Arrestimi i dy shoferëve të ministrisë së Punëve të Jashtme në kufirin shqiptaro-grek solli reagime të shumta në vend, pasi akuza e ngritur ndaj tyre është cilësuar si një dënim qesharak. Altin Tafa dhe Agim Asllani u dënuan dje me 30 muaj burg, me pretendimin se po transportonin për emigrantët shqiptar në Greqi tekste me përmbajtje propagandistike, që mund të rrezikonin marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje.
Partia Për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e ka cilësuar këtë vendim si një akt burracakësh dhe i padrejtë për dy shoferët, në një reagim për mediat.
“Ky akt burracak ngjan si përpjekje e drejtuesve të cirkut politik në Greqi, që të pafuqishëm për të ndaluar përparimin e çështjes çame, po i hedhin turmave të paditura dy “gladiatorë imagjinarë” të armikut. “Gladiatorët” në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy shoferë që kryejnë detyrën normale apolitike të dikujt që është transportues malli dhe kaq. Ky akt absurd zemërimi ndaj abetareve shqip në mes të Europës, do të turpërojë autorët e tij, kur ai të mësohet anembanë mediave, kancelarive dhe opinionit publik europian. Abetaret, ushqim mendjeje për 6-vjeçarët nuk përbëjnë rrezik për integritetin territorial të Greqisë, edhe kur në to mësohet se shqiptarët kanë jetuar dikur në territore që sot janë të saj”,- shkruhet në njoftimin e PDIU-së.
Partia e çamëve u bën apel autoriteteve shqiptare, që të veprojnë me qetësi, por me reciprocitet ndaj këtyre veprimeve, duke ndaluar çdo propagandë, sipas tyre shoviniste në çdo formë që vjen prej një vendi fqinjë.
Shoferët Altin Tafa dhe Agim Asllani u arrestuan më 14 nëntor në Janinë teksa transportonin libra shqip, por u lanë të lirë pas ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare dhe ambasadës sonë në Athinë./tesheshi.com