Zv.kryeministri, njëherësh kreu i diplomacies së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës zyrtare që po e zhvillon në Mal të Zi, ka kërkuar mirëkuptimin për Demarkacionin, por që homologu i tij malazez, Sergjan Darmanoviç, është treguar i prerë duke e konsideruar një çështje të mbyllur.
“Unë besoj se institucionet kosovare do të marrin vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, duke u bazuar në atë se kufijtë që kanë ekzistuar në ish-Republikën Federative të Jugosllavisë janë vërtetuar nga dy komisionet tona dhe një komision ndërkombëtare. Siç kam deklaruar më herët, demarkacioni mes dy vendeve është punë e kryer”, ka thënë ai.
Kurse Pacolli raportohet të ketë thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës është i pamundur në këtë moment, për shkak të raporteve të partive.
“Ne jemi të vetëdijshëm që marrëveshja është nënshkruar, por kërkojmë mirëkuptim dhe durim”, ka thënë Pacolli pas takimit.
Më tej, ai shtoi se Kosova është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje strategjike me Malin e Zi dhe të mbajë takime të përbashkëta të qeverive të dy shteteve. /tesheshi.com/