, me tre mandate, jo vetëm në periudhën e pas viteve 1990-të, por në të gjithë historinë e qytetit. Gjatë drejtimit të tij, Vlora përjetoi një sërë transformimesh të rëndësishme, të natyrës urbane, sociale e ekonomike.
Në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, në garën për kreun e Bashkisë së qytetit, janë përfshirë, Dritan Leli(PS), Genci Deromemaj(PD) dhe Vasil Bedinaj (i pavarur).
/tesheshi.com/