Kryeministri Rama ka premtuar ashpërsim të dënimeve në kuadër të shmangies së dhunës nga fushat e stadiumet shqiptare. Gjatë një takimi në kryeministri me krerë të FSHF-së, shefi i qeverisë propozoi:
“Ne do të ndërhyjmë në kodin penal. Futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe shkel në tapetin e gjelbër është kërcënim për ata që ushtrojnë detyrën.
Kështu që kemi domosdoshmërinë që ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë këtë dënim. Minimumi tre vjet.
Ndëshkime më të rënda sesa 3 vjet u praktikuan në 1989 në Angli për t’i dhënë përgjigje përfundimtare dhunës si sport më vete.
Burgimi dhe përjashtimi përjetë nga stadiumi i atij që shkel vijat e bardha do të jetë hapi i parë që do bëjmë me parlamentin”, tha Rama.
Nga ana tjetër, ai kërkoi që FSHF e Policia të gjejnë gjuhë bashkëpunimi.
“Besoj se është kohë që Policia e Shtetit dhe Federata mos ja lënë topin njëri-tjetrit por të bashkëpunojnë seriozisht. Ka një pengesë ligjore lidhur me organizimin e shërbimeve policore në mjediset e brendshme të stadiumeve.
Klubet të detyrohen që të pajisin impiantet me kamera duke i dhënë mundësi policisë që të identifikojë të gjithë keqbërësit në stadium dhe duke i bërë të pakthyeshme kërkesat e prokurorisë”, theksoi Rama.
Ky zhvillim vjen pas shpërthimit të nja vale dhunë në stadiume, ku për pasoja arbitrat kanë bojkotuar kampionatin.
Rasti më ekstrem u shënua në takimin Kamza – Laçi, ku gjyqtari Haliti u shemb përdhe nga goditjet e tifozëve që hynë në fushë, si dhe të drejtuesve të klubit kamziot. /tesheshi.com/