Dega demokrate e Shkodrës i është drejtuar me një letër Ambasadës Amerikane dhe delegacionit të BE-së në Tiranë, duke u kërkuar ndihmë në moslëshimin e Bashkisë.
Qyteti bastion që i duhet t’ja dorëzojë drejtimin PS-së, kjo për herë të parë në pluralizëm, ka çuar në një rezistencë të PD-së lokale, e fundit në dhjetra bashki të lëshuara prej saj në gati dy javë.
Ndërkohë, sipas demokratëve të Shkodrës, njeriu që do e marrë drejtimin nën siglën e PS-së, është me probleme nga e kaluara.
“Me konsideratë të lartë, ne një grup përfaqësues i qytetarëve të Shkodrës Ju drejtohemi lidhur me situatën e pazakontë që po kalon qyteti ynë para dhe pas votimeve të 30 qershorit!
Në një kohë kur pushteti dhe shteti në Shqipëri sot janë e njëjta gjë, kur institucionet e drejtësisë mungojnë, kur ata që duhej të përmbushnin garancitë e një procesi zgjedhor demokratik janë shndërruar në vegla politike, ne na vjen ndermend vargu i poetit kombëtar Naim Frashëri që thoshte “dielli për shqiptarët lind nga perëndon“!
E vetmja shpresë sot për shqiptarët e cfilitur, të vjedhur, të mashtruar, mbeten SHBA-të, dhe Europa demokratike! Qyteti ynë ka sakrifikuar shume në perpjekjet e tij kundër tiranisë ndoshta më shumë se çdo i ngjashëm i tij në Europën Lindore, me qindra martirë e dëshmorë të Lirisë, mijëra të internuar e të persekutuar!
Shkodra është simbol i rezistencës për demokraci në vitin 1944 si dhe në vitin 1990! Por edhe sot me gjasë, barra po i bie asaj për të mbrojtur shenjtërinë e votës së lirë dhe të demokracisë!
Me 30 qershor në Shkoder nuk pati zgjedhje por votime nga më të turpshmet e të paimagjinueshmet! Megjithatë kaq e madhe ishte diferenca ndërmjet vullnetit qytetar dhe rezultatit, saqë kandidati monist mori vetëm 6% të votave të njerëzve të administratës, te të joshurëve dhe të kërcënuarve!
Tashmë prej disa ditësh, krerët e Opozitës dhe mediat, kanë akuzuar zotin Valdrin Pjetri për mashtrim në deklarimet e tij lidhur formularin e dekriminalizimit të depozituar në KQZ si kandidat! Sipas këtyre akuzave, zoti Pjetri ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga organet e drejtësisë italiane! Ai nuk e ka përgenjeshtruar këtë akuze në asnjë moment! Kryeministri po hesht siç ka bërë edhe më parë me të tjerë kryebashkiakë të tij, subjekte të ligjit të dekriminalizimit, duke i marrë në mbrojte politikisht! Ai ka hequr dorë prej tyre pas disa vitesh, kur provat janë, konfirmuar totalisht dhe presioni publik ka qenë shumë i fortë!
Të nderuar ambasadorë,
Ne kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos kostituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj zotit ValdrinPjetri! Kështu ndihmojmë edhe vetë zotin Pjetri sot, për të mos e shpallur “nongrata” në Bashkinë e Shkodrës nesër.
Pezullimi i këtij kostituimi, është më i lehtë dhe demokratik se sa njolla e rëndë që mund ti vihet qytetit antikomunist, nëse zoti ValdrinPjetri konfirmohet si shkelës e dhunues i ligjit e genjeshtar nga pikëpamja e etikës civile! Mbetemi me shpresë që kërkesa jonë do të merret në konsideratë!”,thuhet në letrën e PD-së, dega Shkodër, drejtuar selive të Uashingtonit dhe Brukselit në Tiranë. /tesheshi.com/