Numri 2 i PDK-së, ish-ambasadorja e Kosovës në OKB, Vlora Çitaku, ka ofruar një parashikim të asaj se çfarë do ndodhë të hënën në Bruksel, në një takim të thirrur mes Kurtit dhe Vuçiçit.
“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Të hënën kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën kryeministri Kurti do të nënshkruaj Asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur. Të hënën kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik”, ka shkruar Çitaku në formën e një diversioni e njëherësh sulmi politik. Kjo pasi znj. Çitaku është zë i opozitës, e cila pamëshirshëm i është kundërvënë Kurtit këto kohë të trazuara për Kosovën me vendimmarrje aspak të lehta.
Vetë PDK, kur ishte në pushtet, ka firmosur krijimin e Asocacionit, gjë të cilën VV-ja e çoi në Kushtetuese dhe kjo e fundit e rrëzoi.
Kujtojmë që Kurti ka pranuar planin franko-gjerman, ku ndodhet dhe kushti për krijimin sa me shpejt të Bashkimit të Komunave Serbe, por duke vendosur 6 kushte si garanci ndërkombëtare për të, që Asocacioni të mos shndërrohet në një lloj Republika Srpska në Kosovë, siç është në Bosnje, duke cenuar integritetin e atyshëm. /tesheshi.com /