Ajo që po ndodh në Maqedoni nuk ka asnjë gjasë të ndodhë në Shqipëri. Pas “rënies” së negociatave, kryeministri Zaev inicioi shkuarjen drejt zgjedhjeve të parakohshme, njëherësh duke u vetëlarguar nga qeverisja, një akt që e ka kompleksuar qeverisjen e Tiranës. Argumenti i dhënë nga ministri Cakaj pak ditë më parë, se ndryshe nga qeveria në Maqedoninë Veriore, e cila kishte premtuar hapjen e negociatave, qeverisja ku ai bën pjesë nuk e ka bërë një premtim të tillë që të mund të dorëhiqet. Sipas Cakajt, ajo thjesht ka thënë se do bëjë ç’është e mundur që negociatat të hapen, por pa ndonjë përbetim se kjo do të ndodhte me patjetër. Eshtë në fakt një arsyetim që nuk qëndron, paçka diferencave me qasjen e fqinjit. E nëse qëndron, jo negociatat por Meta, është një arsye që Rama në mos të dorëhiqet, duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Dy vite më parë, kur ai vendosi të çonte në Presidencë Ilir Metën, injoroi të gjithë sentimentet publike rreth një figure të njollosur politike, siç ishte pra kreu i LSI-së. Nëse në 2013 ia mirëkuptuan aleancën me Metën si një zgjidhje pragmatike pa moral brenda, në funksion të rrëzimit të sigurt të Berishës nga pushteti, në 2017 nuk mund ta gëlltisnin që ai ta kurërozonte Metën edhe president, e kjo paralel me shfrimin ndaj LSI-së si një forcë tepsie pushteti.
Argumenti i Ramës qe ai i një figure opozitare, më “meritorja” për të qenë president. E mbrojti fuqimisht zgjedhjen e tij, derisa erdhi e sotmja, ku mazhoranca që ai drejton po kërkon shkarkimin e Metës si shkelës i Kushtetutës. Ilir Meta sot është një njeri krejt i shfazuar, politikisht dhe etikisht, që me të drejtë Rama kërkon që “mos merremi me të”, apo që ai “mos bezdiset” prej tij nga interesimi mediatik, por ja që Meta-president është produkt i tij, e për këtë ai duhet të ketë një llogaridhënie. Ai ndoshta nuk është penduar për zgjedhjen që ka bërë – siç u shpreh në një emision të fundit, se “unë nuk pendohem kurrë, pasi zgjedhjet i bëj me zemër dhe me bindje”, por kjo nuk e largon nga përgjëgjësia politike për zgjedhjet e bëra. E Meta-president, është padyshim më rënda prej tij.
Me etikë politike, Meta duhej të kishte dhënë dorëheqje nga fakti se është zgjedhur nga Rama – vini re: president që sulmon mazhorancën që e ka zgjedhur(!!!) – e Rama duhej të bënte të njëjtën gjë për zgjedhjen e tij, me një rezultante katastrofike për funksionimin e shtetit.
Ndaj, në ka një arsye se pse Rama duhet të dorëhiqet, e më e pakta të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ky është Ilir Meta.
Në mos e bëftë tani – gjë që sigurisht nuk gjasë të ndodhë – le ta bëjë pasi ta shkarkojë. Sepse siç Zaevi me negociatat, edhe Rama na premtoi se me Metën president, kishte bërë zgjedhjen e duhur. Sot, ajo është më e paduhura. Katastrofikisht më e paduhura! /tesheshi.com/