Klima botërore po ndryshon. Si pasojë edhe burimet e tokës po shterohen. Për këtë arsye, FAO, Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës, ka shpallur si temë vjetore” Rëndësinë e veprimeve njerëzore në fatin e Botës” për të përkujtuar 16 tetorin si ditë e themelimit të organizatës në vitin 1945. Në qendër të diskutimeve do të jetë çështja e urisë botërore dhe siguria në ushqim.
Sipas FAO-s, ekzistojnë disa veprime të vogla që mund të bëjmë në përditshmërinë tonë, të cilat mund të na duken të parëndësishme, por që të shumëfishuara nga miliarda njerëz që jetojnë në botë mund ta shpëtojnë jetën e planetit tonë. Ndër 26 pika të përmendura nga organizata veçojmë këtu disa nga më të rëndësishmet siç janë:
- Ndryshimi i regjimit ushqimor: duhet që secili prej nesh të paktën një herë në javë të konsumojë një regjim vegjetarian apo vegan. Arsyeja: po digjen qindra hektarë me pyje për të krijuar një tokë pjellore për të ushqyer një numër të konsiderueshëm gjedhësh.
- Blerja vetëm e gjërave të domosdoshme me pakicë: llogarisni vakte ditore dhe jo javore. Duke parashikuar se sa vakte dhe se sa ushqim duhet për të përgatitur këto vakte, mund të kursejmë shumë nga ushqimi i shpërdoruar kot.
- Zgjidhni fruta dhe zarzavate “jo të bukura”. Shpesh herë këto lloj frutash dhe zarzavatesh që nuk janë të paraqitshme çohen dëm sepse nuk përmbushin kriteret estetike të klientit, por që në fakt janë të njëjta në vlera ushqyese, për mos të thënë më të mira.
- Mos i çoni dëm ushqimet e mbetura. Nëse nuk arrini t’i konsumoni dot futini në akull për t’i ngrohur një ditë tjetër. Ose kthejini në një ushqim të dytë (përshembull nëse tepron pak oriz nga rizoto mund të gatuajmë një supë me oriz për të nesërmen). Kur të jeni në restorant porosisni sa më pak, nëse nuk ngopeni kërkoni përsëri. Gjithmonë kërkoni për porcione të vogla, ose në rast të kundërt kërkoni gjithmonë ta merrni pako me vete në shtëpi.
- Blini ushqime vendi. Duke blerë ushqime vendase promovoni biznesin vendas dhe evitoni ndotjen e ambientit, qoftë në rast se shkoni me një mjet për ta marrë, e qoftë nëse transporti bëhet me kamion për shkak të kërkesës së madhe. /tesheshi.com/