Që Lionel Mesi vijon të çudisë, nuk është e pazakontë, nisur nga klasi që ka. Që çdokush nga kundërshtarët do të donte të ndërronte fanellën me të në fund të ndeshjes, edhe kjo nuk është e pazakontë, sepse e ka kujtim nga Mesi.
Por që fanella e “Pleshtit” argjentinas, t’i kërkohej nga shoku i skuadrës tek Barcelona, Dembele, pas një ndeshjeje të Barcelonës, kjo s’ishte dëgjuar.
E në fakt ka ndodhur dhe mediat spanjolle e kanë nxjerrë këtë fakt. Pas ndeshjes së fituar 3-0 kundër Juventusit, Dembele “i ka prerë riskun” ndonjë juventini, duke “prenotuar” bluzën e Mesit, i cili në ndeshje shkëlqeu me 2 gola.
Sipas gazetave në Spanjë, 20 vjeçari Dembele ia ka kërkuar Leos bluzën, meqë debutoi në Champions League, debutim që u vlerësua i suksesshëm, pasi dha pasin për golin e tretë të Suarez.
Megjithatë, jo pak nga kritikët “e hidhur” të futbollit, lëshuan kunja në drejtim të Dembele, duke shkruar se djaloshi po tenton ta ketë mirë me Mesin, për të arritur postin e titullarit në formacionin e Barcelonës. /tesheshi.com/