Kur llogjika nuk po gjente më rrugën për zgjidhjen e krizës politike opozitë-qeveri, Kushtetuta i ofron mekanizmin shpëtues. Si mund të praktikohet “Deus ex machina” dhe a do të kënaqen të gjitha palët nga zgjedhjet e parakohshme?
“Deus ex machina”, një thënie latine sipas së cilës një fuqi qiellorë ndërhyn në tokë për të zgjidhur mekanikisht një situatë të bërë lëmsh, duke i hapur udhë më pas zgjidhjes logjike, është pikërisht ajo që shfaqet tashmë përballë krizës politike shqiptare të diktuar nga çadra. Pra, si në tragjeditë greke; pasi “Deus ex machina” ka qenë pjesë e natyrshme në fabulat e tyre, siç deri dhe tek filmat e sotëm në Hollivud.
Por a mund të ketë një “Deus ex machina” në politikë? Në teori jo, por ja që politika shqiptare mund të jetë teatri i një tragjedie greke këtë prill.
Në momentin kur të gjitha afatet ligjore të zgjedhjeve të 18 qershorit ishin tejkaluar dhe si pasojë opozita nuk merrte pjesë në zgjedhje, PS-LSI nuk u regjistruan dot si koalicion; dhe kur negociatorët e huaj kishin dështuar në gjetjen e një konsensusi për dialog, vjen zgjidhja mekanike “nga lart”. Është Kushtetuta e vendit ajo që në këtë rast luan këtë rol, ku aktorët pasi kishin provuar të gjenin zgjidhje, kishin ngecur brenda tragjedisë pa një rrugëdalje.
Zgjedhjet e parakohshme- një zgjidhje për të gjithë
Në qarqet politike e mediatike në Tiranë prej dy ditësh po flitet rreth kësaj “zgjidhjeje mekanike” që nuk ishte hedhur si mundësi logjike e ngarjeve në dy muaj e parë të krizës politike.
Pak a shumë duket sikur kjo u jep të gjithëve atë që kanë kërkuar: Opozita merr “qeverinë teknike”; pas dështimit të zgjedhjes së presidentit parlamenti shpërndahet; kryeministri Edi Rama jep dorëheqjen dhe krijohet një qeveri zgjedhore (teknike) për 40 ditë deri në zgjedhjet e parakohshme. Kështu, opozita justifikon daljen nga çadra, ku ka më shumë se 60 ditë dhe është konsumuar beteja e saj politike.
Rama ikën, por jo si presion i opozitës, por si një rrjedhojë e situatës kushtetuese të krijuar dhe vetë qeveria e re ka një afat shumë të shkurtër, vetëm për përgatitjen e zgjedhjeve.
PS-LSI ruajnë koalicionin e tyre. Afatet e reja zgjedhore rikthehen nga fillimi dhe partitë e koalicionet kanë të drejtë të regjistrohen përsëri në zgjedhjet e reja.
Ilir Meta bëhet president pas zgjedhjeve
Burime nga mazhoranca kanë pranuar se kreu i LSI-së mund të bëhet president në parlamentin e ri. Ai nuk ka pranuar të kandidojë tani pasi i duhet të udhëheqë fushatën e LSI-së në zgjedhjet e reja dhe ta nxjerrë atë në një koalicion qeverisës. Por pas zgjedhjeve pozicioni i Presidentit me një mandat 5-vjeçar do të ishte komod për të dhe do t’i jepte pushtet brenda koalicionit qeverisës.
Sa do të funksionojë kjo zgjidhje? Të gjitha gjasat janë që kjo të jetë zgjidhja e vetme kushtetuese dhe ligjore pasi çdo zgjidhje tjetër do të cënonte afatet ligjore dhe kushtetuese të parashikuara për zgjedhjet dhe presidentin e ri.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ofrohet në pdialogun” për të cilin do të negociojë në Tiranë më 24 Prill gjermani David McAllister, zv/Presidenti i Partisë Popullore Europiane dhe kreu i komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian. Një tjetër politikan gjerman i rëndësishëm, Ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, i kërkoi opozitës të ndërpriste bojkotin e Kuvendit dhe të merrte pjesë në zgjedhje, duke e cilësuar kërkesën e saj për “qeveri teknike” të pabazë. Pra, as Lulzim Bashës nuk i mbeten shumë zgjidhje përpara përveçse të pranojë “zgjidhjen mekanike të zbritur nga qielli”. /tesheshi.com/