Ndërsa një pjesë e medias shqiptare është fokusuar te një e kaluar plot dritëhije e kreut demokrat Basha, asaj kosovare, si për koinçidencë ridel një copëz nga e kaluara e Ramës, ajo e protagonizmit publicistik të viteve ’90, ku ai nisi të afirmohej fuqishëm dhe imponueshëm si rrallëkush në historinë e letrave shqipe, falë një lëvrimi brilant të shqipes. Duke ardhur nga bota e penelit, ai pikturonte me shqipen. Dhe ndër tematikat e preferuara, padyshim do ishin ato politike, me një spektër të gjerë trajtimi, nën një kritikë gjuhëshpuzë, alla Nol a Konicë dhe diç më mjeshtërisht se ata. Më vonë e sot, duke u parë në këndin e një vendimmarrësi politik, është e natyrshme të mos e gëzojë atë nam të dikurshëm, ku shumë prej ithtarëve të tij i ka dhe kundërshtarë apo kritikë të betuar.
Por, nga e djeshmja, në funksion të së sotmes, ja vlen të merret, apo thjesht të kujtohet, ai konstrukt mendimi kritik i tij, në këtë pikë alla publicistikë e viteve ’30, e cila reflektohet si kumt dhe në të tashmen. Një prej tyre është të qenët e tij në krye të PS-së, partisë së ardhur nga PP, për të cilën, në ‘90 kërkonte nxjerrjen jashtë ligji, e kjo nën ethte të forta anti-komuniste.
Por pak vite më vonë, duke parë se ç’po ndodhte me PD-në në qeverisje dhe lidershipin e saj, veçuar Berishën, Rama nuhat atë që po ndodhte me PS-në në kushte pluraliteti, e cila më pas do vërtetohej në realitet. Eshtë viti 1995, një vit para zgjedhjeve të 96-ës dhe Rama zgjedh të kërkojë ardhjen e PS-së në pushtet, duke qenë njëherësh jashtë çdo angazhimi politik, si dhe duke mos dhënë asnjë sinjal se do angazhohej, veç faktit që vijonte të ishte kritik, artistikisht i ashpër, i zhvillimeve shqiptare në post-komunizëm.
E kërkon ardhjen e PS-së në pushtet, ku në një fjali të vetme, përcjell mjeshtërisht atë që në vitet pasuese do ishte e dukshme në diferencën mes dy forcave: një ish-PP e reformuar në shumë drejtime, më luajale, më elastike, më e komportuar në ndërtimin e raporteve ndërkombëtare, më kreative, përballë një PD-jë të zhveshur pothuaj tërësisht nga dhjetorizmi i saj si frymë ngjizëse, me rrëshqitje të frikshme në praktika dhe mendësi komuniste, me humbjen e çdo nuri demokratik, deri sa humbi dhe dominimin jetëshkurtër mbi elektoratin. Pos këtyre, ndryshe nga e majta, me pothuajse asnjë krizë në raportet ndërkombëtare, PD i shndërroi këto lloj krizash në trend politik vit pas viti.
Ja ç’shkruan Rama ato vite:
Por brenda kriticizmit politik, gjuha e kryeministrit të sotëm ofronte, kulturalisht, një galeri gjigante pasurie leksikore, ku bie në sy dhe lëvrimi i termave specifikë, me përdorim të kufizuar vetëm brenda një targetgrupi social, të paqena prej atyre që, paçka origjinës, fitojnë në kohë statusin e një përdorimi të gjerë publik.
Konkretisht është fjala për abdesin, që Rama i thotë avdes, një rit pastrimi i muslimanëve para faljeve të tyre të përditshme.
Ekuivalenti i saj në Krishtërim mund të quhet pagëzimi, ndonëse praktikisht me diferenca të mëdha. Por ndërsa pagëzimi ka përdorim të gjerë në ligjërimin publik, pra është një term tejet familjar për stade të ndryshme shoqërore apo nivele kulturore, abdesi, ose avdesi, nuk e ka këtë status.
Dhe në vitin 1995, ku dhe jeta fetare, posaçërisht ajo islame ishte në fillimet e saj, ku pra dhe terminologjia kishte marrë goditjet e veta nga çereksheulli ndalim i praktikave fetare, Rama posedon në vokabularin e tij një term shumë të huaj për kohën dhe kontesktin, ndonëse jo për targetgrupin që e përdorte si praktikë – besimtarët praktikantë.
Shkruan ai:
/tesheshi.com/