Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Edhe pse bazë e agjërimit është mosngrënia, kjo nuk do të thotë që të injorohet ngrënia, meqë gjatë muajit të Ramazanit, një 24-orësh është i ndarë mes konsumit dhe jokonsumit ushqimor.
Kjo sa i përket vetëm aspektit fizik, pasi komponentet e tjera të një agjërimi, janë dhe ai etik e shpirtëror. Por çfarë në thotë doktori, pra shkenca si i thonë, si për ngrënien e si për mosngrënien?!
Dr. Sci Agron M. Rexhepi, mjek dhe nutricistë sportiv, është specialist i kësaj fushe, pasi e njeh mirë organizmin e njeriut, atë se çfarë mund t’i bëjë dëm e çfarë dobi prej ushqimeve që konsumon ose që nuk konsumon…
Cilat janë dobitë shëndetësore të agjërimit?
Dobitë shëndetësore të agjërimit janë të shumta si në komponentën shpirtërore (psiqike) ashtu edhe në komponentën trupore (fizike). Agjërimi ka ndikim të mirë në:
Kontrollimin e peshës trupore;
Rritjen e vetëkontrollit;
Depresion (veprim antidepresiv);
Frenon përparimin e sëmundjes së Alzheimer-it dhe Parkinsonit;
Uljen e nivelit të LDL;
Uljen e shtypjes së gjakut;
Rritjen e ndjeshmërisë së organizmit ndaj veprimit të insulinës;
Ekonomizimin e punës së zemrës, mëlçisë dhe veshkëve;
Sëmundjet degjenerative të eshtrave;
Në disa lloje të sëmundjeve malinje (frenon zhvillimin e qelizave malinje);
Disa sëmundje të sistemit tretës, etj.
A e rrezikon shëndetin e njeriut agjërimi i gjatë?
Në kushte normale agjërimi nuk e rrezikon shëndetin e njeriut, përkundrazi siç theksova edhe me parë mund të ketë ndikim pozitiv. Nuk ka ndonjë obligim që njeriut i është bërë nga Zoti i Madhëruar dhe të mos jetë në tërësi në të mirë të njeriut.
A janë bërë hulumtime shkencore për ndikimin e agjërimit në shëndet? Nëse po, atëherë cilat janë rezultatet?
Për ndikimin e agjërimit në shëndetin e njeriut janë bërë dhe vazhdon të bëhen hulumtime të shumta. Vlen të përmendet hulumtimi i dr.Herbert Shelton, i cili ka hulumtuar ndikimin e agjërimit te njerëzit për 50 vite me rradhë. Po ashtu, hulumtime të shumta janë bërë rreth ndikimit të agjërimit te të sëmurët nga sëmundje të ndryshme (kardiovaskulare, endokrine, nervore, etj). Rezultatet janë shumë të ngjashme dhe që të gjitha flasin për ndikimin pozitiv të agjerimit në shëndet. Sigurisht se është me rëndësi që çdo i sëmuar para se të hyj në agjërim të konsultohet paraprakisht me mjekun e tij.
Cila është dieta më e mirë në iftar dhe në syfyr?
Në përgjithësi mënyra më e mirë e të ushqyerit të shëndetshëm gjatë muajit të Ramazanit është që të ushqehemi tri herë: një ushqim i lehtë për iftar (prishje e agjërimit me një gotë ujë 250 ml, 3 kokrra hurma. Të pihet një supë perimesh dhe pas namazit të mbramjes të hahen pemë (mund të jetë sallatë pemësh).
Nga iftari deri pas namazit të taravisë të pihen lëngje në formë të çajit dhe të hahen pemë. Pas namazit të taravisë të hahet një darkë diçka më kalorike (40% karbohidrate, 40 % proteina dhe 20 % yndyrna).
Për syfyr e mjaftueshme kishte me qenë një gotë kos me një lugë vaj ulliri, një lugë të vogël farë të zezë dhe një lugë të mesme farë liri. Kjo përzierje do të duhej të përgatitet në iftar dhe të hahet në syfyr me një rriskë bukë (sipas dëshirës).
Nga cilat ushqime duhet të kemi kujdes në muajin Ramazan?
Në syfyr duhet shmangur ushqimet e njelmëta dhe turshitë meqenëse shkaktojnë etje; ushqimet e ëmbëlta shkaktojnë hipoglikemi dhe uri të hershme; pijet e kafeinizuara rrisin diurezën – urinimin dhe me këtë largimin e lëngjeve nga organizmi.
Çfarë aktivitetesh fizike i sugjeroni një agjëruesi?
Ecja e shpejtë, zgjatja e muskujve dhe ushtrimet e lehta tonifikuese janë aktivitete fizike të preferuara për agjëruesin. Aktivitetet fizike mund të bëhen në çdo kohë të ditës, por më e preferuar është që të bëhen para iftarit (përfundimi i aktiviteteve fizike të bëhet afërsisht 20 – 30 minuta para iftarit.
Si duhet të veprojnë personat me diabet ose ata që kanë probleme me metabolizmin?
Duhet konsultuar mjekun gjegjës për të vërtetuar gjendjen e tyre. Nëse nuk ka lëkundje të mëdha të vlerave të sheqerit në gjak dhe sëmundja është nën kontroll atëherë preferohet agjërimi, por gjithnjë me kujdes.
Dr. Rexhepi, jemi në kohë vere dhe temperaturat sa janë të larta po edhe të ulëta, çfarë këshilloni ju në këto raste, për ta përballuar më lehtë agjërimin?
Jemi në ditë të verës kur priten temperatura të larta. Jo vetëm për agjëruesin por edhe për të tjerët është e preferuar që të shmangen temperaturat e larta e sidomos nga ora 10.00-11.00 deri në 16.00-17.00, t’i kushtohet rëndësi veshëmbathjes dhe herë-pas-here të freskohet trupi.
Pas 30 ditë agjërim, çfarë duhet bërë për t’ia ripërshtatur trupin një ritmi ushqimor normal?
Ashtu siç preferohet që organizmi dy javë më herët të parapërgatitet për fillim të agjërimit, ashtu preferohet që edhe fundi i agjërimit të jetë gradual me përshtatje të organizmit në rikthim në gjendjen e mëparshme. Hulumtuesit dhe nutricistët e shumtë preferojnë që njeriu nëse donë të ketë shëndet të mirë të vazhdoj me agjërim dy ditor në javë (p.sh e hëne dhe e enjte). Kjo kishte me qenë më e mira për ata që mendojnë dhe dëshirojnë që në vazhdimësi të kenë të mira shpirtërore dhe trupore nga agjërimi. /tesheshi.com/