Një nga betejat më të vështira të regjimit komunist për nënshtrimin e popullit shqiptar duket se ka qenë ajo me besimin fetar. Edhe pse Enver Hoxha e ndaloi me ligj praktikimin e riteve fetare, shembi dhe shkatërroi objektet e kultit dhe zhvilloi me mijëra aksione të gjera për zhukjen e besimit, sërish nuk ia arriti ta çrrënjosë e zhdukë besimin në Zot. Shqiptarët i gjenin mënyrat ta praktikonin besimin e tyre në fshehtësi e madje të kryenin të gjithë ritet fetare edhe në ceremonitë familjare.
Ky dokument i vitit 1988 e dëshmon më së miri këtë. Edhe pse regjimi po shkonte drejt fundit të tij, sërish vijonte luftën e hapur me besimin fetar, e siç e dëshmojnë shembujt e përmendur në këtë dokument, besimi po mbijetonte në gjithë vendin.
Në këtë relacion të vitit 1988, Zv.kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Sefedin Çela, raporton për “punën që po bëhej nga institucionet kulturore e artistike për luftën kundër shfaqjeve të huaja e ndikimeve fetare”. Mes të tjerave ai sjell disa shembuj si në Mat, Dibër Kukës, Korçë etj, ku aktiviteteve të fshehta fetare, regjimi po përgjigjej me shfaqje e parodi, por edhe me biseda demaskuese në popull për të frenuar rastet e praktikimeve fetare.…
Ja cfarë shkruan Sefedin Çela në disa pjesë të këtij relacioni:
“Këto veprimtari janë përqëndruar më shumë në ato zona e fshatra apo edhe lagje të qyteteve ku janë shfaqur dukuri fetare e të zakoneve të tjera prapanike. Kështu p.sh. zonat Martanesh, Xibër, Baz, Komsi e Kurdari të rrethit të Matit janë vënë re manifestime të paragjykimeve fetare, shpenzime të tepërta në ceremoni familjare (fejesa, martesa, lindje), veshje të rënda etj.
Madje në këtë rreth, në fshatin Burgajet, një person tentoi të ushtronte profesionin si hoxhë.
Për t’ju kundërvënë këtyre fenomeneve negative, nga institucionet kulturore janë zhvilluar disa veprimtari e cikle temash e bisedash për zakonet e mira të popullit tonë dhe paragjykimet fetare, janë dhënë pasdite tematike e shfaqje të grupeve amatore e artistike ku ndërmejt skeçeve, parodive janë goditur disa dukuri negative si shpenzimet e tepërta në ceremoni familjare. Ndërsa në zonën e Martaneshit ku këto shfaqje kanë qenë më të theksuara u dërgua një brigadë kulturore, me program tematik të hartuar posaçërisht për të qëllim.
Në rrethin e Kukësit, në zonat Fajzë, Tregtan, Buzëmadh, Bardhoc, janë vënë re frekuentim të vendeve të shenjta, përkujtim i festave fetare, përdorimi i nuskave dhe i magjive. Për këtë qëllim, krahas temave ideologjike, zbërthime nga veprat e partisë dhe shokut Enver, janë praktikuar edhe diskutime popullore. P.sh. në fshatin Bardhoc pas një diskutimi popullor u arrit që vendi “i shenjtë” të mos frekuentohej më.
Në rrethin e Peshkopisë janë organizuar brigada kulturore me programet e të cilave janë goditur shfaqjet e mbajtjes së Ramazanit dhe të vizitave nga disa persona në ish-teqenë e Fushë Bulqizës, por edhe në disa zona të tjera si në Kalanë e Dodës, Zerqan, Muhur e Luzni..
Në rrethin e Korçës sidomos në fshatrat Lekas, Gjonbabas e Karjan, janë vënë re zbatime të riteve fetare në raste vdekjesh, mbajtje për një kohë të gjatë të rrobave të zeza nga pjestarët e familjeve etj,…këto dukuri janë shfaqur edhe në qytet sidomos nga gratë…/tesheshi.com/