Kryeministri Rama ka reaguar disa orë pas Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, duke qenë po aq nervoz me të edhe në rastin e para tre ditëve, kur PD publikoi dokumentin “bombë”, ku e zeza mbi të bardhë, Pjetri ishte dënuar në Itali për trafik droge në vitin 2003.
Gjuha e Ramës ka qenë po aq nervoze si atë ditë, ku, qartazi, ai thotë se nuk e ka ditur këtë detaj të së kaluarës së njeriut që përzgjodhi për të drejtuar Shkodrën, për herë të parë pra në në 27 vite pluralizëm, nga partia e tij.
Por në fillim, ai e mbron Pjetrin nga akuzat e rënda të Bashës.
“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel!”
Më pas, Rama i qaset problemit në thelbin e tij.
“Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!”, shprehet Rama, duke patur një argument mbrojtës: “Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!”.
Sipas tij, Valdrin Pjetri ka përgjegjësi, e çdokush që vepron si ai:
“Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”, shkruan Rama. /tesheshi.com/