Sot, sipas presidentit Meta, shqiptarët duhet të shkojnë në zgjedhje. Por, as vetë ai nuk mund të votojë. Kjo e bën 13 tetorin 2019 si një datë që do futet në historinë e politikës shqiptare si një produkt i paradokseve të saj.
Me gjasë, Meta e ka ditur fare mirë që sot nuk do mund të kishte proces zgjedhor, e kjo që kur e ka vendosur, që kur e ka dekretuar si datë votimesh. Sepse, siç është parë, që me anullimin e 30 Qershorit, që nga mënyra e zgjedhur, nga pse-ja dhe si si-ja, ishte fjala për një diversion të pastër politik, një akt brenda frymës së të qënit të kreut të shtetit si një udhëheqës okult i strategjisë së opozitës për rrëzimin e Ramës, duke nisur fillimisht me djegien e mandateve, e pas dështimit të rezultantes së kësaj të fundit, me pasimin e bojkotit të zgjedhjeve.
Më pas vjen anullimi i 30 Qershorit, krejt i beftë, i pashoqëruar me asnjë thirrje për kompromis mes palëve, asnjë ftesë madje, apo qoftë dhe një paralajmërim se do e bënte diçka të tillë. Pas anullimit, për javë të tëra lë vendin pa datë zgjedhore, e kur sheh se as kjo nuk po kryente efektin e dëshiruar, sidomos te ndërkombëtarët, vjen shpallja e 13 tetorit si datë zgjedhjesh lokale. Edhe në këtë rast, si me anullimin, asnjë ftesë, asnjë konsultë, e sigurisht asnjë kompromos.
E qëndrimi ndaj 30 Qershorit, faktit se sidomos ndërkombëtarët, një prej shënjestrave të strategjisë opozitare për ta bërë të dorëzohet, nuk u dorëzua, tregoi se 13 Tetori do ishte një hiç, siç dhe rezultoi në realitet. Ishte një datë që ndërkombëtarët as që e artikuluan kurrë. Madje as OSBE-ja, organizëm te i cili Meta është kapur për t’u mbrojtur për 30 Qershorin, duke iu referuar një pasqyrimi të atmosferës zgjedhore në raportin e OSBE-ODIHR-it, që në finale e njeh 30 Qershorin, e vulos atë si datë zgjedhjesh, as që merret apo është marrë me 13 Tetorin.
Për javë me rradhë, Meta u investua me mesazhe për 13 Tetorin, për çdo ditë, duke trukuar një lidhje mes tyre dhe 18 Tetorit të vendimit për negociatat, duke thënë se e para është kusht për të dytën, gjë që vetëm ai e artikulonte, asnjë ndërkombëtar. E kjo derisa u fik. E ja, 13 Tetori i tij është një ditë krejt e zakonshme, shumë larg politikisht me 18 Tetorin, e sigurisht pa asnjë element zgjedhor. Ishte një datë që as PD nuk e morri seriozisht. E kjo si një refleksion që as vetë Meta nuk e ka patur seriozisht. Serioze në kërë rast ka qenë vetëm diversioni i zgjedhur politik.
E gjitha kjo, përkthehet si rënie e Presidencës, politikisht dhe konstitucionalisht. /tesheshi.com/