Biznesmeni Tom Doshi, i cili garon për të mbajtur mandatin e deputetit në zonën e Shkodrës, është denoncuar sot në platformën Za’Lart se po paguan nga 50 euro për një votë.
Ish-deputet i PS-së, në këto zgjedhje Doshi garon nën siglën e PSD-së dhe është bërë disa herë objekt i denoncimeve për blerje vote, qoftë dhe me premtimet e tij se do të shtrojë rrugë me paratë e veta.
“Nga ky automjet që ka lëvizur gjatë ditës së premte në lagjen Kiras dhe disa zona të qytetit Shkodër është bërë regjistrimi i qytetarëve përmes kartave të identitetit dhe me pas ju është dhënë 50 euro.
Gjithçka është kryer në këmbim të votës me 25 Qershor për subjektin politik PSD. Pak orë më vonë e njëjta skenë ka qenë prezente në 2 lagje periferike edhe nga përfaqësues të PS me argumentin se po shpërndajnë çekun e parave të përmbytjeve. Policia Shkoder mësohet se ka shoqëruar 4 shtetas në komisariat pas sinjalizimeve”- thuhet në denoncimin e bërë sot.
/tesheshi.com/