Është një krim bashkëshortor ai që ka tronditur së fundi Elbasanin, javë më pas një krimi politik, siç qe vrasja e Pjerin Xhuvanit.
Ish-polici Koço Buzo, 58-vjeç, e qëlloi të shoqen me breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur, pas seancës gjyqësore për procesin e divorcit mes tyre.
Liljana Buzon, 54-vjeçe, nënë të 3 fëmijëve, dha shpirt rrugës për spital.
Plmbat e armës plagosën gjithashtu avokatin e së ndjerës dhe një kalimtar rasti.
Deklarata e Policisë thotë:
“Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”. /tesheshi.com/