Kryetarja e gruas së Partive Popullore Europiane u shfaq në një aktivitet të Partisë Demokratike duke sulmuar qeverinë e majtë dhe ambasadoren e BE-së, Vlahutin. Po kush është zonja gjermane dhe cilat janë lidhjet e saj të hershme me PD-në? Kur kritikonte Berishën dhe miqësia e gjatë me Genc Pollon…
Partitë politike shqiptare vazhdojnë të vuajnë nga kompleksi i “ndërkombëtarëve”; çfarë thotë një i huaj duket se është më e rëndësishme e ngjit më shpejt në veshin e popullit se sa ajo që thuhet nga politikanët vendas. Kësisoj, kur janë në vështirësi thërrasin në ndihmë miqtë e tyre të të huaj, ndonjë eurodeputet, ndonjë kongresmen amarikan apo ndonjë zyrtar çfarëdolloj në Europë e gjetkë.
Nëse ka një avokat të huaj Partia Demokratike që i del hapur në krah në qëndrimet e saj duke kritikuar të majtën kur është në pushtet – ka ndodhur dhe kur ka qenë në opozitë – ajo që do të mbante vendin e parë të nderit do të ishte Doris Pack. Simpatia politike për të djathtën mund të ishte e kuptueshme për shkak të përkatësisë së saj politike në të djathtën gjermane, por Pack ka shkuar më tej; ajo është futur në çështje të brendshme të politikës shqiptare duke shprehur publikisht mbështetje për PD-në dhe figura të caktuara të saj dhe duke kritikuar hapur të majtën dhe qeverisjen e saj.
Këtë herë ajo madje ka vajtur dhe më tej; për hir të interesave të PD-së duke u bazuar në disa shkrime të përhapura nga media pranë opozitës, ajo ka sulmuar sot dhe ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin.
Duke marrë pjesë në një takim të grave demokrat, ish-eurodeputetja Pack hodhi kritika ndaj qeverisjes dhe komentoi fjalët që qarkullojnë mbi Vlahutin.
“Për të qënë e sinqertë, do ndihesha me të vërtetë e turpëruar nëse ato që thuhen për ambasadoren e BE-së në Tiranë do ishte e vërtetë. Nuk e di, por ajo që kam dëgjuar më ka inatosur shumë. Nëse është e vërtetë, është një turp i madh për Bashkimin Europian sepse ne ju kërkojmë juve të luftoni korrupsionin dhe krimin dhe nëse dikush prej nesh është me të vërtetë i përfshirë në diçka të tillë, atëhere për ne është një turp i madh”- tha ajo.
Më tej Pack kritikoi ashpër qeverisjen me të njëjtat argumente që e sulmon dhe opozita shqiptare; “Mendoj se ka mungesë vullneti përsa i përket dekriminalizimit dhe narkotrañkut. Mendoj gjithashtu se ka mungesë shumë të madhe vullneti për të luftuar krimin e organizuar. E kam ndjekur nga afër reformën në drejtësi dhe shpresoj që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Keni gjithashtu një reformë në administratën publike dhe as këtu nuk ka ndonjë rezultat të madh. Reforma zgjedhore do duhet të arrihet dhe miratohet para zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të jenë zgjedhje në kuptimin e vërtetë të fjalës. Më vjen me të vërtetë keq kur kam parë se në ditët e fundit, personat që janë dënuar medënim të përjetshëm apo burgim 25 vjet, janë liruar si pa të keq”.
Nuk është hera e parë që Doris Pack shfaqet në kampin blu shqiptar sa herë aty ka nevojë dhe për një zë që vjen nga Europa si mbështetje. Historia e lidhjes së saj me PD-në është e gjatë dhe pak e komplikuar në raportin me liderin e saj historik Sali Berisha.
Pack si këshilltare e Pollos kundër Berishës
Në Tiranën tonë të zhurmshme dhe ku lajmet nuk presin as tri ditë që të avullojnë, shumëkush mund ta ketë kujtesën e fortë dhe të kujtojë kohën kur Genc Pollo, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, doli kundër Sali Berishës dhe u shkëput nga PD-ja bashkë me një grup për të krijuar Partinë Demokrate të Re ose ndryshe Reformatore. Në selinë e kësaj partie në zonën e ish-Bllokut shpesh shfaqej zonja Pack, që në atë kohë ishte eurodeputete në Parlamentin Europian. U fol se ajo e kishte këshilluar Pollon të ikte nga PD-ja dhe ishte një kritike e fortë e Berishës për mungesën e demokratizimit në parti. Më vonë do të ishte sërish Pack që e mbështeti rikthimin e Pollos në PD në vitin 2005 dhe vetë u kthye në një avokate publike të Partisë Demokratike.
Ajo u shpërblye nga PD-ja dhe Pollo, i cili u bë inicatior i kërkesës për t’i dhënë medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga presidenti i zgjedhur i së djathtës, Bujar Nishani. Ishte Pollo firmëtari kryesor i kërkesës për presidentin bashkë me deputetët Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Fatmir Mediu, etj.“Zonja Packka një kontribut të shquarpërgjatë më shumë se dy dekadave të fundit për Shqipërine duke nxitur, mbrojtur e përfaqësuar nëmënyrë konsekuente interesin e integrimit europian të vendit tonë,” thuhej në letër.
Partia Socialiste e kundërshtoi këtë deklaratë duke e cilësuar njëanshmëri politike të presidentit në këtë dekorim të ish-eurodeputetës së djathtë.
Pack u dekorua si mbështetëse e integrimit të Shqipërisë dhe si mike e shqiptarëve, por për aq kohë sa ajo e ngre zërin kritik vetëm kur është e majta në pushtet, dhe del në krah të së djathtës kur ajo ka nevojë për avokat të huaj, mund të jetë padyshim vetëm një mike e PD-së dhe të flasë vetëm në emrin e saj. PPE, ku ajo militon, nuk do të guxonte të bënte deklarata të tilla ndaj një zyrtari të emëruar të Brukselit në Tiranë, siç bëri Pack sot për ambasadoren Vlahutin. /tesheshi.com/