Eurodeputetja Doric Pack është riaktivizuar në rolin e saj diplomatik, kësaj here për të kundërshtuar me forcë idenë e një ndryshimi të mundshëm të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ish-raportuese e Parlamentit Evropian për Bosnjen, Doris Pak tha se nuk duhet të lejohet ndryshim kufijsh në Ballkan, e se ajo nuk mund të kuptonte se si presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vucic dhe Hashim Thaçi, mbështesin një politikë të tillë.
“Mendoj se çështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe në Evropën Juglindore, është diçka që ne nuk duhet të lejojmë. Nëse jeni të vërtetë të vetëdijshëm për atë që ka ndodhur në vitet e fundit në rajon, nuk duhet të ketë ndryshim kufiri. E nëse ndodh, ky është fillimi i fundit“, tha Pack në një intervistë me Radio Free Europe.
Ajo kujtoi se shumë njerëz në politikën e sotme evropiane nuk ishin pjesë e politikës së viteve të nëntëdhjeta dhe se ata nuk mund të kuptojnë, por gjithashtu shtoi se “ata që e dinë se çfarë po ndodh, që e njohin rajonin dhe mentalitetin e saj, duhet të jenë shumë të kujdesshëm.”
“Unë nuk dua të përmendur askënd, por ju e shihni se çfarë po ndodh. Unë nuk mund ta kuptoj Vuçiçin. Nuk mund ta kuptoj as Thaçin. 95 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk janë në favor të ndryshimit të kufijve”, tha Pack.
Ajo mbajti një qëndrim kritik dhe ndaj politikës amerikane për këtë rast, duke thënë se “duhet të kihet parasysh që SHBA janë larg. Ato nuk janë të afërta me problemet në rajon dhe se administrata e presidentit Trump nuk duhet t’u japë njerëzve ide ku një ndryshim i kufijve të ofrohet si diçka e vlefshme”.
“Unë shpresoj se kjo nuk do të jetë një zgjidhje, shpresoj që zgjidhja do të gjendet, por jo në ndryshimin e kufirit”, tha Pack. /tesheshi.com/