Nga Blendi Gashi
Në dekadën e fundit, dhuna në shkolla është rikthyer në një shqetësim serioz për Kosovën.
Përmirësimi i sigurisë dhe krijimi i mjediseve të sigurta në shkolla mbetet një sfidë e papërballueshme e institucioneve, edhe përkundër se kjo çështje është ngritur edhe nga deputetët e Kuvendit në vitin 2014-të.
Hulumtimet dhe studimet e ndryshme që janë bërë nga organizata joqeveritare tregojnë se në të gjitha shkollat e Kosovës, dukuritë e tilla si shkelja e rregullave, ngacmimi, rrahjet, prania e armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit kanë shënuar trende shqetësuese.
Megjithatë, kjo dukuri më shumë është e shfaqur në shkollat e kryeqytetit, Prishtinës.
Sipas një studimi të bërë për sigurinë në shkollat e Prishtinës nga Programi i Kombeve të bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) del se: “pothuajse gjysma e prindërve (47%), ndihen jo aq të sigurt për fëmijët e tyre gjatë kohës kur ata janë në shkollë”.
567 incidente në vitin 2015-të
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm gjatë vitit 2015-të, janë raportuar 567 incidente që kanë ndodhur në shkolla ose në afërsi të objekteve të shkollave në mbarë Kosovën.
Përkundër këtyre incidenteve, fatmirësisht, nuk ka mbetur i vrarë ndonjë nxënës, por janë shënuar tri raste tentim vetëvrasjeje.
Të merren masa urgjente nga organet kompetente
Duke parë se kjo dukuri shqetësuese është në rritje dhe rrezikon seriozisht jetën e nxënësve, sociologë dhe psikolgë të vendit, kërkojnë që të ndërmerren hapa të shpejtë dhe konkret nga organet kompetente.
Ata thonë se për të evituar incidentet e tilla, duhet të rritet numri i psikologëve në shkolla, të bëhen patrullime më të shpeshta nga policia rreth objekteve shkollore, të instalohen kamerat e sigurisë, të gjithë nxënësit të paisjen me uniforma shkollore, e masa të tjera.
Sociologu Ferdi Kamberi, thotë sepjesa më e madhe e studimeve kanë pohuar se dhuna në shkolla më shumë është e pranishme në ato shkolla ku ka më shumë nxënës sesa në ato që ka më pak.
Ai thotë se format e dhumës nuk janë vetëm në mes nxënësve, por janë edhe ndërmjet mësimdhënësve dhe nxënësve dhe e kundërta.
“Fenomeni i dhunës në shkolla pavarësisht asaj që të dhënat flasin për rritje dhe ulje të numrit, fatkeqësisht vazhdon të jetë njollë e zezë e shoqërisë kosovare dhe nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë dhe konkret, dhuna në shkolla mund të bëhet shkak që shumë nxënës të braktisin mësimin”, thotë sociologu Kamberi për tesheshi.com
Ai thotë se në parandalimin, përkatësisht në marrjen e masave adekuate për të ndaluar dhunën në shkolla, do të duhej të merren masa urgjente si:
“Duhet të ketë një komunikim të hapur dhe mirëfilltë ndërmjet prindërve dhe fëmijëve lidhur me problemet dhe preokupimet e tyre;
– të ketë një bashkëpunim më efektshëm ndërmjet Këshillit të Prindërve, Policisë; MASHT, OJQ-ve që merren me studimin e këtyre problemeve dhe nivelit lokal;
– Policia e Kosovës, do të duhej që fuqizonte edhe më shumë patrullimet e saj jo vetëm në oborret e shkollës (si civil) por edhe tek objektet e shkollës, për shkak të ngasjes së automjeteve me shpejtësi të madhe;
– niveli qendror së bashku me nivelin lokal, si dhe akterët tjerë, do të duhet që të ofrojnë siguri më të madhe jo vetëm me rojet apo vendosjen e mbrojtëseve në shkolla, por edhe përmes kamerave të sigurisë;
– duhet të shtohet numri i pedagogëve, sociologëve dhe psikologëve, të cilët do të merreshin më shumë me aspektin e sjelljeve dhe qëndrimeve të nxënësve dhe do ta krijonin një bazë të të dhënave për secilin nxënës,
– duhet që sa më parë të krijohet një bazë elektronike e cila do të kishte për qëllim komunikimin online me prindërit,
– mediat, përmes emisioneve të ndryshme, duhet të kontribuojë në temat e tilla, të cilat do të ndikonin në vetëdijesim shoqëror”, thotë Kamberi.
Psikologu Adem Shala, thotë se dhuna në shkolla nuk është problem serioz veç në Kosovë por në shumë vende të botës, posaqërisht në shkollat publike.
Shala, në një prononcim për tesheshi.com thotë se duke marrë për bazë historinë jo shumë të largët dhe tranzicionin ekzistues, dhuna në shkollat tona është e pa justifikueshme dhe kurrsesi nuk duhet të jenë burim i gjenerimit të “kuadrave” të dhunës.
“Efekti i dhunë në shkollë është më i gjërë se sa që tregojnë statistikat. Nxënësit që e kalojnë kohen duke menduar për dhunën dhe ri rregullimin e jetës së tyre për të ju shmangur dhunës shpenzojnë “qelizat e trurit” shumë të vlefshme të cilat në të kundërtën do të shpenzoheshin në mësim dhe zhvillim të shëndetshëm. Studiuesi i njohur i psikologjisë sociale David Mayers, përmend disa faktorë të cilët ndikojnë në sjelljet agresive tek fëmijet, siç janë: familja, subkultura dhe masmedia. Meqenëse dy të fundit duken shumë të pranueshme, familja në këtë rast kërkon më tepër elaburim, pasi të rralla mund të jenë rastet kur familjarët mund të nxisin fëmijët e tyre për të bërë akte agresive dhe të dhunshme në rrethin shoqërorë. Por, që në specifiken e shoqërisë tonë kjo mbase edhe mund të jetë shumë e pranishme. Mayers thotë, fëmijët që kanë prindër ndëshkues kanë prirje për tu sjellë në mënyrë agresive me të tjerët. Prindërit e tyre zakonisht i disiplinojnë me britma ose rrahje duke bërë agresionin “mënyrë” për tu përballur me rrethin social”, thotë ai.
Njëjtë si sociologu Kamberi, edhe psikologu Shala thotë se ekzistojnë një varg metoda të parandalimit të dhunës në shkollë, si angazhimi më i madh i psikologëve në shkolla, të rritet komunikimi prindër-mësimdhënës, të rritet numri i rojeve fizike etj.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë deklaruar për media se dhuna nëpër shkolla më shumë është e pranishme në ato shkolla ku numri i nxënësve është më i madh.
Edhe Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim përmes një studimi të titulluar “Dhuna në mesin e nxënësve në sistemin shkollor në Kosovë”, ka dhënë fakte se dhuna fizike në mes nxënësve është mjaft e shprehur.
Hulumtimi ka vënë në pah se në këto rrethana, ka një tendencë që dhuna në shkollat e Kosovës të shndërrohet në sistematike, e heshtur dhe e pranuar në mënyrë të përgjithshme nga shoqëria, që në anën tjetër mund të shërbejë si potencial i fshehtë për të dhunuar integritetin e nxënësve dhe të gjithë shoqërisë. /tesheshi.com/