Sistemi demokratik është në një gjendje rënieje në pothuajse gjysmën e vendeve të botës, paralajmëron raporti vjetor i IDEA-së i publikuar të enjten, i cili thekson se viti 2022 ishte viti i gjashtë i “recesionit demokratik” në botë.
“Ky është viti i gjashtë me radhë që më shumë demokraci po regresohen sesa përparojnë,” i tha AFP-së Michael Runey, bashkëautor i raportit nga IDEA International, një institut ndërkombëtar për demokracinë dhe ndihmën zgjedhore.
Ai shton se një trend i tillë është “recesioni demokratik” më i gjatë që ka regjistruar kjo organizatë që kur filloi mbledhjen e të dhënave për gjendjen e demokracisë në botë në vitin 1975.
Instituti, i cili monitoron shumicën e vendeve në botë, përdori tregues demokratikë si liritë civile, pavarësia e gjyqësorit dhe përfaqësimi politik në përpilimin e raportit.
Siç thuhet në raport, “themelet e demokracisë po shemben në të gjithë botën” dhe problemet variojnë nga “parregullsitë zgjedhore deri te kufizimet e të drejtave”.
Rrëshqitje në demokracitë historikisht të suksesshme
Nga 173 vendet e anketuara, 85 shënuan rezultate të dobëta në të paktën “një tregues kryesor të përparimit demokratik gjatë pesë viteve të fundit“.
Raporti paralajmëron një “rënie të ndjeshme” të standardeve në lidhje me zgjedhjet dhe punën e parlamenteve, si dhe parimin e shtetit të së drejtës, dhe rrjedhimisht pavarësinë e gjyqësorit.
“Ne po shohim gjithashtu një kthim prapa në demokracitë historikisht të suksesshme në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi,” thekson Runey.
Kjo valë e dobësimit të sistemeve demokratike në nivel global mund të interpretohet, ndër të tjera, me grushte shteti në kontinentin afrikan.
Sa i përket të drejtave, autorët theksojnë se kishte kufizime në lirinë e fjalës dhe të tubimit, por kjo nuk ishte e rëndësishme në nivel global. Megjithatë, përmirësime janë vërejtur në fushën e sundimit të ligjit “pas vitesh stanjimi në nivelin e korrupsionit”, thuhet në raport.
“Ne shohim shenja shprese në disa vende të botës, si Evropa Qendrore dhe kontinenti afrikan. Por, pamja e përgjithshme është ende shumë e keqe”, përfundon ai. /tesheshi.com/