Nga Bashkim Kastrati
Në Kosovë u shënua Dita Botërore e Shëndetit, ku u fol shumë për rëndësinë e ushqimit kualitativ dhe kontrollin e tyre për hir të shëndetit të popullsisë. Por çuditërisht Instituti Bujqësor i Kosovës nuk është fare i akredituar. Nga ky institut varet krejt ushqimi i Kosovës, ku duhet të bëhen analizat e ushqimit. Pra zyrtarisht ky institut nuk ka të drejtë ta bëjë këtë kontrolli, ndërsa të gjithë qytetarët janë të varur se çka thotë ky institut lidhur me cilësinë e ushqimit.
Akreditimin duhet ta bëjë Drejtoria e Akreditimit të Kosovës (DAK), që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë. Komisioni akreditues, përbëhet nga vendoret dhe një person i huaj nga vendet evropiane, por mund të përbëhet edhe vetëm nga vendorët.
Salih Salihu, anëtar i Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për tesheshi.com se është për keqardhje që një laborator i Institutit Shtetëror të mos akreditohet, ndërsa ka disa laboratorët privatë që janë akredituar.
“Përkundër kësaj, mostrat analizohen në Institutin Bujqësor të Kosovës, pra, në laboratorin e liçencuar por të pa-akredituar. Ne si komision e kemi vizituar laboratorin e IBK dhe kemi konstatuar se janë të pajisur mirë me aparatura për analiza të disa produkteve ushqimore, por shihet se ka nevojë për trajnim të kuadrit profesional dhe për renovim të hapësirave të laboratorëve. Nuk kam informacion pse nuk është akredituar. Ata tash në muajin shkurt kanë aplikuar për akreditim, por si duket ende janë larg arritjes së këtij qëllimi. Arsyet e shpjeguara nga menaxheri i Institutit nuk ishin të qarta”, ka thënë Salihu.
Produktet ushqimore me cilësi të dyshimtë
Shumë qytetarë kohë pas kohe janë ankuar publikisht për cilësinë e ushqimeve dhe disa nga ata kanë postuar edhe fotografi nëpër rrjete sociale për cilësi tepër të dobët të disa ushqimeve.
Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se cilësia e produkteve ushqimore që tregu ia ofron konsumatorin të Kosovës është në proporcion të drejtë me shkallën e zbatueshmërisë së Ligjeve që akoma nuk e arrin 40 % shin, shkallën e bashkëpunimit, bashkëveprimit, interaktivitetit mes ministrive të caktuara dhe sa Kuvendi e Qeveria e Kosovës i mundësojnë dhe insistojnë për ato dhe shkallën e informimit, arsimimit, edukimit, vetëdijësimit të qytetarit konsumator e taksapagues, detyra këto që i takojnë Institucioneve, Asociacioneve dhe Mekanizmave të Republikës së Kosovës.
“Dallimet në perceptime rreth cilësisë dhe sigurisë së ushqimit mes institucioneve, e në veçanti mes mekanizmave të mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit dhe konsumatorëve me organizata konsumatori janë të dukshme dhe shpesh kemi mospajtime. Këto perceptime i shprehëm edhe në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Departamenti i MTI-së për mbrojtjen e konsumatorit në kuadrin e manifestimit për Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit. Ishte listë e gjatë e pakënaqësive, shqetësimeve, kritikave, të gjeturave, ‘shijimeve’”, thotë Kaçaniku.
Sipas tij, qytetari konsumator më shumë preferon që të ankohet te mediumet, te gazetarët, te organizata konsumatori se sa te mekanizmat e Shtetit për mbikëqyrjen dhe inspektimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Kemi pasur ankesa për cilësinë dhe sigurinë e artikujve ushqimorë. Por, ky numër është jashtëzakonisht i vogël në krahasim me të gjeturat në terren. Kjo dëshmon se qytetari konsumator e taksapagues dhe gjenerues kryesor i buxhetit të Republikës së Kosovës, ka humbur besimin dhe nuk është i kënaqur me shërbimet, me kujdesin dhe as me mbrojtjen që e merr nga ato.
Natyrisht se ankesat më shumë kanë të bëjnë me produktet nga importi sepse, përpjestimisht, Republika e Kosovës, tregu i saj për nevojat e qytetarit konsumator, më shumë importon se që prodhon. Dihet botërisht se Kosova mbi 90% të nevojave e kërkesave i importon. Të pakta janë prodhimet e ushqimit që prodhohen mjaftueshëm në Kosovë e edhe më i vogël është eksporti’, theksoi Kaçaniku.
Institucionet përkatëse zotohen për sigurimin e cilësisë së ushqimit
Ministri i Shëndetësisë Rrahmani, i cili mori pjesë sot në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit, të organizuar nga zyra e OBSH-së në Prishtinë, ka thënë se siguria e ushqimit është një sfidë e madhe për shëndetin jo vetëm në Kosovë, por në gjithë globin.
