Ngjarjet e fundit kriminale në vend si dhe dy incidentet ku janë përfshirë efektivët e policisë duke dhunuar qytetarët kanë detyruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi të mbledhë drejtuesit e komisariateve. “Këto veprime kanë cenuar rëndë imazhin dhe punën e policisë, dhe minojnë punën e madhe që ka bërë dhe po bën Policia e Shtetit. Askush nga ju, apo cili do punonjës policie nuk është i emëruar në detyrë për të treguar se sa të fortë jeni , por për të treguar se sa i fortë është ligji. Askush s’ju ka dhënë të drejtën të ndani qytetarët në kategori e në emra të përveçëm , por të zbatoni ligjin njësoj për të gjithë e t’ju shërbeni të gjithëve me të njëjtin standard shërbimi . Respektoni liritë dhe të drejtat e qytetarit , ofroni për qytetarin shërbim sa më të kulturuar, sa më profesional, prodhoni rend e siguri për komunitetin ku shërbeni e jo veprime të tilla të shfaqura në media”, tha Didi.
“Puna juaj është e monitoruar nga qytetarët dhe media, ndaj tregoni përgjegjshmëri e profesionalizëm , përkushtim e ndershmëri , performancë në komunikim e paraqitje dhe komuniteti ka për t’ju vlerësuar dhe mbështetur. Puna juaj nuk do matet më me statistika , por do matet nga vlerësimi që do ketë komunitetit ku ju shërbeni , nga niveli i sigurisë në terren , si dhe nga standardi i shërbimit që prodhon edhe punonjësi më i fundit në Komisariatin e Policisë ku shërbeni. Merrni masa të menjëhershme për një kontroll sa më të mirë të terrenit, të marrjes së informacionit në kohë për të parandaluar dhe zbuluar ngjarjet kriminale si dhe bashkëpunoni me komunitetin se puna jonë pa bashkëpunimin e komunitetit nuk mund të ketë rezultatet e pritshme nga të dyja palët”, theksoi kryepolici.
Po ashtu Didi ka kërkuar nga vartësit e tij të respektohet etika e komunikimit me qytetarët dhe veshja e uniformës në orarin e punës, pasi në raport me qytetarin çdo efektiv përfaqëson uniformën e shtetit.