Staffan de Mistura, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, nuk e sheh si zgjidhje ndarjen e vendit të përfshirë nga lufta prej pesë vitesh, edhe pse kanë nisur të dëgjohen zërat për një strukturë federale, që do t’u siguronte autonomi të gjerë autoriteteve rajonale.
“Uniteti i një vendi është fundamental. Gjëja e fundit që do t’i nevojitej Sirisë dhe që do të mund ta përballonte është një ndarje. Unë mendoj se asnjë sirian, kushdo qoftë ai ose ajo, nuk do ta pranonte atë,” ka thënë ai.
De Mistura i sheh me optimizëm bisedimet e paqes që pritet të nisin më 14 mars në Gjenevë, dhe thotë se mundësitë janë të mëdha për të gjetur një zgjidhje politike.
Në të kundërt, ai beson se nuk ka plan B nëse negociatat dështojnë.
“Plani B, për sa mund të shohim, është vetëm vazhdim i një konflikti të tmerrshëm, që do të vijojë pa fund. Dhe e dini kush do të jenë viktimat e vetme? Sirianët! Nuk mendoj se ka vërtet një plan B, por veç një këmbëngulje në këtë, për të arritur në rezultatin e suksesshëm të një zgjidhjeje politike…” /tesheshi.com/