Çdo ditë e më shumë PDK e Kadri Veselit po rrit presionin ndaj kryeministrit Haradinaj për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Pas ministrit Abelard Tahiri që vjen nga PDK, në anën e Thaçit ka dalë edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra e cila ka thënë se institucionet duhet të marrin masa që të zgjidhin çështjet e demarkimit me shtetin malazez.
“Kjo punë duhet të rregullohet, duhet që tema e Demarkacionit të mos jetë më temë e klasës politike, duhet të përfundohet, e kemi dhënë qëndrimin tonë si PDK, dhe përkundër faktit që kemi një koalicion të ri me Haradinajn”, ka thënë ajo për “Klan Kosova”.
Deputetja e PDK-së më tej ka shtuar se vendi është vonuar shumë në këtë drejtim, dhe se nuk është interes i klasës politike që demarkimi të jetë njëra prej top-temave që po trajtohet vazhdimit.
“Në radhë të parë duhet të ketë vullnet politik që t’i hapin rrugë këtij procesi, deputetët besoj se kësaj herë do të reflektojnë seriozisht. Kosova është një prej vendeve të pakta që ende s’ka liri të lëvizjes. Kjo është një e padrejtë që po i bëhet Kosovës, ne krahas vullnetit tonë do t’i marrim masat që kjo çështje të jetë e mbyllur dhe që qytetarët të kenë liri të lëvizjes si një e drejtë fundamentale të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Deliu-Kodra. /tesheshi.com/