Ai tha se ushqimi dhe shëndeti janë dy çështje të pandashme dhe është një zgjedhje e duhur nga OBSH, që sot të promovohet kujdesi në të ushqyerit, me qëllim të vetëdijesimit të popullatës nga rreziqet që mund të sjellin ushqimet në shëndetin e tyre.
“Unë shfrytëzoj rastin që në këtë ditë të shënuar të bëjë thirrje të gjithë akterëve, për bashkimin e forcave, për të luftuar çdo të keqe që e rrezikon shëndetin e popullatës”, ka thënë Rrahmani.
Ndërsa shefi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, dr. Skënder Syla, ka thënë se për çdo vit për Ditën Botërore të Shëndetësisë zgjidhet një temë që nxjerr në pah një fushë prioritare që shqetëson sektorin e Shëndetësisë në botë, andaj për këtë vit si fushë prioritare nga OBSH-ja është përzgjedhur siguria e ushqimit, pra “Nga ferma në pjatë, ta mbajnë të sigurt ushqimin” është motoja për këtë vit që nënvizon sfidat dhe mundësitë në lidhje me sigurinë e ushqimit.
“Ruajtja nga ushqimi është sfidë e të gjithë neve dhe bartet nëpër një hallkë zinxhirore e cili fillon qysh nga hedhja e farës së bimës në tokë, e deri në servimin e produktit të saj në tryezë”, tha dr. Syla
Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, tha se siguria e ushqimit është çështje ndërsektoriale dhe përgjegjësi e përbashkët, që kërkon pjesëmarrjen e sektorëve shëndetësorë jopublik dhe përkrahjen e agjensioneve të mëdha ndërkombëtare dhe regjionale aktive në fushat e ushqimit, ndihmës emergjente dhe edukimit.
OBSH: Nga ferma deri në pjatë, bëjeni ushqimin më të sigurt
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ushqimi i pasigurt mund të përmbajë baktere, viruse, parazitë apo substanca kimike të dëmshme dhe shkakton më shumë se 200 sëmundje që sillen prej diarresë deri tek kanceret. Shembujt e ushqimit të pasigurt përfshijnë ushqimet me origjinë shtazore të ziera jomjaftueshëm, frutat dhe perimet e kontaminuara me feces, dhe butakët që përmbajnë biotoksine detare.
Sot, OBSH lansoi gjetjet e para prej një analize më të gjerë, që është duke u bërë, për barrën globale të sëmundjeve të bartura me ushqim. Rezultatet e plota të këtij hulumtimi, që është ndërmarrë nga Grupi Referues i OBSh-së për Epidemiologjinë e Barrës së Sëmundjeve të bartura me ushqim (FERG), pritet të lansohen në Tetor 2015. Disa rezultate të rëndësishme janë nxjerrë në lidhje me infeksionet zorrore të shkaktuara nga viruset, bakteret dhe protozoar, që hyjnë në trup përmes gëlltitjes së ushqimit të kontaminuar. Shifrat fillestare prej vitit 2010, tregojnë se: Kishte rreth 582 milionë raste të22 sëmundjeve të ndryshme të zorrëve të bartura me ushqim dhe 351 000 vdekje përcjellëse; agjentët e sëmundjeve të zorrëve përgjegjës për shumicën e vdekjeve ishin SalmonellaTyphi(52 000 vdekje), E. coli enteropatogjene(37 000) dhenorovirusi (35 000); regjioni Afrikan ka regjistruar barrën më të lartë të sëmundjeve të bartura me ushqim, i pasuar nga Azia Juglindore; mbi 40% të njerëzve që vuajnë prej sëmundjeve zorrore të shkaktuara nga ushqimi i kontaminuar ishin fëmijë të moshës nën 5 vjeç.
Ushqimi i pasigurt gjithashtu bart rreziqe të mëdha ekonomike, sidomos në botën e globalizuar. Epidemia e E.colit në Gjermani në vitin 2011 thuhet të ketë shkaktuar 1.3 miliard dollarë humbje për fermat dhe industrinë dhe 236 milionë dollarë në pagesën e ndihmës emergjente për 22 Vende Anëtare të Bashkimit Evropian.
Sipas OBSH-së, në skajin e konsumatorit të zinxhirit të furnizimit me ushqim, publiku luan role të rëndësishme në promovimin e sigurisë së ushqimit, prej aplikimit të higjenës së ushqimit të sigurt dhe mësimit se si të kujdesen kur ziejnë ushqimet specifike, që mund të jenë të dëmshme (si pula e papërpunuar), deri tek leximi i etiketave, kur blejnë dhe përgatisin ushqimet. Pesë çelësat e OBSh-së për ushqim të sigurt sqarojnë principet themelore, që secili individ duhet të dijë në gjithë botën për të parandaluar sëmundjet e bartura me ushqim.
“Shpesh duket një krizë që të ngjallet ndërgjegjja kolektive mbi sigurinë e ushqimit dhe që të ndërmerret ndonjë reagim serioz,” thotë Dr Kazuaki Miyagishima, Drejtor i Departamentit të OBSh-së për Sigurinë e Ushqimit dhe Zononozat. /tesheshi.com/